Moska vlerëson heroizmin e shqiptarëve në fitoren mbi Fashizmin

555
Dje ambasada e Federatës Ruse në Tiranë, organizoi një ceremoni për të dekuruar një grup veteranësh të Luftës Antifashiste NacionalÇlirimtare, duke vlerësuar kështu edhe luftën, kontributin, sakrificat dhe gjakun e popullit tonë në luftën e madhe, duke u rreshtuar në krahun e Aleatëve. Ambasadori rus në Shqipëri Alexander Karpushin u dha medaljen e “70 – vjetorit të Fitores” 24 veteranëve të LANÇL, duke u shprehur, se kështu plotëson një udhëzim të vetë presidentit rus, Vladimir Putin. Mes të dekuruarve ishte edhe Rita Marko, ish partizan dhe ish anëtar i Byrosë Politike të PPSH. Pas kësaj ceremonie, shoku Rita Marko dha një intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf”, duke shprehur kënaqësinë e tij, për gazetën, e cila pasqyron, me besnikëri të vërtetat e mëdha të LANÇL. 
Rita Marko: PKSH ishte garancia e fitores të LANÇL, e Majta të bëjë më shumë për veteranët
– Shoku Rita Marko, si ndiheni sot, që ambasada e Federatës Ruse ju dekoron për kontributin që dhatë në LANÇ?
Luftën e madhe Nacional Çlirimtare e bëri vetë populli shqiptar, i cili me atë luftë u rradhit në krah të Aleatëve kundër fashizmit e nazizmit. Sakrificat e popullit shqiptar në Luftën Nacional Çlirimtare ishin të mëdha. Populli ynë ishte nga të vetmit që këtë luftë e bëri në baza vulletare dhe ishte i vetmi rast që Ushtria Nacional Çlirimtare e jona nuk ishte ushtri me pagesë, siç ishin në të gjitha vendet e tjera. Gjaku që u derdh nga populli shqiptar nuk mund të harrohet, sepse gatoi themelet e fitores së madhe mbi fashistët e nazistët. Ndihem krenarë që sot në 70 – vjetorin e fitores së madhe mbi Fashizmit, vlerësohet edhe LANÇL e popullit tonë, përkrah kontributit të Aleatëve fitues dhe të pupujve të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike. 
A duhej që edhe Shqipëria të merrte pjesë në 9 Maj në festimet mbi Fashizmin në Moskë?
– Fitorja mbi Nazizimin ishte një fitore e të gjithë popujve të Bashkimit të Republikave Socialistë Sovjetike dhe të të gjithë aleatëve. Në këtë luftë të madhe dhanë jetën 27 milionë nga Bashkimi Sovjetik. Edhe populli shqiptar me kontributin e sakrificën e tij dhe 28.000 dëshmorë dhanë gjakun e tyre për Atdheun, u rradhit fitues i Luftës së Dytë Botërore. Kjo është një histori që na bën krenarë sot dhe në vazhdimësi.
– A duhet vlerësuar roli i PKSH dhe i komunistëve në LANÇL?
– Luftën Nacional Çlirimtare e bëri populli ynë, por PKSH dhe komunistët e udhëhoqën këtë luftë dhe ishin garancia e fitores mbi fashizmin e nazizmin. Heroizmi dhe sakrificat e komunistëve, që luftuan dhe u vranë në këtë luftë janë të pamohueshme. Ata luftuan pa asnjë interes personal, por dhanë gjithçka, edhe jetën e tyre, për të mirën e madhe të Atdheut. Këtë nuk mundet askush ta mohojë.
A ndihen të vleësuar sot veteranët e LANÇ?
– Qeveritë duhet të bëjnë më shumë për të vlerësuar historinë e lavdishme të popullit tonë. LANÇL është lavdia e historisë të Shqipërisë. E Majta sot, duhet të bëjë e ta vlerësojë më shumë, edhe LANÇL, por edhe vetë veteranët e kësaj lufte. 
Ambasadori rus Karpushin: Nuk do të harrojmë kurrë heroizmin e popullit shqiptar!
