Monika Kryemadhi mbledh strukturat e LSI-së në Vlorë për protestën e 27 janarit

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka mbledhur strukturat e LSI-së në Vlorë ditën e sotme.

Duket se ky takim vjen në kuadër të organizimit dhe mobilizimit të qytetarëve për një pjesëmarrje sa më massive në protestën e thirrur nga opozita që do të mbahet mesditën e 27 janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Gjatë fjalës së saj, kryetarja e LSI ka treguar disa detaje nga protesta e djeshme e banorëve të Torovicës, teksa pritej të fillonte mbledhja e qeverisë në qytetin e Lezhës. Sipas Kryemadhit, kryeministri Rama “i çoi në polici protestuesit e Torovicës, që të mos i prishej dekori i aktivitetit”.

“Pasi detyroi Visho Ajazin të jepte dorëheqjen, zgjodhi i vetëm Kryeprokurin, tani kërkon të marrë në dorë të gjitha institucionet e drejtësisë. Gjithë ky imponim ndaj qytetarëve shqiptarë do t’i kthehet në protestë. Deri më datën 5 qershor Rama i lutej LSI për të qenë pjesë e koalicionit të tij në zgjedhjet e 25 qershorit. E bëmë këtë pasi nuk donim të ishim pjesë e farsës së tij. Ju vetë e keni parë mënyrën sesi funksionon ky shtet. Situata ekonomike në vend është në një gjendje të tmerrshme. Doli dje në Lezhë, i mori e i çoi në polici qytetarët e Torovicës që po protestonin, që mos t’i prishej dekori”, u shpreh kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.