Monika Kryemadhi: Sot në fakt kemi një Reformë në Drejtësi të kapur, e cila është kthyer në një grusht shteti

463
Sigal

Fjala e plotë e Kryetares së LSI, Monika Kryemadhi, në takimin me strukturat e Njësisë 1 në Tiranë

Kur ju thashë pse e keni lënë kaq vonë, më thanë që janë në shkollë sepse janë me dy turne dhe pjesa më e madhe e pjesëmarrësve janë gjimnazistë dhe kjo për hir të së vërtetës është një lajm shumë i mirë për LSI-në, jo për LRI-në sepse po te kesh gjimnazistët rreth e qark vetes, jo vetëm që ke zhurmën, por ke forcën, ke shpresën, ke emocionin, ke dashurinë brenda gjë të cilën ne duke ardhur dhe duke u plakur na pakësohen këto, ndërsa duke ju ndenjur ju afër këto shtohen, kështu që unë ju falënderoj të gjithëve që jeni sot këtu me ne. Në fakt për media do duhet të thosha fjalë të tjera për situatën në të cilën gjendet Shqipëria, por t’ju flasësh ju sot për problematikat e klasës politike, për problematikat e situatës politike në Shqipëri është gjynah, është gjynah sepse secili nga ju ka ëndrra, ka dëshira, pjesa më e madhe e juaja janë gjimnazistë të cilët përgatiten, disa prej jush bëhen gati vitin tjetër për të kaluar në një stad tjetër të universitetit, disa të tjerë sapo kanë mbaruar gjimnazin dhe për arsye, disa të mesatares, disa ekonomike, disa pamundësi mendojnë që të bëjnë një vit ”gap” siç i thonë të qëndrojnë një vit pushim dhe më pas të vazhdojnë universitetin, e cila krijohet si një lloj mundësie ndryshe sot në kohët e sotme, por problematikat janë në fund të ditës kanë vetëm një shkak dhe shkaku është situata në të cilën politika e ka degraduar jo vetëm jetën politike të klasës politike, por ka degraduar edhe jetën ekonomike dhe shoqërore të të gjithë Shqipërisë. Ju në jetën tuaj të përditshme ndoshta nuk e shikoni ballafaqimin e egër që kanë prindërit tuaj dhe familjarët tuaj me situatën ekonomike dhe pamundësinë për të rritur standardin e jetës, pamundësinë për  t’i krijuar mundësi më shumë fëmijëve të tyre dhe duke qenë prind vetë e di se sa e dhimbshme është kur nuk ja krijon dot mundësinë dhe shanset fëmijëve të tu. Në fakt para se të vija këtu isha në diskutim me disa miq dhe po diskutonim për situatën, po diskutonim çfarë do të ndodhi në të ardhmen dhe ajo çfarë na bënte përshtypje dhe diskutonim ishte që ne kemi aspiruar për shumë gjëra, kemi aspiruar për shumë reforma sepse të aspirosh për të qenë anëtar i Bashkimit Evropian është që në axhendën tonë politike dhe ekonomike duhet të bëjmë disa reforma, të cilat për hir së të vërtetës konsensusi politik i të gjitha forcave politike ka qenë i gjithi në konsensus të plotë. Dy vjet më parë e mbani mend Reformën e Drejtësisë, të famshmen,  për të cilin ka pesë vjet që ju janë shurdhuar veshët, që u votua me 140 vota si asnjë ligj tjetër dhe si asnjëherë tjetër në 27 vite tranzicion në parlament. Por sot në fakt çfarë kemi? Sot në fakt kemi një reformë të kapur, e cila është kthyer në një grusht shteti. Ju në histori e keni studiuar grushtin e shtetit, dhe e dini shumë mirë se çdo të thotë grusht shteti, kur e merr pushtetin pa votë të lirë, por e rrëmben atë, e rrëmben nëpërmjet dhunës shtetërore, të cilën e ke në dorë. Dhe faktikisht kjo ka ndodhur. Kemi një Prokurore të Përgjithshme, që deri dje unë e mendoja si një kukull, por në fakt është një levë lëvizëse e krimit të organizuar. Kemi një Prokurore të Krimeve të Rënda që e mendonim si një grua e cila nuk përballonte dot presionin e të tjerëve dhe detyrohej të mbyllte sytë para dosjeve të kriminelëve apo të bandave dhe krimit të organizuar. Por