Monitorimi i zgjedhjeve, Dhoma Zgjedhore prezanton raportin përfundimtar

403
Dhoma Zgjedhore prezantoi sot raportin përfundimtar të monitorimit të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, ku përfshihen dhe rekomandimet e shoqërisë civile, për përmirësimin e sistemit zgjedhor dhe administrimin e tij. Në prezantimin e raportit, përfaqësuesi i Dhomës, Lutfi Dervishi vlerësoi pozitivisht faktin që në këto zgjedhje qytetarët me votën e tyre ia besuan kryetareve gra drejtimin e 9 bashkive të vendit.
Raporti vlerëson ecurinë e procesit të numërimit të votave, i cili ishte me ritme më të shpejta krahasuar me vitet e kaluara, dhe po ashtu faqja zyrtare e KQZ-së me publikimin e të dhënave shënoi një hap pozitiv në drejtim të informimit dhe transparencës me publikun. Raporti monitorues i Dhomës Zgjedhore konstaton se zgjedhjet e fundit u zhvilluan në kontekstin e mosdakortësive të forta që solli reforma e re territoriale, ku shumë kandidatë u ankuan se u ndjenë të disavantazhuar në rezultat.
Po ashtu, për kandidatët e pavarur sistemi zgjedhor ishte i pafavorshëm, ndërsa ndarja e re administrative, që shoqërohet me zmadhimin e njësive vendore, krijon pabarazi të votës. Duke u ndalur tek roli i policisë gjatë zgjedhjeve, raporti i Dhomës thekson se ajo garantoi sigurimin e rendit publik, ndërsa vë në dukje dhe përqëndrimin policor gjatë ditës së zgjedhjeve, e cila mund të përkthehet dhe si një lloj presioni ndaj votuesve.
Sigal