Monika Kryemadhi: Sot letër ambasadorëve të BE, nuk lejojmë shkelje të Kushtetutës. Vetingu, PD-LSI dhe protesta e 27 janarit

535
Monika Kryemadhi: Sot letër ambasadorëve të BE, nuk lejojmë shkelje të Kushtetutës 
Intervista e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, dhënë për televizionin “Oranews” për gazetaren Ilva Tare 
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi komentoi rolin e LSI-së në Reformën në Drejtësi. Sakaq Kryemadhi theksoi se nuk mund të luhet me dy standarde. Në këtë intervistë Kryemadhi është shprehur edhe për protestën që do të startojë më 27 janar në orën 12:00. 
Ka pasur një zhvillim për ngritjen e KLP-së dhe KLGJ-së dhe opozita ka marrë pjesë në komisionin e posaçëm. Kjo do të thotë se tashmë do të votoni në këtë proces?
Ajo çka dua të them është që opozita ka paraqitur ditën e hënë në Parlament dy amendamente dhe një letër drejtuar Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, për sa i përket rikthimit të parlamentit në shtratin kushtetues dhe ajo që ndodhi më 18 dhjetor, le të themi, një rrënim i Kushtetutës, e cila u miratua me 140 vota nga të gjithë deputetët e Kuvendi, më datë 21 korrik duke gdhirë data 22 të 2016. Pra, ajo çka ndodhi më 18 dhjetor shënoi një kapje të kësaj reforme. Ku ndërkohë opozita, për t’i dhënë shansin edhe njëherë mazhorancës të tregojë se ka vërtet dëshirë të tregojë një vullnet të pastër për të realizuar reformën, dhe për të ecur më tej me zbatimin e saj. Pra, për të mos treguar shenjat e kapjes ndaj sistemit, ose për të mos treguar frikën ndaj sistemit të ri të drejtësisë, ishte një shans që ne i ofruam, kur në fakt është një letër shumë e thjeshtë, e cila kërkon rikthimit të parlamentit në shtratin kushtetues dhe në ligjshmërinë e tij. Ashtu sikurse për të vazhduar për ngritjen e KLP dhe KLGJ në mënyrë institucionale për vetë faktin se Gjykata Kushtetuese ka sjellë një rrëzim të funksionimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe atij Gjyqësor. Janë dy nene, një për Prokurorin e përkohshëm, i cili nuk ekziston në Kushtetutë, kur i mbaron mandati, jo kur i ndërpritet. Domethënë ne nuk mund të përdorim dy standarde për një gjë, që është shkruar për të gjithë shqiptarët, pra që kërkon një barazi. Sepse ne nuk mund të themi që për politikën e përdorim, e shkelim Kushtetutën, ndërsa për qytetarët e thjeshtë nuk e shkelim. Ndërsa për sa i përket KLP dhe KLGJ janë dy nene, një nga këto ka 10 pika që bën funksionimin e KLP dhe KLGJ.
A keni mbështetjen e ndërkombëtareve në këtë iniciativë për të ndryshuar amendamentin kushtetues?
Unë kam hartuar një letër, të cilën sot do ua drejtoj të gjithë ambasadorëve të BE, gjithë institucioneve ndërkombëtare, qoftë në BE, qoftë në institucione të tjera ndërkombëtare, për t’iu bërë të qartë kërkesat që ne si opozitë i kemi paraqitur. Ndërkohë jemi rakorduar dhe me PD që dhe ata nga ana e tyre të informojnë të gjithë ambasadorët e vendeve të BE që janë në Shqipëri, por jo vetëm ata, por dhe të gjithë institucionet e tjera ndërkombëtare, sepse është shumë e rëndësishme për t’i njohur me realitetin. 

