Monologu i ambasadorëve për Reformën në Drejtësi

479
Analisti Andi Bejtja, në një intervistë me Çim Pekën, tha se reforma në drejtësi, nuk mund të bëhet monologu i kryeministrit e të kalohet me monologun e ambasadorëve, por të bëhet debati i shoqërisë. Bejtja, pohoi se kemi një njeri të rrezikshëm, që i anashkalon ligjet, sikurse Rama. Bejtja tha se, Meta me dorëheqjen e Naços, i dha një mesazh të fundit për bashkëpunim kryeministrit Rama, i cili është tërhequr në 50 vendime që ka marrë, në më të shumtën e herëve nga presioni i LSI, e cila ka mbështetur biznesin. Bejtja do ta përshëndeste një parti të re nga Blushi, sepse PD me opozitarizmin e saj ka ngecur dhe për këtë ka përgjegjësi edhe kryetari Basha.
-A është i papunë sot Andi Bejtja?
– Unë i papunë nuk jam asnjëherë, sepse unë nuk jam fiks i pozicionuar në një kompani, por shkruaj tek ju, punoj në një kompani që merret me reklama, jap konsulencë, punoj jashtë diku ka dhe freelance që nuk mund të quhen të papunë.
– Zoti Bejtja, debati më i madh sot është Reforma në Drejtësi. A keni ju një gjykim tuajin, mbi atë,se çfarë po ndodh realisht?
– Unë nuk jam ekspert, por kam miq ekspertë që po bëjnë Reformën në drejtësi dhe që janë shumë të aftë. Ajo që unë kam bërë dhe kam bërtitur me të madh dhe kam kritikuar në një farë mënyrë edhe ambasadorët herën e fundit ku kam thënë që nuk bëhet drejtësia me monologë, qoftë dhe ambasadorësh. Ajo që mua më ka bërë përshtypje në gjithë këtë histori është mungesa e debatit, nuk ka debat në Shqipëri për një reformë kaq të madhe, nuk po dëgjojmë palët, nuk kemi një emision televiziv ku flitet për reformën në drejtësi dhe filluam me monologun e kryeministrit. Nuk është e shëndetshme për shoqërinë shqiptare, që të kalohet nga monologu i kryeministrit dhe të kalohet me monologun e ambasadorëve , dhe të mbyllet drejtësia nga ky monolog tek ky monolog dhe mendoj që nuk ka njeri që ma kundërshton këtë tezë. Unë, në një farë mënyre, i bëra thirrje ambasadorëve, faleminderit për këtë që thatë, ne e dëgjuam, por tërhiquni pak nga protagonizimi, sepse reformën duhet ta bëjnë shqiptarët. Ka dhe një gjë që në qoftë se shqiptarët nuk e ndiejnë dhe e perceptojnë këtë reformë, si të bërë mirë kjo është e pakuptimtë. Pastaj duhet të kemi parasysh edhe diçka, që reforma në drejtësi, duhet vinte kjo ditë dhe nuk tha njeri gjë me mënyrën dhe kohën që po bëhet. Por përveç këtyre që thashë, mungesës së dialogut dhe monologut pa fund, kemi një njeri, i cili e ka iniciuar këtë reformë duke anashkaluar Presidentin, duke anashkaluar Ministrin e drejtësisë dhe kemi një njeri të rrezikshëm në kuptimin e marrëdhënieve që ka me ligjin. Nuk është thjeshtë rasti Beketi, për të parë se si u soll me ligjin, si i urdhëronte prokurorët, por ka pasur marrëdhënie me ligjin si kryetar Bashkie gjithmonë. Ju e dini tendencën që ka Rama për të mos respektuar ligjin, duke thënë ligjet i kalojmë këtej vazhdojmë bëjmë reformën. Bëjmë kryeministrinë pa tender, as mos bëjmë transparencë vazhdojmë bëjmë reformën. Pra, nëse për X politikan ke 10 dyshime për reformën në drejtësi ta iniciojë ai, për Ramën ke 50 me rekordet që ka, pa dashur shoh negativisht. Por mënyra se si po bëhet reforma lë për të dëshiruar, opozita duhet të ishte më aktive mendoj unë, pavarësisht nga ftesat, por dhe opozita ka dyshimet e veta. Janë një sërë dyshimesh dhe mungesa e dialogut dhe mungesa e debatit dhe sensibilizimit mund të na çojë në një pikë se me ndërrimin e këtyre gjyqtarëve, le të ndërrohen gjyqtarët, le të ndërrohen 90 gjyqtarë, 90 për qind e tyre, të vijnë 90 për qind të tjerë dhe të punojnë më keq se këta dhe të bëjnë të njëjtën gjë, sepse drejtësia ka një gjë. Nuk është thjeshtë një ndërvarje është shumë më komplekse. Unë e thashë që dëgjova ambasadorin që mburrej me studentët e Drejtësisë, po ata pedagogë që marrin ryshfet në mëngjes japin mësim pasdite dhe nxjerrin njerëz të shkëlqyer. Tjetra që mendoj unë, që është dhe në Reformën në Shëndetësi, nuk mund të bësh reformat ë suksesshme, nëse i quan të gjitha kategoritë armiq, qoftë mjekët, qoftë dhe gjyqtarët. Pra, reforma në drejtësi është diçka e vështirë nuk është një ishull i veçuar, që u rregullua ky ishull dhe shpëtoi shoqëria.
