Monumenti “Nënë Shqipëri” i nxirë, askush nuk shqetësohet

1346
Sigal

E Majta nderon luftën çlirimtare, Meta-Rama: Integrimi, detyrim ndaj të rënëve

E gjithë politika shqiptare, veteranë, të rinj e të reja, më 28 dhe 29 Nëntor, bënë homazhe nderimi përpara Monumentit “Nënë Shqipëri”, te Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut. Pavarësisht, se politikanët ishin të ndarë, sipas parcelave politike dhe këto 22 vjet demokraci, kurrë nuk u bënë bashkë, as te homazhet përballë “Nënë Shqipërisë”, por, gjithsesi, morën mundimin të nderonin Luftën Nacional Çlirimtare të popullit kundër nazifashizmit. Përpara monumentit “Nënë Shqipëri” u vendosën kurora me lulet më të freskëta, shumëngjyrëshe. Mirëpo, po të ngrije sytë e të shikoje monumentin “Nënë Shqipëri”, mbi të ishte hedhur, si një vello, një cipë e zezë e skorjeve dhe e erozionit të kohës, ndikuar edhe nga kushtet atmosferike. Ajo ngjyrë e bardhë, që kishte fillimisht monumenti “Nënë Shqipëri”, është zverdhuar e nxirë, sa, duke e parë ashtu, monumenti “Nënë Shqipëri”, të duket, sikur përsipër saj, është hedhur një vello e hirtë, e nxirjes nga ndotja e mjedisit. Por, më shumë se nxirja nga koha, ajo njollë e zezë (e turpit tonë) është shkaktuar nga shpërfillja e të të gjithëve, në gjithë ndërkohën tonë. Është njësoj, sikur ne, me shpërfilljen tonë, nxijmë sot, atë gjak të kuq që dhanë bijtë e bijat e popullit, kundër Atdheut. Që ne, brezat e mëvonshëm, të gëzojmë atë liri, që na solli gjaku i Dëshmorëve dhe Heronjve. Që në ekzistojmë, që ne jetojmë sot të lirë, është çmimi i gjakut që Dëshmorët dhe Heronjtë tanë dhanë në luftë.

Mirëpo….

Askush, nga të gjithë politikanët, që kanë bërë çdo 28 dhe 29 Nëntor, paradën e homazheve, nuk i kanë bërë aspak përshtypje nxirosja, përherë e më shumë e monumentit “Nënë Shqipëri”. Politikanët, presidentët, kryeministrat, Kryeparlamentarët, më shumë se homazhi për të nderuar Luftën, Dëshmorët, Heronjtë, kanë ardhur përpara “Nënës Shqipëri” vetëm e vetëm për të bërë foton e çastit, për të spekuluar pastaj, duke dashur, që nëpërmjet fotove, të marrin për meritat e tyre personale, lavdi nga Lavdia e Luftës të Dëshmorëve dhe Heronjve që dhanë gjakun e tyre për Atdheun. Nuk besoj, se çdo shqiptar sot  do të ndjejë më shumë turp, se kaq, kur përballë  sakrificës më supreme të Heronjve dhe Dëshmorëve që dhanë jetën e tyre për Atdheun, të mos mundet sot- apo të mos dëshirojë- që të pastrojë- të paktën- nxirjen nga e zeza të monumentit “Nënë Shqipëri”. Dhe jo vetëm, teksa shikon mermerët e varreve të Dëshmorëve dhe Heronjve të prishur, e të nxirë edhe ato, teksa shikon murin e Varrezave të Dëshmorëve të Atdheut të rrënuar e të gremisur. Ai monumenti “Nënë Shqipëri” nuk është thjesht një monument kulture, por është vetë Historia e Shqipërisë. Duhet të na brejë ndërgjegjja të gjithëve, për atë nxirje të turpshme, që po mbulon të gjithë monumentin “Nënë Shqipëri” te Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut!

Presidenti, Kryeministri dhe Kryeparlamentari  bashkë në homazhe

Një ditë pas festimeve të mëdha të 101- vjetorit të Pavarësisë, dje u festua edhe 69- vjetori i çlirimit të vendit. Një datë kjo, e cila në fakt vitet e fundit ka shkaktuar jo pak debate mes politikës dhe historianëve për të vërtetën e largimit të ushtarit të fundit gjerman nga Shkodra. Me rastin e 29 Nëntorit Çlirimit të Shqipërisë, krerët më të lartë të shtetit kanë vendosur kurora me lule në Monumentin “Nënë Shqipëri”. Presidenti Bujar Nishani, kryetari i Kuvendit Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, ministra dhe deputetë kanë zhvilluar homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve. Kryeministri Edi Rama u shpreh se, 29 Nëntori është dita e reflektimit në emër të së ardhmes. “Shqipëria e sotme është shumë më afër se ç`ishte atëherë me ëndrrën e atyre që ranë e që ne sot i nderojmë në emër të jetës që i vunë në dispozicion ëndrrës. Për të përmbushur atë ëndërr ka ende shumë rruge e mbetet ende shumë punë për tu bërë. Nëse qoftë edhe për një moment barra duket e rëndë, më e rëndë se ç’mbajnë shpatullat tona, e rruga më e vështirë se përfytyrimi ynë për ta kapërcyer atë thirrja që vjen nga 29 Nëntori mjafton për të kthjelluar shikimin përballë një sakrifice lidhur me një punë, që është puna jonë, që në fakt është një detyrë shumë më e thjeshtë në raport me përpjekjen e tyre dhe detyrim shumë më i zakonshëm në raport me sakrificën e tyre më shumë se të jashtëzakonshme”,- tha Rama.

 Meta: Në rrugën e duhur për Shqipërinë Europiane

Ndërsa kreu i Kuvendit Ilir Meta u shpreh se, Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbushur ato aspirata që i bashkojnë gjithë shqiptarët për Shqipërinë Evropiane, ku të gjithë ndihen të barabartë e të përfshirë. “Jam i bindur se duke respektuar ata që ranë për vendin, lirinë, për të forcuar shtetin ne jemi në rrugën e duhur për të përmbushur ato aspirata që na bashkojnë gjithë shqiptarët për Shqipërinë europiane, ku të gjithë ndihen të barabartë e të përfshirë,-  tha Meta.