Monika Kryemadhi thirrje qeverisë: Veproni me shpejtësi, koha nuk pret

617
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka reaguar për situatën dramatike të krijuar nga përmbytjet masive të ditëve të fundit. Kryemadhi thekson se është pranë të gjitha familjeve, që po përballen me një vështirësi të jashtëzakonshme, të diktuar nga kjo fatkeqësi natyrore e rëndë.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, kryetarja e LSI shpreh solidaritet me të gjithë personat e prekur nga kjo fatkeqësi e dimensioneve të gjera, teksa i bën thirrje qeverisë të mos humbasë më kohë, por të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme.
“Jemi pranë të gjitha familjeve, të cilat po përballen me një vështirësi të jashtëzakonshme, të diktuar nga kjo fatkeqësi natyrore e rëndë. Solidaritet me të gjithe të prekurit anë e mbanë vendit nga kjo fatkeqësi e dimensioneve shumë të gjera.
Qeveria shqiptare duhet të mos humbasë më kohë, por në respekt të ligjit të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, të mobilizojë fonde financiare, ndihma ushqimore, logjistikën e duhur që situata të kalohet me sa më pak dhimbje për mijëra qytetarët e prekur. Koha nuk pret! Çdo hezitim mund të sjellë pasoja të pakthyeshme në shëndetin e njerëzve, në banesat e tyre, në mijëra biznese që dëmtohen, prandaj duhet vepruar me shpejtësi!”, shkruan Kryemadhi.
Sigal