kemi edhe një kryeministër, i cili në mënyrën më perfekte ka kapur jo vetëm sistemin e drejtësisë, ka kapur jo vetëm institucionet e shtetit, por tashmë kërkon të kapë edhe fjalën e lirë. Kërkon tu mbyllë gojën shqiptarëve. Kemi një rast flagrant, se si Prokuroria e Përgjithshme përgjon me vendim gjykate dëshmitarin e saj dhe hapur fare, janë edhe aq të paaftë saqë në fashikujt që dorëzojnë në gjykatë apo palës të akuzuar tregohet shumë mirë, se si të famshmit dëshmitar Alizoti e thërret Drejtori i Policisë, i jep pakon në dorë dhe kjo është e zbardhur në fashikuj. Pra çfarë shikojmë? Shikojmë jo vetëm një arrogancë dhe kapje të shtetit, por shikojmë edhe një mendjelehtësi që vjen si rezultat i pushtetit të tepërt dhe i onturazhit të qeverisë me krimin e organizuar. Dhe në fakt kemi dëgjuar Reformën në Drejtësi, presim që të kemi Reformë në Drejtësi se sa herë kujtoj shprehjet e ambasadorëve, ku thonin na duhet kjo reformë në Drejtësi për gratë, të cilat divorcohen nga bashkëshortët e tyre dhe nuk arrijnë dot të marrin bukën e gojës për fëmijët e tyre në vendimet e Gjykatave. Dëgjonin shprehje se si gratë dhunoheshin dhe strapacoheshin në dyert e Gjykatave për të marrë urdhrin e mbrojtjes. Dëgjojmë se si pronarët e pronave kanë humbur pronat e tyre dhe se si vazhdojnë kalvarin e gjatë të gjyqeve, me dekada për të marrë pronat e tyre dhe nuk i marrin dot dhe kjo Reformë do të sillte dhe zgjidhte përfundimisht hallet e shqiptarëve. Por në fakt Reforma që ne kemi votuar, e cila është e kapur sot nga Edi Rama dhe krimi i organizuar nuk është reforma që prisnin shqiptarët, por është një reformë e cila i shërben krimit të organizuar, bandave dhe Edi Ramës dhe në të kundërt viktimat e kësaj reforme janë qytetarët të cilët nuk kanë për të gjetur më zgjidhje. Pra, këto reforma të cilat ne i shikojmë sot dhe që janë trumbetuar dhe marketuar në mënyrë perfekte, nëpërmjet parave të institucioneve kombëtare, tashmë janë kthyer në elementë, të cilat çdo ditë e më shumë jo vetëm po gllabërojnë shoqërinë shqiptare, por faktikisht po e kthejnë shoqërinë shqiptare në inekzistencë. Sepse po t`ju pyesim sot ju, janë pjesa më e madhe e juaja që duan të ikin jashtë shtetit. Sa nga ju duan të ikin jashtë shtetit? Domethënë, ju që jeni këtu, pjesa më e madhe doni të ikni jashtë shtetit? Por kjo është fatkeqësi për vendin. Kjo është fatkeqësi për politikën. Kjo është fatkeqësi për prindërit sepse në këtë drejtim ju shikoni të vetmen mundësi largimin nga Shqipëria, në këtë vend kaq të bukur, të cilën për hir të së vërtetës, sot nuk të ofron siguri, nuk të ofron barazi, nuk të ofron ndershmëri dhe sot nuk të ofron atë çka është më elementarja, demokracinë, të thuash atë çka mendon dhe të jesh vetvetja në shtëpinë tënde, vendin tënd dhe lagjen tënde. Tashmë, situata në të cilën Edi Rama dhe sekti tij kriminal Rilindja, ka futur Shqipërinë, nuk ka më kthim prapa. Ka vetëm një mënyrë shpëtimi, revolta. Të gjithë thonë që opozita do shkojë në parlament, por në çfarë parlamenti të shkojë opozita? Të shkojë dhe të bëhet alibia e bandave të krimit të organizuar? Të shkojë dhe bëhet alibia e Toyota Yaris? Të shkojë të bëhet alibia e lojërave të fatit që mbyllen lojërat e fatit, që shyqyr u mbyllën se ka që në 2013-ën që duheshin mbyllur dhe po i mbyll tani sepse po hap lojërat e fatit online? Sepse njerëzit nuk shkojnë më të luajnë nëpër kazino, por shkojnë të luajnë online. Shkojmë të bëhemi prezentë sesi manipulohen dosjet e Prokurorisë për të shpëtuar vëllanë e ministrit, për të shpëtuar policët, për të