– Për të kaluar kjo reformë janë disa aktorë që vendosin. Do të kalojë kjo reformë siç është apo jo?
– Nuk e di çfarë do të bëhet, sepse dhe Komisioni i Venecias pati disa vërejtje dhe nuk e di si janë reflektuar, apo do të reflektohen. Nuk jam në brendësi aq shumë sa ç’mund të jetë një politikan në lidhje me specifikat e Reformës në Drejtësi, ajo që shoh unë si qytetar është që kaloi nga monologu i kryeministrit tek monologët e ambasadorëve. Mua, ky qark i shkurtër kryeministër-ambasador nuk më duket se i sensibilizon shqiptarët, pavarësisht nga fjalimet euforike.
– A do t’ia bëjë Ilir Meta dhuratë këtë paketë Edi Ramës? E thënë më shkurt, a mendoni se do ta votojë Ilir Meta këtë paketë, e cila deri më sot duhet thënë që është paketa Rama? Përderisa është përjashtuar Ministria e Drejtësisë, është përjashtuar presidenti, janë përjashtuar Komisionet Parlamentare.
– Besoj se në këto kushte dh zoti Meta me dorëheqjen e zotit Naço edhe në letër, kushdo që do ta lexojë e lexon, shkruhej qartë që unë po iki se nuk mu krijuan kushtet e bashkëpunimit. Me atë lëvizje, pavarësisht se zoti Naço u shpreh se ishte për arsye personale, ishte e qartë për këdo, që zoti Meta ja dha dhe njëherë shansin zotit Rama, të paktën kështu e lexoj unë, që ke një personazh të ri, do kesh një fushë loje tjetër tani, nuk ke më këtë fushë loje, tani respekton rregullat e reja, tani nuk mund ta parashikoj dot këtë situatë që të jem i sinqertë. Megjithatë, ajo që më intereson mua jashtë njërës politikë apo parti është që kjo reformë kaq e rëndësishme mos ngelet monolog, kryeministër dhe ambasadorë por të bëhet debat i gjithë shoqërisë.
– Bejtja, Ilir Meta dhe Edi Rama një përplasje e fortë edhe pse në kohë vere, tashmë e faktuar nga të gjithë faktorët edhe nga ata që mundoheshin ta fshihnin gjatë verës. Do të kemi një qeverisje Rama-Meta deri në fund të mandatit apo jo?
– Prapë nuk e bëj dot rolin e fallxhorit.
– Po të analistit po?
– Por ajo që shikoj unë, dua të jem tek roli i analistit është që edhe si karaktere, Meta është një njeri edhe nga ajo që kam dëgjuar për të, është një njeri që i mban fjalët më shumë se Rama edhe sa u përket marrëveshjeve dhe këtë e ka vërtetuar në fakt. Tjetra është që unë shikoj një lloj filozofie tjetër të menduar filozofie të LSI-së me PS-në , Ramës me Metën, po them se këto janë personazhet. Ne kemi kryeministrin Rama që është tërhequr në 50 vendime, unë i kam të numëruara të vogla dhe të mëdha, që nga armët kimike dhe deri tek anulimi i tenderëve të jaguarit. 
