Monika Kryemadhi: Xhafaj ka përgjegjësi për përdorimin nga vëllai të policisë

714
Sigal

Intervista e Kryetares së LSI-së, dhënë në emisionin “Tonight Ilva Tare” në Oranews

 Do të jemi së bashku në këtë debat do ta konsideroja, si është LSI në raport me opozitën?

Unë nuk do ta quaja debat, më shumë do ta quaja si një bashkëbisedim, do ta quaja një tryezë ku të hedhim argumenta, dhe pse jo të japim dhe të marrim nga njëri tjetri, kur mendojmë që në këtë situatë që për hir së të vërtetës politika shqiptare ka nevojë për mendime të ftohta, jo për mendime të nxehta, mendoj që është shumë e domosdoshme që vetë politika të përfshihet në tryeza të tilla bashkëbisedimi për të dëgjuar dhe për të ndikuar sadopak në këndvështrimet apo strategjitë tona, me elementë të tjerë jashtë llogjikës politike, me elementë të tjerë të cilët në një këndvështrim tjetër e shikojnë situatën në pozicione të tjera. Pra kanë kënvështrime të ndryshme.

A është aktualisht LSI e hapur ndaj këtyre mendimeve?

Sigurisht që është e hapur, sepse unë mendoj që nëse LSI nuk do të jetë një forcë politike e hapur atëherë ajo do të rrudhet dhe do të mblidhet rreth vetes së saj, do të ngelet në historinë e shkuar të atyre viteve. Është e vështirë për tu hapur, sepse është e vështirë për të qenë e besueshme te njerëz të tjerë, të cilët duhet ti afrohen LSI-së. Por ajo çka është më e rëndësishme është se çdo njeri që dëshiron të kontribuojë në LSI të ndihet i përfshirë, të ndihet pjesë përbërëse dhe të mos ndihet i ri apo i vjetër. Çdo njeri që kërkon të kontribuojë pranë LSI-së të ndihet pjesë përbërëse e saj. Vetë situata, të mos harrojmë që situata politike në Shqipëri, apo vet ambienti dhe tranzicioni politik që vazhdojnë ta kemi, njerëzit ndjejnë një neveri ndaj politikës, ndjejnë frikë për tu marrë me politikë. Ca për shkak të neverisë politike që është krijuar në këto vite, pra politikanët mendojnë për veten e tyre, janë kështu e janë ashtu, ca edhe për shkak të frikës, dhe të respresionit që ushtrohet për ata që merren me politikë, ose që kanë një biznes të tyre etj.

LSI është e hapur, po intelektualë, njerëz nga shoqëria civile që duan ti bashkohen LSI-së, a ka?

Patjetër që ka. Ka jashtëzakonisht shumë. Ka shumë pedagogë, nga bota akademike që janë afruar. Por e kanë pak më të vështirë për tu përballur mediatikisht. Ne kemi shumë të rinj dhe të reja, që janë nga bota akademike, të shkolluar jashtë shtetit, të cilët kanë një këndvështrim tjetër, ndryshe, pra e shikojnë pak më soft debatin politik, ashtu sikurse kemi dhe shumë të tjerë që janë rritur në drejtim të agresivitetit, të luftës politike, të përballjes. Këta ndoshta e kanë më të lehtë. Por megjithatë kjo është një ndërthurrje shumë e mirë.

A do ishte më mirë që të shkonte agresiviteti i politikës aktuale te racionaliteti i këtyre të rinjve?

Unë do mendoja që do ishte shumë më mirë racionaliteti i këtyre të rinjve dhe të rejave të cilët janë shkolluar jashtë shtetit, të shkonte te agresiviteti ynë politik, po vetë kushtet në të cilat ne jetojmë është e pamundur që kjo kulturës evropiane e politikës shqiptare të bashkëjetojë me agresivitetin nga pala tjetër.

