Monika Kryemadhi takim me gratë e LGI: Më 25 Maj të gjithë në protestën paqësore dhe qëndrestare

70

 

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim me strukturën e Lëvizjes së Gruas për Integrim të Tiranës. Kryemadhi tha se gratë shqiptare janë ato që do të bëjnë ndryshimin. Kryemadhi foli për protestën e madhe të 25 Majit, të cilën e quajti protestën më paqësore dhe më qëndrestare të qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. “Pjesa më e madhe e komisionerëve të LSI-së do të jenë gra, sepse gratë as nuk shiten dhe as nuk blihen.

Gratë e LSI-së kanë qenë ato që kanë luftuar dhe janë përballur trup më trup, frymë më frymë, çdo kërcënim dhe çdo luftë. Gratë e LSI-së janë elementi më luftarak që ka LSI-ja, ashtu sikurse gratë e LSI-së janë dhe motivimi, sepse nuk mund të guxojë më njeri ti preki gratë dhe vajzat tona edhe me ligj, edhe me kanun. Sepse aty ku Edi Rama nuk e pranon ligjin dhe aty ku njerëzit e tij nuk e pranojnë ligjin, mos të çuditet kur shqiptarët të përdorin kanunin. Aty ku Edi Rama nuk njeh vlerën dhe moralin, mos të çuditet kur shqiptarët t’i tregojnë moralin dhe vlerat e shqiptarëve. Dhe sa më shumë e zgjat agoninë e tij, aq më shumë revoltohen njerëzit.

Sa më shumë do të zgjasë vuajtjet e shqiptarëve aq më shumë shqiptarët do ta ndëshkojnë atë. Prandaj çdo ditë që ikën është dhimbje për të, çdo ditë që ikën më shumë se dhimbje për Edi Ramën është dhimbje për shqiptarët. Prandaj edhe ne si nëna, siç kujdesemi çdo ditë për fëmijët tanë, edhe ne do të punojmë çdo ditë e më shumë pa u ndalur asnjë sekondë, jo vetëm për të sensibilizuar njerëzit, por për të dalë më 25 maj në shesh, të gjitha bashkë, siç jemi me motrat tona, me komshiet tona, me shoqet tona, të gjitha siç jemi për të qenë sa më shumë gra dhe vajza në shesh për t’i dhënë asaj proteste paqësore dhe qëndrestare të qytetarëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë fytyrën e nënës, fytyrën e gruas, atë fytyrë për të cilën vërtet ka nevojë”, tha Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.