Sigal

Fjala e kryetares së LSI, Monika Kryemadhi në takimin me strukturat e LSI Lezhë

Është një emocion i veçantë të vish në Lezhë, aq më tepër me strukturat e partisë, sepse e kam thënë dhe e them gjithmonë që fushatat e mia më të bukura i përkasin kandidimit tim në Qarkun e Lezhës. Jo vetëm për shkak të ritmit, për shkak të entuziazmit, por edhe për shkak të bashkëpunimit që kanë pasur strukturat e Lezhës, Mirditës dhe të Laçit.

Edhe pse ka qenë një nga fushatat më të egra të asaj kohe, prapë egërsia e saj kishte brenda bukurinë dhe emocionin e saj. Akoma më shumë emocionet shtohen dhe krenare ndihem që edhe mandati i 2017-s ishte një mandat, i cili u rimor, u rimor me më shumë vota seç ishin marrë në 2013-n dhe kjo erdhi për shkak të angazhimit jo vetëm të gjithë anëtarëve të LSI-së dhe strukturave të saj që i rezistuan intimidimit, presionit, dhunës, joshjes, por edhe për shkak të atyre strukturave në Mirditë, që jo vetëm e ruajtën rezultatin, por e rritën, por edhe në Lezhë që gjithashtu e rritën rezultatin dhe strukturat e Laçit ku dua të falënderoj edhe Eldën për angazhimin e saj, që vinte për herë të parë në politikë dhe nuk ishte njohur me situatën e tmerrshme të politikës, gjë që e përballoi dhe dha një rezultat të jashtëzakonshëm.

Kjo nuk do të thotë që puna jonë mbaron këtu. Nuk po merrem pastaj me grupin e intelektualëve të Mirditës, që kanë qenë të jashtëzakonshëm., me në krye Dr. Gjovalin Bushin, që për hir të së vërtetës ka qenë një nga grupet më të mira, të cilat e zhvilluan fushatën pa asnjë shqetësim dhe u përballën me çdo vështirësi me atë inteligjencën dhe zgjuarsinë mirditore.

Sigurisht që Lezha pastaj kishte gjithë meritën e saj, me në krye Viktorin, me Petritin, me Lekë Gegën që s’mund të lësh pa e përmendur, me Tanin, me Endrin, me gjithë gratë e jashtëzakonshme që gjej rastin për t‘i përshëndetur, sepse në një vend kaq të vështirë si Lezha, angazhimi i grave dhe i vajzave është shumë më i vështirë se në çdo qytet tjetër.

Tashmë unë dua të hyj më shumë në situatën në të cilën gjendemi për të qenë të qartë edhe me strukturat e partisë, sepse angazhimi dhe lëvizja e strukturave të partisë sonë nuk janë më siç kanë qenë më përpara, por jemi në një pozicionim komplet tjetër. Kemi më shumë se 1 vit që jemi në opozitë, kemi më shumë se 1 vit që përballemi me presione, me dhunën, me ushtrimin dhe dhunimin e strukturave të shtetit ndaj bizneseve, sidomos ndaj atyre që e thonë hapur që jemi me LSI-në, apo që përballen me presionin e bandave apo të krimit në rrugët e qyteteve.

Ashtu sikurse kemi një situatë tjetër, ku pas 1 viti, kur LSI kaloi momentet e saj më të vështira, më problematiket që vinin pas 8 viteve në pushtet. E përmendi pak Petriti, por unë do ta sinkronizoj, ku kemi një situatë që në tetë vite pushtet të LSI-së, njerëz të cilët e përdorën pushtetin dhe karrigen e LSI-së dhe në fund ikën dhe e bënë hasha. Nuk ka asnjë problem. Ky ishte një katarsis që ne e kishim të nevojshëm. Ky ishte një katarsis që me thënë të drejtën kjo ishte dhe një nga arsyet që vetë ne si LSI morëm një vendim që ndoshta mund të ishte pak i vështirë për të dalë në opozitë për shumë njerëz, sepse po të shikojmë përballjen që kemi sot me njerëzit e shtetit apo me bandën e Edi Ramës, e kanë shumë të vështirë, por nga ana tjetër ne kemi një pastrim apo një vetëpastrim nga ai kontingjent njerëzish, të cilët e kanë përdorur siglën e LSI-së për përfitime të tyre personale duke i dhënë një barrë me thes me kocka në krah LSI-së.