shpëtuar vëllanë e Kryeministrit? Të shkojmë dhe të bëhemi alibi e vjedhjes dhe koncesioneve që po rrjepin shqiptarët? Po më mirë le të shkojmë në shtëpi se sa të bëhemi alibi e këtyre kriminelëve që sot ndihen të fuqishëm, por nesër do të jenë jo njerëzit më të akuzuar, por më të urryerit dhe më të mallkuarit nga shqiptarët. Besoj se keni dëgjuar për Reformën në Drejtësi në Rumani, që ishte një Reformë në Drejtësi si reforma jonë, e trumbetuar, një reformë që do të sillte vlerat më të mëdha, do burgoste politikanë dhe njerëzit e korruptuar. Por në fakt, burgosi vetëm konkurrencën e atyre që drejtuar Reformën në Drejtësi dhe prokurorja kukull që u përdor siç përdoret sot Arta Marku nga Edi Rama, është në burg. Dhe për hir të së vërtetës, të gjitha ngjarjet në Ballkan përsëriten në mënyrat nga më të ndryshmet në vende të ndryshme, me të njëjtën skemë, por me fytyra dhe emra të ndryshëm. Po me institucione, të njëjtën gjë. Sot, ne, opozita në mënyrë legjitime ka kërkuar që Taulant Balla të mos jetë bashkëkryetar i delegacionit të Stabilizim-Asociimit në Parlamentin Evropian. Edhe është normale. Deri në momentin që ky njeri qartëson që nuk ka qenë pjesë e vendosjes së pistoletës në kokë të punonjësit të policisë, që nuk ka lidhje me Toyota Yaris, që të dalë e të thotë që nuk kam qenë me atë trafikantin Bego, që nuk ka probleme të tjera me drejtësinë, nuk i kushton asgjë Partisë Socialiste ta ndërrojë Taulant Ballën me Mimi Kodhelin, me Vasilika Hysin, apo me ndonjë person tjetër nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste për të vazhduar procesin e reformave dhe të bashkëpunimit me parlamentin Evropian. Megjithatë, Rama nuk e bën këtë sepse Rama është peng i këtyre njerëzve. Sepse nëse Rama do të heqë Taulant Ballën, Taulant Balla do t`i thotë: zotëri, ato 5 milionë euro të Toyota Yaris mi kërkove ti për t`i sjellë në Shqipëri për t`i futur ose tek koncesionet e rrugëve të famshme ose tek kullat e teatrit ose diku tjetër. Zotëri, me këto kontrabandistët dhe trafikantët e drogës ma ke kërkuar ti që t`i shoqërojë Zotëri, këtij Emiljano Nuhut, për deputetin tënd, më ke marrë ti në telefon që të shkojë të ndihmojë djalin e tij për ta nxjerrë nga rajoni i policisë. Pra, Edi Rama do ta mbrojë deri në fund Taulant Ballën, sepse e ka bashkëpunëtor në krim dhe ai e di shumë mirë që, po e lëshove bashkëpunëtorin në krim, ai kthehet në akuzuesin tënd kryesor. Pra, për ta përmbledhur, sot situata në të cilën ne jemi, Edi Rama s’ka për ta kuptuar, sepse ai është i zhytur aq thellë, por nëse socialistët, ata pak socialistë të ndershëm që kanë mbetur në Partinë Socialiste, nëse ata pak prokurorë të ndershëm që kanë mbetur në Prokurorinë e shtetit shqiptar, duhet të reagojnë menjëherë, sepse paqja sociale po cënohet dhe të cënosh paqen sociale në një vend kaq të vogël dhe të varfër sa Shqipëria, në fakt nuk është thjesht një pikë në oqeanin e tranzicionit ose në oqeanin e destabilizimit, por është ndezëse e një destabilizimi jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë rajonin. Prandaj, duhet të jemi jo vetëm shumë të kujdesshëm, por edhe shumë të organizuar dhe unë sot kërkoj nga ju një sensibilizim, sepse ju e ndieni çdo ditë terrorin që ushtrojnë mësuesit në shkollat tuaja. Marrja e telefonave tuaj, sjellja në mënyrë arrogante dhe policeske të mësuesve dhe drejtorëve të shkollave me ju, mungesa e një sistemi arsimor model, për atë për të cilën ne paguajmë paratë dhe taksat, rritja e çmimeve të librave, mungesa e kushteve në shkolla, shkollat me turne nuk na bëjnë gjë tjetër