– Një kryeministër që tërhiqet nuk është keq?
– Jo, një sekondë. Një kryeministër që tërhiqet nga ato që quan reforma dhe desha të them është tërhequr pikërisht nga një presion i LSI-së në shumë raste.
– Këtë të tenderave të jaguarit, nuk është se e kam të konfirmuar, ju pretendoni se është tërhequr?
– Mesa di unë, me informacionet që unë kam është tërhequr. Desha të them se në ¼ e këtyre vendimeve është tërhequr nga presioni i LSI-së, i cili e theksoj ka qenë i dobishëm për publikun. Nëse nënkryetari i LSI-së petrit Vasili del dhe thotë që për ne bizneset që anë në kufijtë e mbijetesës të mos tatohen si këta të tjerët dhe Rama tërhiqet, ky është një presion pozitiv dhe një mënyrë të menduari tjetër.
– Gjithsesi për të qenë korrekt, LSI presionin më të madh e ka bërë për akcizën e birrës.
– Çfarë të keqe ka këtu?
– Jo nuk ka asgjë të keqe, por përjashto një farë klientelizmi që ka me këtë biznes, LSI nuk është se ka detyruar Edi Ramën që të tërhiqet mbrapsht dhe i ka votuar gjithçka zotit Rama
– Nuk them se LSI është perfekt. Nuk mund ta kërkojmë ne të dy, dihet çfarë duam, por nuk mund t’i kërkojmë LSI-së që të jetë parti opozitare në pushtet.
– Jo s’po e kërkojmë, por edhe ta ndajmë LSI-në nga zoti Rama, duke thënë njëra është e mirë, njëra është e keqe?
– Jo s’po e ndajmë, unë i kam bërë thirrje zotit Meta në shkrim tek ju, ku i kam thënë zoti Meta ju do mbani përgjegjësi para fëmijëve të tu dhe para shqiptarëve, në qoftë se vazhdoni këtë bashkëjetesë, kur e dini se ky po na çon drejt humnerës. I kam thënë që nuk digjet vendi për një besë skraparlliu, unë më shumë se kaq s’kam çfarë t’i kërkoj Ilir Metës. Por nga ana tjetër, kur shoh që mendon ndryshe, kur shoh që ka një lloj frenimi Rama edhe gëzohem, se Shqipëria po shkon drejt humnerës nga politikat e gabuara ekonomike të zotit Rama. Por ajo që desha të them unë është se Rama është një situatë që ai mendon se është e mirë për të, por nuk po percepton realitetin mendoj unë. E kisha tek kthimi, se ka një teori që thonë bëri mirë që u kthye, por ajo tregon se kryeministri nuk i merr seriozisht reformat, që bën. Reforma, sa për sy e faqe ose nuk i kupton. Unë kam frikë se nuk i kupton. Kemi një qeveri ku gjysma kanë mbaruar për anglisht, po shikoja qeverinë e Kanadasë, ku Ministri i Bujqësisë ishte fermer, ministri i teknologjisë hacker, Ministri i Ushtrisë veteran. Këtu, po dite pak anglisht, jepi vëlla merru me ekonominë, merru me financë, me çfarë të duash. Pra, ndërkohë, që unë e vë Ilir Metën para përgjegjësisë dhe i kërkoj është se mendoj se kupton më shumë se Edi Rama dhe jam i bindur se të paktën si politikan është më normal në të gjitha dhe në fjalor, sesa Edi Rama, në këtë kuptim e kam. Nuk e parashikoj dot, megjithatë mendoj se kjo nuk është as çështje Ilir Meta, apo Edi Rama. Unë e kam thënë që po të ishte Edi Rama i fuqishëm me vota dhe po të qeveriste mirë, të jeni i sigurtë se do të kishim zgjedhje të parakohshme tani. Sepse zgjedhjet e parakohshme kryeministrat i bëjnë ose kur ndjehen shumë të fuqishëm, ose kur vjen ekonomia dhe të merr frymën. Unë mendoj që rasti i Shqipërisë është ky i dyti, pavarësisht cic-miceve Rama-Meta, në qoftë se ekonomia vjen aty, ku ven njerëzit nuk do të pyesin as për Metën, as për Ramën.