Kjo ishte diçka që ne e kishim të domosdoshme. Është si puna e atij këshilltarit që është arrestuar para ca ditësh në Shkodër që iku nga LSI për shkak të ndikimit rus. Dhe ky i ndikimit rus sot është në burg, sepse ishte një gjobaxhi që u vendoste gjoba qytetarëve të Shkodrës dhe që doli që ishte po ashtu i përfshirë në grupe të tjera, të cilat dashje pa dashje disa nga frika, disa nga joshja, disa nga pamundësitë e tyre ishin kthyer në viktima të këtij grupi që drejton sot.

Ditën e hënë opozita e bashkuar paraqiti në platformë që ishte çlirimi i ekonomisë nga oligarkia, pra çlirimin e ekonomisë nga krimi. Ju besoj i dini dhe i keni parë milionat e eurove që Edi Rama i ka dhënë me koncesion, por mjafton vetëm të përmbledhim shifrën, 2.2 miliard euro, të cilat Edi Rama i ka dhënë në duart e 7 personave. Këto janë para që nuk është se po i nxjerr Edi Rama as nga xhepi i tij, nuk po ja merr as investitorëve të huaj, por janë para të cilat jua merr qytetarëve të thjeshtë, pra janë para që vijnë nga buxheti i shtetit. Ky buxhet mbushet me faturat që ne paguajmë energjinë elektrike, ujin e pijshëm, çerdhet dhe kopshtet e fëmijëve tanë, paguajmë taksën e rrugës, karburantin, ilaçet, pra çdo gjë që ne blejmë sot në dyqanet tona ka një faturë TVSH-je, e cila ka mbi vlerë 20 për qind. Ata që janë biznes i vogël e dinë shumë mirë se çdo të thotë ai 20 për qindëshi, ku vetëm për një vit janë mbyllur mbi 13 mijë biznese, pra 13 mijë familje që janë në mes të rrugës. Dhe të gjitha këto para janë ato para që ai po jua shpërndan shtatë klientëve të tij kryesor.

Më pas vijmë tek vettingu në politikë. Kemi tre javë që kemi paraqitur vettingun në politikë. Ju bëri vetting gjyqtarëve. Ka tre vjet që bërtet: vettingu, vettingu. Ju bëri vetting prokurorëve, policëve dhe nuk pranon t’i bëjë vetting vetes së tij. Të gjithë e mbani mend deklarimin e pasurisë së Edi Ramës, kur thoshte që ka vetëm 3 mijë euro. Dhe besoj të gjithë e keni parë sarajin e tij të madh që ka një pallat të jashtëzakonshëm në Surrel, që nuk kushton 3 mijë euro, sepse vetëm një ulli që ka mbjellë në oborrin e tij mund t’i kushtojë kaq. Hajde ja paskan bërë dhuratë, por gjithë shtëpinë nuk ja kanë bërë dhuratë, se s’mund ta themi këtë gjë, pasi të gjithë kemi bërë shtëpia. Pavarësisht nga kjo dua të them që ky njeri i cili me flamurin e propagandës dhe të përdhosjes së njerëzve, kundërshtarëve të tij do të ndërtojë një parajsë kriminale të tijën, të cilën dashje pa dashje e ka kthyer në funksion të 12 grupeve kriminale që i drejton vetë. Ky njeri iu dorëzua grupeve kriminale pa kushte për shkak të mallit që merr në shkëmbim, për shkak të influencës dhe blerjes së votës që bëri në 2017-n, për shkak të angazhimeve dhe etjes së tij për pushtet.

Nesër Këshilli Bashkiak i Tiranës kalon në hedhjen me koncesion pjesë publike ose troje publike të qytetit të Tiranës për të bërë stacionin e autobusëve apo për t’u dhënë pronarëve të mediave institucione të cilat janë pronë e Bashkisë së Tiranës, pra pronë e qytetarëve. Pra, pasi mbaroi me pronat e shqiptarëve, tashmë kanë filluar me pronat e Bashkisë. Mos u çudisni që nesër edhe këtë Pallatin e Kulturës ku jemi ne sot, ta japë me koncesion për të ndërtuar ndonjë kullë, ose për ta kthyer në ndonjë laborator siç ka bërë t’i kthejë të gjitha institucionet dhe pronat publike të shtetit shqiptar.