Ka pasur dhe një qëndrim publik të ambasadorit amerikan më datën 7 dhjetor…
Ambasadori amerikan ka pasur një qëndrim publik për largimin e prokurorit, për mbarimin e mandatit të prokurorit të kaluar. Megjithatë, unë nuk besoj se ambasadori amerikan do t’i kërkojë parlamentit shqiptar që të shkelë Kushtetutën. Ne kemi qenë të gatshëm dhe ia kemi ofruar gjithmonë bashkëpunimin tonë si opozitë, për të zgjidhur këto ngërçe kushtetuese, të cilat janë shumë të rëndësishme, sepse si edhe e thashë më parë ne nuk mund të përdorim dy standarde. Nëse ne iu themi shqiptarëve që do bëjmë reformë në drejtësi, reforma në drejtësi nuk është vetëm për hallexhinjtë. Reforma në drejtësi fillon në radhë të parë për klasën politike. Për politikanët, për të korruptuarit, ne e shkelim Kushtetutën dhe të bëjmë sikur nuk shohim, ndërsa për hallexhinjtë i marrim i fusim në burg dhe i harrojmë nëpër birucat e burgjeve. Sepse e tillë është reforma. Shqiptarët, nuk besoj se kanë aspiruar për një reformë në drejtësi, e cila ka dy lloj standardesh. Unë jam e bindur që komuniteti ndërkombëtar nuk mund ta thotë hapur dhe unë dua të dëgjoj ku kemi një deklaratë të ndonjë ndërkombëtari që thotë, shkelni Kushtetutën. Absolutisht. Nuk ja ka kushtëzuar njeri atyre emrin e Prokurorit të përkohshëm, pavarësisht se nuk ekziston, por ama është e thënë që Prokurori zgjidhet me veting. Në qoftë se ne të gjithë këtë histori që kemi bërtitur, ulëritur, kemi tre vjet që bërtasim vetingu, vetingu i famshëm, ne do bëjmë një veting. Por nëse ne reformën në drejtësi duam ta bëjmë siç u bë ‘policia që duam’ e Saimir Tahirit, atëherë bujrum le ta marrim, dhe të mbajnë përgjegjësi ambasadorë, ndërkombëtarë, kombëtarë, institucionalë, politikanë, kryeministër, media, çdo gjë. Por unë nuk besoj se shqiptarët duan që të kenë një reformë në drejtësi, të kemi prokuror dhe gjykatës siç kishim “policinë që duan”, që ishte e përfshirë komplet në trafikun e drogës dhe sot treçereku i policisë është në kërkim dhe ne nuk e dimë ku janë. 

Z. Rama është shprehur se LSI ka vepruar “hidhte gurin dhe fshihte dorën” gjatë ditëve të negociatave të reformës në drejtësi. Keni ndonjë koment për këtë?
Nuk kam asnjë lloj komenti. Unë dua të them këtë gjë, që reforma në drejtësi pa LSI nuk do bëhej dhe nuk do të ishte e realizuar, pavarësisht se personit që nuk i ka interesuar për ta realizuar reformën në drejtësi ka qenë z. Rama. Kështu që, nuk kam ndërmend të nis diskutime personale me të. Kjo ka të bëjë me rolin që ka pasur LSI-ja, e cila ka qenë një ndër rolet vendimtare, sepse qoftë departamenti i shtetit apo BE, por edhe ndërkombëtarët kërkonin që reforma në drejtësi të miratohej me konsensus. Mbaj mend tre ligjet e famshme para se Shqipëria të merrte statusin për vendin kandidat, të cilat duhej të miratoheshin me konsensus. Por mos të harrojmë edhe një gjë tjetër, që paketë e këtyre ligjeve ishte vendosur edhe rregullorja e parlamentit, të cilën LSI po të donte ia jepte votat PD në atë kohë dhe ta kalonte në një shumicë të thjeshtë. Por, jo pa qëllim rregullorja e vendit u fut pjesë e konsensusit, për të vetmen arsye sepse ishte shumë e rëndësishme për të pasur një mbarëvajtje dhe një ndërtim institucional të marrëdhënieve midis opozitë-mazhorancë-parlament. Mora vesh që PS paska bërë propozim për të ndryshuar rregulloren e parlamentit, gjë që është shumë e habitshme, por kjo tregon një lloj frike dhe uzurpimi. Me aq sa pashë kishte të bënte me heqjen e imunitetit dhe arrestimin e deputetëve. Nuk është se kam shumë dijeni, por me aq sa mora vesh ka të bëjë më paraqitjen e provave nëse kërkohet arrestimi i një deputeti nga Prokuroria. Por atëherë i bie që mos heqja e imunitetit dhe mos arrestimi i z. Tahiri ka qenë i paligjshëm. Pra i bie që parlamentin ta kthejnë në një formë gjykate, ku ne ndërkohë i kemi gjykata dhe parlamenti duhet të kryejë funksionin e tij.