Kam një kënaqësi të veçantë të përshëndes në emër të Ambasadës Ruse në Tiranë të gjithë të pranishëm: veteranët, çlirimtarët e Shqipërisë, pasardhësit dhe pasuesit e tyre, invalidët e luftës dhe nëpërmjet juve gjithë popullin heroik shqiptar. Dua t’ju uroj përzemërsisht për 70-vjetorin e fitores mbi Fashizmin. Kjo është një festë e përbashkët e gjithë njerëzimit përparimtar, e të gjithë popujve të botës që i vlerësojnë në mënyrë objektive rezultatet e Luftës II Botërore. Pa asnjë dyshim, kjo është një ditë e veçantë edhe për rusët, edhe për shqiptarët, pasi shënon çlirimin e Europës dhe të gjithë botës nga pushtimi fashist. Kohët e fundit shpeshherë mund të dëgjosh një pyetje: pse në Rusi ia kushtojnë një rëndësi aq të madhe kësaj fitoreje? Madje, në shumicën e vendeve perëndimore, të cilat kanë vuajtur nga pushtimi hitlerian, nuk kujdesen aq shumë për këtë festë. Përgjigja është shumë e thjeshtë. Në qoftë së për shumicën e vendeve të Europës humbja në luftën kundër ushtrisë gjermane sillte si pasojë vetëm kapitullimin, për popullin rus humbja nënkuptonte shfarosjen e plotë. Është një fakt i njohur se pikërisht këtë urdhër Hitleri ia dha ushtrisë gjermane, kur ndërmori sulmin e pabesë ndaj Bashkimit Sovjetik (BS). Dhe vetëm fitorja në këtë luftë i ka lejuar Rusisë të mbijetojë si shtet dhe i ka lejuar popullit rus të mbijetojë si komb. BS ka humbur rreth 27 milonë njerëz. Prej tyre 11 milionë ishin civilë, mes të cilëve fëmijë, gra dhe pleq. Ushtria e Kuqe dha një kontribut vendimtar në shpartallimin e armikut tonë të përbashkët. Pikërisht Fronti Lindor ishte front kryesor i Luftës II Botërore. Atje u zhvilluan betejat më të ashpra dhe ishin përqëndruar deri 70% të forcave të agresorit. Në frontin sovjetiko-gjerman u asgjësuan më shumë se 600 divizione të koalicionit fashist, i cili humbi në lindje tre të katërtate aviacionit të tij, si edhe shumicën e tankeve dhe të artilerisë. Megjithatë më duhet të theksoj se fitorja u arrit në saj të përpjekjeve të përbashkëta të shumë popujve. Ndihmën e madhe BS ia dhanë aleatët e tij kryesorë nga koalicioni antihitlerian – SHBA-të dhe Britania e Madhe. Gjatë viteve të para të luftës ata jepnin kryesisht ndihmën materiale, duke furnizuar vendin tonë me armatime dhe ushqime. Kurse më vonë, pranë përfundimit të luftës, kur u bë qartë se rezistenca e hordhive hitleriane ishte thyer, më 6 qershor 1944 u hap edhe Fronti i Dytë. Ky operacion ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme të Luftës II Botërore, se tregoi qartë unitetin e forcave antifashiste dhe pashmangshmërinë e fitores së popujve liridashës mbi Hitlerin. Duke përfituar nga ky rast, dua t’ia shpreh mirnjohjen time të thellë popullit shqiptar, para së gjithash veteranëve të lëvizjes partizane, të cilët që në vitin 1939 u ngritën trimërisht kundër pushtuesve fashistë dhe në fund të fundit çliruan atdheun e tyre me forcat e veta, pa ndërhyrje të ushtrive të huaja. Shqipëria ka humbur 28 mijë të bijve dhe bijave të saj më të mirë, që kanë mbrojtur me armë në dorë pavarësinë e vendit të tyre. Nuk do të harrojmë kurrë heroizmin e popullit shqiptar dhe kontributin e tij në fitoren mbi Fashizmin! Sot për sot shumë shqetësuese janë përpjekjet për të falsifikuar historinë e Luftës II Botërore, për të justifikuar dhe madje ringjallur ideologjinë fashiste dhe për të zvogëluar rolin e BS në arritjen e fitores. E gjithë kjo sjell si pasojë përhapjen dhe glorifikimin e ideve të neonazizmit në botën moderne. Jam i bindur se parandalimi i kësaj tëndence është një sfidë e përbashkët e të gjitha vendeve dhe popujve. Më vjen mirë të konstatoj se veteranët e lëvizjes partizane të Shqipërisë asnjëherë nuk e kanë vënë në dyshim kontributin vendimtar të BRSS-së në shpartallimin e armikut. Veprat heroike të ushtarëve sovjetikë i frymëzonin patriotët shqiptarë për të vazhduar luftën kundër pushtuesve. Dhe jam i lumtur të takohem sërish me ju – me njerëzit që ruajnë kujtimin e atyre ngjarjeve dhe e dinë shumë mirë se kush e ka bërë të mundur fitoren mbi fashizmin. 
Veteranët që u dekuruan nga ambasada ruse
Rustem PEÇI
Odhise PORODINI
Sul DOMI
Gjike KURTIQI
Ziqiri MERO
Faik ALIAJ
Servet AGALLIU
Orhan FRASHËRI
Gjemal KACANI
Spiro JANI
Llutfie MERO
Gjon BANUSHI
Manushaqa MIKO
Lefkoshe PAPAJANI
Alfred MOISIU
Rita MARKO
Ballëm META
Kadri DINGU
Asllan GROPASI
Pali CARAPULI
Pëllumb EKMEKÇIU
Nevrus OSMANI
Daljan BUGJELI
Nuredin DUSHANI
Sigal