Kthehemi te politika e Tiranës. Protesta e 26 majit kaloi, opozita vazhdon marrëdhënien e kushtëzuar me parlamentin, z. Xhafa është ministër i Brendshëm, Edi Rama është kryeministër i vendit. Çdo bëni tani?

Unë nuk mendoj që problemi është z.Xhafa që ëshët ministër i Brendshëm apo z.Rama është një kryeministër, i cili politikisht për mendimin tim është i rënë për shkak të vetë mosfunksionimit të institucioneve shtetërore. Këtë mund ta shikosh në disa aspekte, mjafton të shohim dhe impaktin që është në buxhetin e shtetit në mbledhjen e taksave, ashtu sikurse mund të shikosh dhe funksionimin e institucioneve shtetërore. Sot nëse do të duash të trokasësh në zyrën e një ministrie për të marrë një shërbim, nuk do ta kesh atë shërbim, sepse edhe sot e kësaj dite pas një viti qeverisje është shumë e vështirë për tu gjendur zgjidhje problemeve të qytetarëve. Mjafton të pyesësh qytetarë të ndryshëm, të cilët pohojnë se nuk gjejnë dot zgjidhje, siç dëgjuam para disa ditësh listën e 200 firmave të ndërtimit që nuk kanë legalizuar pallatet dhe nuk mund të marrim dot leje të tjera. Pastaj u ndryshua lista, u bë lista tjetër. Pastaj doli një listë tjetër e kështu me radhë. Ashtu sikurse nuk u jepet zgjidhje dhe shumë problemeve të tjera. Pastaj doli një listë tjetër e kështu me rradhë, ashtu sikurse nuk ju jepet zgjidhje dhe shumë problemeve të tjera. Megjithatë ajo çka unë mendoj, historia nuk është thjesht te z.Xhafa sepse ai është thjesht një emër i përveçëm, një element në portofolin e z.Rama pra në cirkun e tij shëtitës. Ajo çka unë mendoj është që institucionet shtetit shqiptar, sa efektive janë dhe sa i shërbejnë qytetarëve. Nga ana tjetër, do të shikojmë si situatë klimë biznesi shumë jo të favorshme, do të shikojmë investime të huaja të cilat nuk ikin. Do të shikojmë një stërmundim, strapacim të kryeministrit që ka dalë në turin e tij në të gjithë Shqipërinë për tu mbushur mendjen shqiptarëve që jemi vendi më i begatë në Europë. Ashtu sikurse po të shikojmë është një stërmundim dhe makineri propagande e cila në mënyrën nga më të ndryshmet mundohet për të implementuar politikat e veta të mirëqenies në Shqipëri. Pra këtu beteja mendoj unë nuk është për z.Xhafa sepse në fund të fundit z.Xhafa nuk ka pse të mbajë përgjegjësi për veprimet që bën vëllai i tij por këtu beteja është e Shqipërisë dhe shqiptarëve, nëse ky shtet, ky institucion, kjo qeveri apo kjo klasë politike të cilën shqiptarët e votuan, a janë në shërbim të tyre apo jo. A do të kenë një jetë më të mirë, a do të kenë një vend pune, a do të kenë rrogë më të mirëpaguar, shërbim shëndetësor, a do të kenë mundësi të paguajnë ilaçet, a do të kenë mundësi të blejnë librat e fëmijëve. Pra i gjithë puzzle i jetës politike, artistike kulturore ekonomike, është i gjithi në funksion të jetës politike. Unë mendoj që z.Rama e di shumë mirë që është në një moment shumë të vështirë sot dhe e ka shumë të vështirë prandaj po kërkon të krijojë insinuata apo inskenime, teatro nga më të ndryshmet, sepse për hir të së vërtetës ai është master i këtij PR pavarësisht se tani është në metoda shumë më të vjetra të cilat po dalin jashtë mode. Mundohet të bëjë të njëjtën skenë që është bërë në vitin 2000 kur ai kandidonte për kryetar bashkie i Tiranës për herë të parë. Pra mos të harrojmë që tani jemi 18 vjet më vonë, nuk mund të përdori të njëjtën metodë.