Jemi pak ditë para protestës së opozitës PD-LSI, por ajo çka vihet re është se tonet janë më të qeta e më të zbutura krahasuar me protestën e parë. Keni ndryshuar strategji?
Unë jam shumë e qartë në qëndrimet e LSI-së. Gjithashtu, opozita është shumë e qartë sa i përket rolit të zbatimit kushtetues. Në fundit të fundit në politikë, kush e bën ndarjen e demokracisë nga diktatura? Sigurisht që kushtetuta dhe rregullat. Pse vendosen rregullat? Sigurisht që për t’u zbatuar. Ajo që është e rëndësishme është që, opozita, në një farë mënyre, është garanci e zbatimit të Kushtetutës dhe fjala e lirë është e vetmja gjë që ka opozita. Protestat janë e vetmja gjë që ka opozita në dorë. Protestat janë një instrument legjitim, jo vetëm i opozitës, por i çdo qytetari për të protestuar në një vend të lirë dhe demokratik. Në qoftë se Shqipëria nuk është një vend demokratik, por një vend diktatorial, atëherë të ndërrojnë ligjet, numrat në Parlament i kanë siç bënë me dhunimin e Kushtetutës më datë 18 dhjetor dhe kjo është shumë e thjeshtë. 18 dhjetori është vërtet shumë i rëndë. Nuk ka të bëjë as me Monikën, as me LSI-në, as me politikën, ka të bëjë me atë se çfarë do t’u ndodhë shqiptarëve nesër. Sepse kur një njeri kërkon të uzurpojë, jo vetëm institucionet kushtetuese dhe Kushtetutën ditën për diell, dhe na bën ne për budallenj, atëherë kjo tregon që jo vetëm ka rënë shteti, por ka rënë çdo gjë. Sepse, në fundit të fundit, Kushtetuta çfarë është? Garanci e zbatimit të ligjit. 

A keni një skenar se si do të zhvillohet protesta e 27 janarit? A do t’i jepni ju garanci qytetarëve që do të duan të dalin të protestojnë se do t’i përmbaheni rendit kushtetues. A mund të ketë një rrëshqitje të situatës, që mund të degradojë deri në dhunë?
Dua t’ju them diçka tepër të rëndësishme që, protesta e 27 janarit është një protestë demokratike. Opozita është e detyruar nga kërkesa e qytetarëve. Sepse në takimet tona ne shikojmë vazhdimisht trishtimin dhe dhimbjen që kanë bizneset e vogla, për sa i përket rritjes së taksave. Shikojmë dhimbjen dhe humbjen e shpresës te të papunët, të cilët do të shohin këtu një mënyrë për të reaguar. Protesta e 27 janarit i përmbledh të gjitha, sepse varfëria, papunësia, mjerimi, krimi, dhuna, mungesa e shpresës ka sjellë që, gjithë këtë trishtim, që ka përfshirë gjithë shqiptarët, ta mundohen ta mbulojnë me shkeljen e Kushtetutës dhe dhunimin e saj. Çfarë e detyroi mazhorancën që më datën 18 dhjetor të bënte një veprim të tillë? Frika. Frika e protestës, frika e njerëzve. Kërkon të marrë instrumentin e Prokurorit të Përgjithshëm për të ushtruar dhunë dhe presion ndaj prokurorëve. Dhunë dhe presion ndaj bizneseve. 

Ka dhe nga ata që e shikojnë edhe si një garë mes PD-së dhe LSI-së, apo jo?
Absolutisht që jo. Më shumë e shoh si një nxitje që po e bën Rama, sepse gjithmonë kërkon që nga gjëra shumë të rëndësishme ta kalojë vëmendjen në gjëra shumë të vogla. Është njeri i detajeve, por jo thelbësor. Opozita është një pjesë e protestës më 27 janar. Pjesa më e madhe do të jenë të gjithë ata njerëz, të cilët kërkojnë barazi në ekonomi, barazi në drejtësi, barazi në Shqipëri. Të gjithë duam të jemi njerëz të barabartë në një vend demokratik. Për këtë kemi luftuar 27 vite më përpara dhe vjen dita sot kur i rikthehemi të njëjtave kërkesa. Kërkojmë barazi për të ndërtuar një ekonomi të fortë, kërkojmë barazi për të zhvilluar një sistem arsimor të drejtë për të gjithë, kërkojmë një sistem drejtësie të barabartë për të gjithë, që institucionet shqiptare të jenë të barabarta për të gjithë. 
Sigal