veçse na nxisin të reagojmë. Në të kundërt, sa më të përulur jemi, aq më shumë do të na nënshtrojë Edi Rama dhe nga ana tjetër nuk do të na krijojë asnjë mundësi tjetër, por do detyrohemi të shpërngulemi e të largohemi nga Shqipëria për të qenë skllevër në vende të tjera, kur ndërkohë ne kemi një vend të mrekullueshëm e të jashtëzakonshëm. Doja të thosha edhe diçka tjetër, diçka që është shumë e prekshme për prindërit tuaj. Sot Shqipëria nuk ka një plan për të ecur përpara, nuk ka një plan për të ardhmen tuaj, sot klasa politike nuk ka një axhendë politike jo vetëm pas qershorit të 2019-s, pra që ne presim hapjen e negociatave, por mbi të gjitha sot Shqipëria nuk ka një strategji se si do të zhvillohet ky vend. Kemi një opozitë që sot për hir të së vërtetës është një mazhorancë numerike, e cila është shumë e qartë në qëndrimin e saj. Edhe pse njerëzit janë skeptikë sepse janë të lodhur nga makineria e propagandës së Edi Ramës, opozita e ka shumë të qartë misionin e saj: Dekriminalizimin të politikës, dekriminalizim të ekonomisë. Po patëm një politikë pa kriminelë brenda saj, do të kemi edhe një ekonomi pa paratë e krimit dhe drogës brenda saj, sepse çdo vend që implementon dhe indukton paratë e krimit dhe të drogës në ekonominë e saj, është vendi më i varfër. Dhe Shqipëria që në momentin që Edi Rama ka ardhur në pushtet, edhe me votat e LSI-së dhe kjo është arsyeja se përse ne sot marrim përgjegjësi për të folur hapur dhe për ta ngritur zërin, solli injektimin e parave të krimit në ekonominë shqiptare, për hir të së vërtetës janë rritur taksat, janë rritur çmimet, por nuk janë rritur të ardhurat. Ju e dini shumë mirë se si çmimet e librave janë rritur, ju e dini shumë mirë se sa e vështirë është sot për të pasur një jetë normale. Prandaj ne kërkojmë një sensibilizim të rinisë shqiptare dhe sot edhe me hapjen e universiteteve, situata do të jetë tërësisht ndryshe, sepse universitetet po vijnë e po mbyllen çdo ditë e më shumë. Të mbyllësh universitetet do të thotë të mbyllësh dyert e dijes, të varfërisht shpirtërisht dhe mendërisht një popull. Duke mbyllur universitetet ke mbyllur të ardhmen. Prandaj zgjimi i rinisë është shumë i rëndësishëm për ne. Duhet të zgjoheni dhe ne na keni në krah për të dalë përpara çdo revolte, çdo kundërshtimi tuaj, sepse detyra jonë si parti dhe në pozicionin tonë si prindër, është që të ndërtojmë një të ardhme të sigurt për ju. Nëse ne nuk e ndërtojmë këtë për ju, misioni ynë është i dështuar. Dhe unë nuk kam qejf që misioni i LSI-së të dështojë, sepse LSI është partia e të rinjve, është partia që i ka dhënë hapësirë të rinjve, por të mos harrojmë që edhe ju na keni dhënë shumë suport dhe detyrimi ynë jo vetëm moral por edhe fizik është i jashtëzakonshëm. Prandaj, për ata që janë studentë unë ju uroj suksese në vitin e ri universitar. Por, nga ana tjetër do kërkoja edhe përfshirjen tuaj sa më shumë për më shumë sensibilizim për të punuar me prindërit, me familjarët tuaj, me fqinjët, me farefisin, me shokët tuaj, sepse frika e krimit të organizuar i ka turbulluar njerëzit, i ka strukur nëpër skutat e frikës, por do të ishte shumë mirë që t’i zgjonim këto njerëz për të shpërthyer njëherë e mirë për ta larguar këtë të keqe që ka kapur vendin dhe për të mos u rikthyer më diktaturës së krimit. Sepse diktaturën komuniste ju nuk e keni provuar, pro brezi ynë po. Dhe me ç’po kuptoj, diktatura e krimit është më e keqe se ajo komuniste, pavarësisht se diktaturat janë të gjitha njëlloj. Diktatura e krimit është një diktaturë që e vdes një popull. Faleminderit.