– A ju bind Lulzim Basha si kryetar opozite?
– Mua më bind çdo njeri që e ka lindur nëna në këtë dhe, që lind. Nuk është se Lulzim Basha nuk më bind.
– Merita nuk është e zotit Basha, por e prindërve që e lindën. Pyetja është konkrete në këto dy vjet kryetar opozite Lulzim Basha ju bind apo jo?
– Duhet të kemi parasysh dhe kontekstin, të gjithë kur thonë, a ju bind Lulzim Basha e krahasojnë me zotin Berisha.
– S’po bëj asnjë krahasim.
– Jo të gjithë, kur bëjnë këtë pyetje, a ju bind, ju bind çfarë? Ka një të keqe të madhe në Shqipëri, të cilët duan që edhe lideri i ri të ketë zërin e atij që iku, ta mbajë mitingun më gjatë se ai, të bërtas më shumë se ai, ose ta gërvishti zërin më shumë se ai tjetri. Unë mendoj se mund ta kesh zërin edhe më të hollë se lideri paraardhës, mund ta kesh dhe më të trashë, mund të flasësh dhe më gjatë dhe më bukur. Është e vështirë me partitë e djathta, kur zëvendësohen në këtë mënyrë, jo si majtas, kur vjen e merr shan liderin baba të partisë. Por ajo që shikoj unë si analist, është se tregu opozitar po rritet, ka vend shumë për opozitarizëm, por PD po ngel aty ku është dhe sigurisht që për këtë mban përgjegjësi dhe lideri i asaj partie. Por të them më bind, a s’më bind, e keqja është se unë në atë parti nuk shoh ndonjë figurë tjetër që për momentin të zëvendësojë, ose mos e zëvendësojë atë njeri. Por nuk mund të jem korrekt të them më bind, s’më bind, ajo që shikoj unë është se tregu opozitar rritet dhe PD pothuajse ngelet po aty. Mendoj se po ta shikojmë politikën si biznes në kuptimin e mirë të fjalës treg, mendoj se do të dalin forca të reja politike. 
– Do dalin forca të reja politike, pra nuk e shikoni këtë opozitë si shpëtimin?
– Jo, në qoftë se do presim.
– Kur thoni forca të reja politike keni parasysh Blushin?
– Po dhe Blushi nuk ka asgjë të keqe të dali forcë politike, bile unë do të isha i gëzuar. Unë e kam thënë dhe herë të tjera, ku të tjerët thonë që bota shqiptare të bëhet dy polare, unë kam thënë që të bëhet dhe 3,4,5 polare. Unë mendoj se zoti Blushi se ne të paktën shohim diskursin e tij politik, në ato që ka thënë duket si një UFO, në kuptimin e mirë të fjalës në parlament. Ka thanë shumë gjëra, të cilët të tjerët nuk i kanë thënë nga të dyja palët, ose nga të tre palët është një njeri ndryshe për shumë çështje, një njeri qytetar, ka kurajë civile të paktën me këto që po dëshmon herët e fundit.
– Blushi, Lubonja dhe ju keni qenë kolegë. Në rast se Ben Blushi do të bënte një parti tjetër, a e ka menduar ndonjëherë Andi Bejtja përfshirjen në politikë?
– Tani Lubonjën mos e bashko me mua, se dhe i ngelet hatri, dhe mua më ngelet hatri dhe nuk mund të flas për atë. 
– Andi Bejtja, vetë a e ka menduar ndonjëherë përfshirjen në politikë?
– Ne, që merremi me gazetari dhe sidomos me komente politike, ne jemi në politikë. Biles jemi më shumë se këta që janë në parlament dhe jashtë modestisë tim dhe tëndes, ne të dy marrim vesh më shumë se gjysma e parlamentit nga politika. Ne të dy dhe ne të gjithë që merremi me këtë punë, që ndjekim lajme për ditë. Unë as nuk e mohoj as nuk e pohoj, për momentin nuk kam ndonjë ftesë nga ndonjë parti politike. Unë vetë nuk kam ndërmend të krijoj parti politike dhe nëse dikush nga liderët e rinj ose të vjetër të politikës do më bëjë një ftesë do ta shqyrtoj dhe hera e parë që do të marr vendim do të vij ta them tek ju.
– Zoti Bejtja faleminderit!
Sigal