Cila është metoda?

Metoda e makinerisë propagandistike që ai ndërton. E mbani mend sopatën në dorë për të prerë atë shtyllën e telefonit e cila nuk lejonte, apo dalja e Robert Çumçakizit te lulishtja e QSUT. Të njëjtën gjë kemi tani, por njëherë e një kohë e kishim me një veshje ekstravagante që ecte dhe kameramanët dhe gazetarët që e gjëmonin me vrap, sot nuk kemi këtë gjë. Sot kemi nënpunës të ulur nëpër karrige në pikën e diellit se nuk gjejnë as hije në këtë pikë vape, sepse i kap kamera më bukur për ta dhe kjo tregon një defekt.

LSI ka ende të punësuar në ujësjellës në bashki ka akoma të punësuar…

Mund të them këtë gjë që përfaqësuesit e LSI-së, politike apo edhe komisionerë apo aktivistë të LSI-së jo vetëm që nuk janë më në punë por edhe ata që janë i kanë kërcënuar por kanë filluar edhe ju ngrenë padi nëpër prokurorira për t’i kërcënuar në mënyrë të tillë që pranoni padinë që të shkoni të përballeni pranë prokurorisë ose ndërroni teserën e partisë dhe të kaloni.

Kjo po ndodh për të gjithë pushtetin vendor apo edhe në Tiranë?

Në Tiranë ne nuk kemi faktikisht për hir të së vërtetës. Pothuajse të gjithë kanë ikur. Zotin Veliaj mund ta quaj pak skemaxhi ose mund ta quaj pak inteligjent për të pasur një lloj presioni për t’i ushtruar Ramës duke pasur parasysh që Rama po mundohet për ta lëvizur si kandidat të mundshëm të Bashkisë së Tiranës.

Rama po mundohet apo ju…

Në do kemi kandidatin tonë të opozitës. Rama po mundohet t’i krijojë mundësi të ndryshme. Unë nuk jam e autorizuar për të folur për kandidatët e Partisë Socialiste por po të uleni dhe të flisni nëpër tryezat e tyre do të shikoni se janë 2-3 kandidatë nga Partia Socialiste te cilët po përgatiten me stafet e tyre qoftë ministror, qoftë edhe jashtë ministror.

Në 10 minuta na ka dhënë shumë lajme deri tani. Nga do ja nisni ju nuk e di po unë një di dhe do ta jap menjëherë. Kur thatë që Z. Xhafa nuk ka pse mban për veprimet e vëllait, do të thoni që ai s’ka arsye pse të dorëhiqet?

Për çështjen e të vëllait unë nuk mendoj. Problemi është pastaj nëse për ligji i antimafias dhe për vettingun e policisë ne i kërkonim llogari policëve nëse kanë pirë ndonjë kafe apo kanë qenë pjesë e ndonjë tryeze në ndonjë dasmë me të inkriminiar dhe ai duhet të dorëzonte uniformën, ky është pastaj këndvështrim tjetër sesi ne do ta shikojmë. Unë sot jam këtu në emisionin dhe nuk e di çfarë bëjnë fëmijët e mi tani. Njëri është 18, tjetra është 20. Normal që unë do mbaj përgjegjësi morale, por përgjegjësi ligjore nuk mund të mbaj. Por nga ana tjetër është sa i vëllai i Z. Xhafa nuk ka përdorur institucionet e policisë së shtetit në funksion të veprimtarisë së tij. Këto pastaj janë gjëra për të cilat ne mund të diskutojmë gjithë ditën dhe gjithë natën këtu bashkërisht.

Duhet të fliste drejtësia apo hetime të pavarura?