Besoj se e keni dëgjuar por sot ka ndodhur nja skandal tjetër i radhës. Një ish-oficer i Policisë Gjyqësore ka denoncuar se si ditën për diell, në mes të Komisariatit të Policisë në Fushë Krujë, i është vendosur pistoleta në kokë për të mos pranuar kallëzimin e një vajze të re, jetime, cila ishte dhunuar, rrëmbyer dhe përdhunuar nga djali i një deputeti. Kjo është shumë e rëndë. Mezi po pres të shoh këto shoqatat në mbrojtje të grave, të cilat bëjnë projekte pa fund dhe kanë marrë në zyrat e Komisionit Evropian apo të ambasadave të huaja, mezi po pres të shoh ato personazhe publike që flasin nëpër televizione për dhunën ndaj grave, mezi po pres të shoh deklaratat e tyre në përkrahje të kësaj vajze, e cila është jetime, e ka të pamundur mbrojtjen e saj nga familjarët, që ka qenë viktime e dhunës apo edhe e epsheve të një djali socialisti më të përkëdhelur seç duhet. Dhe më e tmerrshmja është që pistoleta në kokë i vihet në prezencë të kryetarit të bashkisë dhe të një kolegut tonë deputet. Kjo nuk ka ku të rrijë më. Ky vend është kthyer në një bandë. Dhe njerëzit do të fillojnë të bëjnë vetëgjygjësi. Sot e bënë me një vajzë e cila nuk ka të atin, por nesër ato do të fillojnë ta bëjnë me fëmijët tanë.

Shikojmë shkollat dhe gjimnazet e Tiranës janë të mbushura me cigare hashashi që të rinjtë shqiptarë e kanë kthyer në normalitet. Shikojmë se si përdorimi i drogave të forta është kthyer në një normalitet në bukën e përditshme që ata hanë. Shikojmë një rini që degradohet dhe një familje që vjen duke u shkatërruar çdo ditë e më shumë. Mund të duket si moderne të përdorësh apo pish një cigare hashash në kohën e sotme, sepse kemi kryeministrin përdorues. Mund të duket moderne të flasësh për drogën sepse vetë situata në të cilën e ka shteruar dhe shtjelluar kryeministri, është bërë pjesë normale e jetës së shqiptarëve. Por, nga ana tjetër do të shohim që shqiptarët sot janë më të varfër, që janë çdo ditë e më shumë me mendjen për të ikur dhe për të mos u kthyer më.

Dëgjojmë edhe propozime të tjera të tmerrshme që thonë: Le të ikin shqiptarët se ne do të marrim të tjerë që do të vijnë nga Siria, nga Pakistani apo nga vendet e tjera të Azisë së largët. Sepse është shumë e thjeshtë ti marrësh emigrantët këtu sepse nuk votojnë. Duke larguar njerëzit që votojnë, duke larguar trurin e këtij vendi, normal që do ta ketë shumë të thjeshtë që ky njeri të menaxhojë situatën.

Në ditën e saj më të mirë administrata publike nuk ka pasur më shumë se 85 mijë punonjës, sot ka 160 mijë punonjës. Dhe nuk jep llogari askund se ku i gjen paratë me të cilat i paguan. Është shumë e thjeshtë sepse i merr nga buxheti i shtetit. 70 milion euro i kushton buxhetit të shtetit paratë me të cilat Edi Rama sot paguan jeniçerët e tij të Facebook apo të rrjeteve sociale, apo gazetarët, apo pronarët e medieve me paratë po të taksapaguesve shqiptarë.

Thashë pak më parë 2.2 miliardë euro. A e dini ju që me 2.2 miliardë euro Shqipëria rregullon përfundimisht çështjen e spitaleve, shkollave, kopshteve dhe të rrugëve për të qenë pothuajse njëlloj e barabartë si me vendet më të zhvilluara evropiane. Aq është gropa e zezë e spitaleve shqiptare, të cilën ky e ka dhënë me koncesion. Aq është gropa e zezë e shkollave ku sot kemi klasa me 60-70 nxënës, apo edhe shkolla që mbyllen për shkak të mungesës së infrastrukturës. Aq është gropa e zezë edhe e rrugëve që Edi Rama e di shumë mirë sepse e ka menaxhuar në perfeksion edhe në vitet që ky institucion drejtohej nga LSI-a.

