Monika Kryemadhi uron të birin/ “Paç gjithmonë dashuri në zemrën tënde dhe dhuroje pa fund sepse ajo gjithmonë do kthehet te ty”

2708
Djali i vetëm i Presidentit të Ri, Ilir Meta dhe deputetes së Kuvendit, Monika Kryemadhi ka sot ditëlindjen dhe pikërisht në këtë ditë të veçantë për të, ai sot ka marrë një urim nga më të veçantët, urimin e nënës së tij. Me anë të një postimi në facebook, deputetja Kryemadhi uron djalin e saj për një jetë sa më të lumtur dhe të shëndetshme. “Suksese në provime. Paç gjithmonë dashuri në zemrën tënde dhe dhuroje pa fund sepse ajo gjithmonë do kthehet te ty. Të dua shumë”, mbyll urimin e saj, Kryemadhi.

Statusi i Plotë:
“Besar, ti sot je 17 vjeç dhe ndoshta do më kritikosh pak për këtë urim kaq publik. Por e mbushur me emocione siç ndjehem sot, ti do të mirëkuptosh, ashtu si dhe motra jote Bora bëri 17 vite më parë duke mos u ndjerë xheloze për ardhjen tënde në jetë. Edhe pse ishte shumë e vogël ajo të deshi dhe të do shumë, pa u merakosur që fëmijë, se ndoshta lindja e djalit të familjes do t’i merrte vëmendjen e vajzës së parë. Nuk po të shkruaj shumë për Erën, sepse ti e di që ajo nuk do avokat për kauzat dhe dëshirat e saj. Sepse të dy motrat e tua në fakt të duan pa kushte jo vetëm si vëllain e vetëm, por edhe sepse ti di ti duash si askush tjetër në familjen tonë, ashtu sikundër i do dhe je i pazëvendësueshëm edhe për gjyshërit e tu, miqtë, shokët apo dhe mësuesit.

Por sot, teksa të shkruaj këtë urim, ndihem pak në faj që unë nuk i kam shijuar në maksimum të gjitha këto cilësi të tuat. Kjo jo vetëm sepse unë kam qënë gjithmonë e angazhuar me punë, por ndoshta edhe sepse ti me natyrën tënde ke qënë një ndihmë për ne duke na qendruar pranë, edhe kur kemi qenë larg fizikisht. Do ketë nga ata që mund të pyesin pse kaq publik ky urim për Besarin. Por unë kam vetëm një shpjegim të thjeshtë. Sot, ndihem një nënë si gjithë të tjerat, si ato që postojnë foto dhe marrin urime për ditëlindjet e fëmijëve të tyre në rrjetet sociale, që i’u mbushet shpirti me gëzim kur lexojnë fjalët më të bukura për krijesat që kanë sjellë në jetë.

Edhe unë sot jam një si mijëra nënat në Shqipëri, që ngjajnë me njëra-tjetrën si dy pika uji kur bëhet fjalë për dashurinë pa kushte për fëmijët e tyre. Prandaj, të uroj të jesh gjithmonë i shëndetshëm dhe ky që je sot, Besari që ne njohim dhe duam. Suksese në provime! Paç gjithmonë dashuri në zemrën tënde dhe dhuroje pa fund sepse ajo gjithmonë do kthehet te ty. Të dua shumë. Plaka jote ( ashtu siç të pëlqen ty të më thuash ndonjëherë )”.
Sigal