Drejtësia, për hir të së vërtetës ka atë hijen e vet të dyshimit. Unë mendoj që ka mënyra të tjera nga më të ndryshmet për të argumentuar po themi pozicionimin e Z. Xhafa por nuk dua as ta mbroj dhe as ta sulmoj. Unë mendoj që problemi i situatës në të cilën gjendet sot politika shqiptare, policia e shtetit, prokuroria, reforma në drejtësi, e gjithë skema e qeverisjes së institucioneve shtetërore është Z. Rama, sepse është vetë ai individ.

Unë konstatova këtu se LSI nuk është në të njëjtën linjë me Partinë Demokratike. Ju thoni që ka përgjegjësi morale dhe jo penale për vëllain ndërkohë që PD mendon se është përgjegjës. Ndërkohë që mendoj gjithashtu se mungon një platformë përbashkët. Znj. Kryemadhi mund të përgjigjet për çështjen Xhafa, çështjen e lidershipit të opozitës së bashkuar dhe aksionin opozitar pas përgjigjes së negociatave.

Sa i përket çështjes së konstatimit për çështjen e z. Xhafaj unë mendoj se është shumë korrekte nga ana ime kur them që asnjëri nga ne nuk mban përgjegjësi për familjarët e tij në një vend demokratik. Janë burrë e grua në një krevat dhe nuk mbajnë përgjegjësi penale për veprimet e njëri-tjetrit. Por përgjegjësia është morale. Pyetja që unë ngre është: Nëse z. Xhafaj e ka lejuar vëllain e tij që të përdorë institucionet e Policisë së Shtetit, Interpolin, antidrogën etj në funksionin të biznesit të tij, z. Xhafaj jo vetëm do të mbajë përgjegjësi politike dhe morale por edhe ligjore.

  1. Basha thotë që ai i ka bërë të gjitha këto.

Unë jam 99% dakord me këtë por dua të jem ‘fair’ deri në fund. Për sa i përket asaj alternativës së kush do të jetë Kryeministri i radhës. Unë nuk mendoj se qëndron këtu problemi. Për ne nuk ka asnjë lloj problemi. E kemi shumë të qartë se kush do të jetë Kryeministri i radhës, si ne, si PD ashtu edhe partitë e tjera të koalicionit të opozitës. Nuk ka asnjë lloj problemi me këtë. Nuk qëndron problemi se kush do të jetë Kryeministër sepse shqiptarët sot nuk janë të gatshëm të dalin dhe të protestojnë se kush do të jetë Kryeministër. Sot shqiptarët duan të tregojnë alternativën dhe çfarë ne u ofrojmë atyre për sa i përket punësimit, ekonomisë dhe shumë gjërave të tjera të cilat sot janë rrënuar në krahasim me 4 vite më parë.

Mua më duket se opozita është me shumë koka në këto momente.

Kemi partitë kryesore, që njëra është e qendrës së majtë dhe tjetra është e qendrës së djathtë. Të mos harrojmë se të ulesh dhe të bësh një gjë të përbashkët është e vështirë. Mund të marrim se shembull taksat: çfarë do të bëjmë? Do t’i rrisim apo ulim? Taksë të sheshtë apo progresive? Unë nuk mendoj se ky është momenti për të diskutuar.

Po nëse kërkohet rrëzimi i qeverisë është koha për të diskutuar apo jo? Dakord u rrëzua Rama, por kush po vjen, çfarë plani ka?