Ne kemi qenë në Vlorë, në Elbasan, sot jemi në Lezhë dhe ne do të fillojmë lëvizjen në të gjithë Shqipërinë sepse më pas do ta kalojmë në takime dhe bashkëbisedime me qytetarët. LSI ka hyrë në rrugën e saj për të mos u kthyer më mbrapa. Nuk ka më bashkëpunim me Edi Ramën dhe bandën e tij, sepse çdolloj bashkëpunimi me bandën e tij është kronikë e zezë e shkruar për të ardhmen e shqiptarëve. Është lajmërimi i vdekjes së të rinjve shqiptarë nëse bashkëpunimi i opozitës shqiptare do të jetë me Edi Ramën. I vetmi bashkëpunim i yni do të jetë me qytetarët. Që këtej e tutje të gjitha strukturat e LSI-së në të gjithë Shqipërinë, jo vetëm që do të bëjnë evidentimin e anëtarësisë së saj. Jo vetëm që do të bëjnë evidentimin e gjithë grupeve të punës për çdo komunë dhe çdo qendër votimi, por nga ana tjetër do të zgjerohemi edhe më tej duke u rakorduar me të gjitha strukturat e partive opozitare, Partinë Demokratike, PDIU-në, Partinë Republikane, atë Demokristiane dhe të gjitha strukturat e tjera, në mënyrë që të përgatisim jo vetëm atë pozicionim përsa i takon opozitës shqiptare, por për të përgatitur edhe strukturat tona për t’u bërë gati për zgjedhjet e ardhshme.

Sot ne jemi mazhorancë numerike. Edi Rama nuk i ka fituar zgjedhjet e 2017! Po të shikojmë, Edi Rama ka marrë 48% të votave të shqiptarëve dhe 48% nuk do të thotë që ka fituar e ka marrë të drejtën për të qeverisur.

Me gjithë manipulimet, me gjithë dhunën, me gjithë paratë e drogës që ai hodhi, ai nuk arriti dot ti blinte mbi 50% te shqiptarëve. Sot ne jemi në mazhorancë numerike, bashkë me PDIU dhe partitë e tjera, jo vetëm në numra votash, por edhe në mazhorancë morale, sepse Edi Rama sot është vetëm. Edi Ramës sot nuk i ka ngelur njeri që të dali, ta mbrojë dhe ta përkrahi. Edi Rama sot nuk ka një nga ministrat e tij që të dali dhe të flasë.

Ku e ka Damian Gjiknurin? Të dali dhe të flasi Damian Gjiknuri se ai po ecën ekonomia shqiptare, por s’mund të dali Damian Gjiknuri se do ti përplasen surratit provat se si ai ka lëvizur dhe ka transportuar paratë e tij te familjarët në vendet e tjera, paratë e shqiptarëve, paratë e ekonomisë shqiptare.

Le të dali Arben Ahmetaj, por të dali nëpërmjet statuseve në Twitter ose në conference call, sepse nuk kanë fuqi të dalin dhe të takojnë njerëzit dhe të thonë se ç’është bërë me ekonominë shqiptare dhe ç’është bërë me taksat e shqiptarëve, sepse jo vetëm taksat e shqiptarëve janë rritur në stratosferë, por edhe buxheti i mbushur me taksat e shqiptarëve është zvogëluar me 9% apo me 10%.

Le të nxjerri Lindita Nikollën, ministren e Arsimit, çfarë mund të thotë që shkollat shqiptare janë kthyer në vendet e nargjilesë së drogës? Që shkollat shqiptare nuk janë më vendet ku fëmijët dhe nxënësit mund të mësojnë, por janë kthyer në qendra të shpërndarjes së drogës, hashashit dhe kokainës?

Le të dali ministrja e Shëndetësisë që të flasë për shëndetësinë falas, të cilën ne e trumbetuam se ishim dhe ne pjesë e kësaj, pavarësisht se ne nuk e pranuam dhe nuk u bëme pjesë e kësaj pakete, por nuk e pranuam dhe PS vendosi vetë. Ku është shëndetësia falas? Me mjekë të cilët nuk paguhen, me mjekë të cilët shantazhohen, me mjekë të cilët çdo ditë e më shumë po ikin nga Shqipëria për të punuar në vendet e BE-së, apo me ato struktura shtetërore, të cilat i shikojnë pacientët nga duar dhe nga xhepat për t’u marrë para. Ku e ka shëndetësinë falas? Me ilaçet që iu janë rritur çmimet? Me ilaçet që nuk iu jepen qytetarëve? Apo me mjekët të cilët i kërcënon që nëse nuk bën numrin e caktuar të check up-it për të justifikuar faturat e Vilma Nushit, ju mbahet gjobë nga rroga e tyre 500 mijë lekëshe.