Nëse do duhet të flasim një ditë për programin ekonomik ne jemi të gatshëm. Ashtu siç është programi ekonomik i LSI. Dhe për hir të së vërtetës PD ka pasur një program ekonomik të jashtëzakonshëm, të hartuar me partnerët e tyre ndërkombëtar, me një grup konsulence gjerman, që për hir të së vërtetës kemi shumë gjera të përbashkëta përsa i përket nivelit të taksave, zhvillimit ekonomik, krijimit të klimës së biznesit në Shqipëri, thithjen e investimit. Por të gjitha këto, kanë një mburojë e cila do të jetë shumë e rëndësishme pa një garanci dhe pa një siguri të zhvillimit të gjithë kësaj situate, do të jetë shumë më e vështirë. Por sot, nëse një investitor i huaj do të vijë dhe rrihet, i thyhen këmbët, sepse i merret prona, i rrëmbehet prona, çfarëdo që të bësh, apo çfarëdo që t’i të implementosh do ta kesh shumë të vështirë nëse nuk u ofron garanci dhe siguri e cila vjen nga rendi e cila është kryesore. Pastaj sa i përket alternativës po themi, sigurisht që është në hartimin e nje grupi pune i cili ka një alternativ. E para është reforma zgjedhore për të cilën jemi një grup pune që jemi duke punuar, po punon z. Bylykbashi me z. Luan Rama, po ashtu dhe me z. Mediu dhe ato të partive të tjera sepse do të hymë në një propozim i cili të mos harrojmë që për herë të parë po na vendoset përpara tryezave si kusht për hapjen e negociatave dhe reformën zgjedhore.

Vetëm mos e lini dy javët e fundit…

Kjo ka një problem. Janë etapa të cilat kanë vendosur një axhendë. Ne si LSI kemi qenë jashtëzakonisht të hapur. Sepse për ne është shumë e rëndësishme mund të bëjmë votim elektroni, votim kimik, si të duam. Ne kemi anëtarët tanë të komisionit, kemi dhe specialistët që marrin pjesë në grupet e punës. Kështu që, transparenca, se burrë e grua flenë në një krevat dhe nuk e dinë se sa transparent janë me njëri-tjetrin, jo më partitë politike që në fund të fundit luajnë për interesat e tyre. Megjithatë unë mendoj që sa më i ndershëm dhe sa më transparent të jetë debati, aq më e kollajshme dhe sa më proces zgjedhor i thjeshtë të bëhet, aq më i kollajshëm dhe i përfunduar në konsensus të plotë do jetë reforma zgjedhore.

Thatë që reforma zgjedhore është vënë kusht për negociatat?

E tha eurodeputeti gjerman. Gjermania do ta vendosë si kusht reformën zgjedhore dhe përveç reformës zgjedhore dhe rishikimin e emërimeve që janë bërë në drejtësi nga tetori e këtej.

Në datën 16 merret vesh vendimi. Kur është koha për tu bërë kjo reformë?

Për zgjedhjet lokale, do të jetë shumë e vështirë për të implementuar reformën zgjedhore sidomos votimin elektronik.

 Nuk ka opozitë në Shqipëri. Ka Parti Demokratike dhe ndonjë parti që është bashkuar me të. Opozita është gjë e madhe. Nuk ka opozitë në Shqipëri. Këto parti ende nuk janë kthyer në zëdhënëse të qytetarëve, të njerëzve të pakënaqur. Nuk kanë ndryshuar, nuk kanë reflektuar nga gabimet…

Doja të shtoja diçka përsa i përket çështjes se në Parlament flasin dy-tre vetë. Le të mos harrojmë, z. Krasniqi, që nga 78 deputetë që ka mazhoranca sot, vetëm Edi Rama flet në Parlament. 77 të tjerët as nuk i dëgjojmë fare dhe as nuk e argumenton dot nëse janë prezent apo jo. Nëse Partia Socialiste ka 74 mandate dhe nga ato 74 mandate flet vetëm një, unë jam shumë e lumtur që nga 19 mandate të LSI-së të flasin 6 deputetë. Në përqindje dhe në raport unë jam shumë më lart edhe se Partia Socialiste, edhe se Partia Demokratike. Meqenëse merreni me statistika po jua them këtë qartë. Pra, në përqindje dhe pjesëmarrje, deputetët e LSI-së janë shumë më aktivë në Parlament edhe se Partia Socialiste, të cilët janë mazhorancë dhe jo vetëm kanë shumë gjëra për të folur, por kanë edhe shumë argumentime të tjera le të themi ose prezencë të tyren edhe në raport me ministrat e qeverisë.