Foli për vettingun dhe reformën në drejtësi. Për cilën Reformë në Drejtësi? Për Reformën në Drejtësi të kapur nga Edi Rama për të nxjerrë të pafajshëm Saimir Tahirin, Emiljano Shullazin dhe të gjithë bandat e tjera që sot i arrestojnë dhe do ti lirojnë pas një muaji? Kjo është Reforma në Drejtësi që shkatërruan Prokurorinë e Krimeve të Rënda me një qëllim, për të djegur dosjet e CEZ, të Damian Gjiknurit se si iu fali kompanisë çeke 600 milion euro nëpërmjet transaksionit të kompanisë çifute nëpërmjet vëllait të Edi Ramës? Se si mbyllën çështjen e koncesionit të shëndetësisë të Ilir Beqes me 360 milion euro?

Prandaj u shkri Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe sot dëgjojmë deklarata qesharake që iu behet thirrje prokurorëve që të bëhen anëtarë të KLP apo për të qenë anëtarë të strukturave të tjera të Reformës në Drejtësi.

Ajo ç’ka dua të them është që po të bëjmë një panoramë të situatës, është një situatë me të vërtetë shumë e rëndë, është një situatë tragjike, të gjithë ndihen të kërcënuar, por më shumë nga të gjithë ndihen familjarët. Sepse ndihen të kërcënuar ndihen familjarët për fëmijët e tyre, por më shumë të kërcënuar ndihen po përsëri të rinjtë sepse nuk janë asnjë shpresë dhe asnjë të ardhme dhe ndihet e kërcënuar e gjithë shoqëria shqiptare.

Ajo ç’ka dua të them është që ne kemi vetëm një rrugë, për të dalë nga kjo: rruga është që të zgjohemi dhe të tregojmë se kush jemi!

Edi Rama nuk është një trim i madh, Edi Rama është një frikacak shumë i madh dhe ne e njohim shumë mirë, sepse ai mendon për frikën e tij, zgjohet me makthet e tij, biles nuk arrin të flejë dot fare për shkak të gjithë mëkateve që ka kryer në jetë dhe një ditë e dimë që do të shlyhen. Por mbi të gjitha mendon se si të largohet nga Shqipëria pa kthyer mbrapsht borxhin që i ka shqiptarëve, borxhe të cilat do t’i lajë një për një. Do lajë borxhet e qindra mijëra shqiptarëve që ikën nga Shqipëria, do lajë borxhet e atyre djemve dhe vajzave që jo vetëm janë trafikuar por edhe janë dhunuar e vrarë nga bandat dhe krimi i organizuar. Do lajë borxhet e mësuesve, mjekëve, të gjithë atyre bizneseve të vogla të cilat u mbylli. Do lajë borxhet e gjithë shoqërisë shqiptare që sot më shumë se kurrë nuk ka qenë në këtë gjendje as në vitet e saj më të vështira.

Vetëm një organizim total, jo vetëm i strukturave, por edhe me qytetarët për të dalë dhe biseduar me ta, për të komunikuar me ta, për t’u thënë të vërtetën në sy, për të mos pasur frikë, për të pasur një solidaritet me njëri – tjetrin. Vetëm kështu mund t’i bëhet ballë. Unë jam e bindur që shumë shpejt do të jemi këtu në takim me ju, sepse qëndrimi i LSI-së nuk do të jetë më një qëndrim i dëshirës së Monikës, i Luanit, i Petritit apo i grupit të deputetëve në marrëdhënie me këtë mazhorancë të inkriminuar. Do të jetë bashkëbisedimi që ne do të bëjmë me qytetarët.

Prandaj, nga sot unë ju bëj thirrje të gjithë ju drejtuesve të LSI-së që drejtoni dhe drejtoni dhe keni drejtuar strukturat në fushatën e fundit zgjedhore, paralelisht me evidentimin e problematikave brenda partisë, të kontaktojmë me qytetarët dhe të shkojmë drejt bashkëbisedimit të hapur me ta për hapat e mëtejshëm që do të ndjekim. Tashmë nuk ka më kthim mbrapa dhe Edi Rama e di shumë mirë këtë. Po ta shihni ka katër javë që ndihet i shfazuar, sepse ndihet i pasigurt sepse ndihet vetëm. Vetmia është ajo që e vret atë më shumë. E vret vetmia më shumë se sa e vrasin fjalët tona, më shumë sesa sharjet që i bëjnë qytetarët në Facebook. Por atë që do ta vrasë jo Edi Ramën si individ, fenomenin Edi Rama, fenomenin e kapjes së pushtetit, fenomenin e elementit kriminal që kap strukturat e shtetit do ta vrasë revolta popullore, kjo revoltë që do t’i sjellë çlirimin përfundimtar jo vetëm të jetës politike nga bandat dhe krimi i organizuar, por edhe çlirimin përfundimtar edhe të ekonomisë shqiptare, e cila është uzurpuar në duart e 4-5 bizneseve të cilat tashmë janë kthyer në argat të kryeministrit që është peng i krimit të organizuar për të pastruar paratë e tyre, paratë e drogës.

Më qartë s’ka ku të flasin. Ka folur Këshilli i Ministrave të BE-së, ku bëri të qartë në raportin e saj për ish-ministrin e brendshëm dhe ministrin e Brendshëm të lidhur me trafikun e drogës. Nuk mund të hapen negociatat dhe as kanë për tu hapur deri sa të shohim në ditën për diell sesi strukturat e shtetit shqiptar janë strukturat e krimit të organizuar, dhe jo strukturat e qytetarëve shqiptarë që paguhen me taksat e shtetit. Ka folur qartë DASH me raportin e tij që thotë që Shqipëria është kthyer në një lavatriçe të pastrimit të parave të krimit. Kanë folur qartë të gjitha kancelaritë evropiane. Nuk kemi më nevojë as për furçat e ndonjë ambasadori apo ndërkombëtari, i cili paguhet me projektet e parave të drogës, por ne kemi nevojë për lirinë e fëmijëve tanë, të cilët duan të jetojnë në Shqipëri.

Dua t’ju falënderoj shumë dhe duke ngritur grupin e punës, që është shumë i rëndësishëm përsa i përket vazhdimësisë dhe duke pasur parasysh që eksperienca e Petritit, e doktorit edhe e Viktorit do të na ndihmojnë që ti japim edhe një frymë strukturave të partisë në Laç, të cilat e kanë të domosdoshme sepse janë marrë 3500 vota në Laç. Nuk janë pak, janë goxha, duhet ti mbajmë dhe duhet të krijojmë edhe një ekip shumë të mirë për tu përgatitur për të pasur një strukturë drejtuese që është e nevojshme. Terreni është më vështirë ndoshta se në Laç dhe në Mirditë, por jam e bindur që shumë shpejt edhe aty do të kemi një strukturë shumë të fortë. Ju falënderoj të gjithëve. Ju jam shumë mirënjohëse dhe borxhlie, sepse respektin dhe nderin që ma kanë bërë strukturat e partisë në Qarkun e Lezhës ka qenë i jashtëzakonshëm, sepse përveçse me kanë respektuar, më kanë rritur edhe besimin në vetvete që po të jesh e lidhur me njerëzit, po ti mbash ata fort dhe po të jesh pjesë e tyre, je i arritur në ato që do të arrish. Zoti ju ruajttë, ju dhe familjet tuaja. E di që kemi një punë të vështirë, por jam e bindur që do të jetë afatgjatë, sepse pastrimi i këtij sistemi të inkriminuar do të jetë fitore për fëmijët tanë. Sepse prindërit jetojnë dhe punojnë për fëmijët e tyre deri në ditën që vdesin. Kaq detyrim ndaj fëmijëve tanë e kemi, por edhe fëmijët e gjithë shqiptarëve, të cilët kanë qenë populli më jetëgjatë në Ballkan, por më i vuajturi edhe për shkak t kësaj klase politike. Prandaj vettingu në politikë është i domosdoshëm për ti dhënë shqiptarëve një klasë politike pa lidhje me krimin, pa lidhje me të kaluarën, pa lidhje me masakrën e madhe që u bëhet këtij populli në këto vite. Ju uroj gjithë të mirat.