Monika Kryemadhi: “Shqiptarët duhet t’i japin mundësinë LSI-së për ta çuar vendin drejt Integrimit Evropian”

533
Zv. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e ftuar në studion e televizionit “News 24” ka folur mbi sondazhin i cili ka nxjerrë në dritë edhe projeksionet e para se ç’mund të prodhojnë zgjedhjet e 25 qershorit. “Mua me thënë të drejtën më vjen gjithmonë për të qeshur, por fillimi i mbarë i LSI-së nuk janë sondazhet. Fillimi i mbarë i LSI-së është puna, që ajo ka bërë çdo ditë dhe në çdo moment me qytetarët dhe në funksion të qytetarëve për sa i përket premtimeve të saj të mbajtura në gjithë historikun e saj. Historikisht, sondazhet LSI-në nuk e kanë treguar fituese, por në fakt vota e populli ka treguar të kundërtën e asaj që kanë treguar sondazhet”- u shpreh Kryemadhi. Më tej zv. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim bëri të ditur se LSI nuk bazohet në sondazhe, por në kontaktin dhe lidhjen e përditshme me qytetarët. “LSI-ja do të jetë forcë e parë, sepse do të marrë drejtimin e qeverisë, sepse shqiptarët asnjëherë nuk ia kanë dhënë mundësinë LSI-së për të drejtuar dhe do të jetë forcë e parë për të vetmen arsye për të drejtuar qeverinë: për ta çuar Shqipërinë në rrugën e drejtë që duhet drejt integrimit evropian,” shton më tej ajo në fjalën e saj. E pyetur nga gazetari sesi ndihet kur dëgjon retorikën jo të drejtpërdrejtë të Ramës ndaj LSI kur u kërkon qytetarëve ta mandatojnë si qeveri më vete deputetja përgjigjet: “Kjo historia me makina më duket si bisedë tavolinash, apo mesazhet që shpërndahen nëpër telefona. E para do t’i sugjeroja z. Rama që të marrë lejen e drejtimit të automjetit, që të kuptojë sa e lehtë apo e vështirë është ta drejtosh makinën. E dyta, dua të theksoj që historia e figurave letrare është bërë pak qesharake, sepse sot dëgjova edhe z. Tahiri që përmendte çështjen e timonit dhe të makinës. Ai në fakt nuk ka probleme me lejen e drejtimit të makinës, ai ka probleme me pronësinë e makinës, makina e të cilit ka qenë e regjistruar në emër të disa trafikantëve të drogës”. Duke shtuar në fjalën e saj mbi moshat e reja të kandidatëve në lista Monika Kryemadhi tha se është më mirë të kemi një student të ekselencës sesa një deputet me dosje penale. “Ne duhet të punojmë çdo ditë e më shumë për të ardhmen e të rinjve shqiptarë, të cilët të gjejnë jo vetëm veten e tyre në Shqipëri, por të ndërtojnë edhe të ardhmen e tyre dhe familjet e tyre në Shqipëri. Unë nuk mendoj që e ardhmja e Shqipërisë është duke krijuar karvanë të gjata me të rinj e të reja, të cilët kërkojnë një jetë më të mire në Amerikë dhe Gjermani. Zoti i ka dhënë Shqipërisë pozicionin më të bukur në botë dhe është fatkeqësi e madhe që qindra e mijëra të rinj të largohen nga këtu” shtoi Kryemadhi. Mbi çështjen e ligjit të arsimit të lartë Kryemadhi deklaroi se LSI do të ndërmarrë nismë ligjore për t’i dhënë jo vetëm identitet dhe integritet ligjit për arsimin e lartë, por për të bërë një ligj të arsimit të lartë për të fuqizuar universitetet publike dhe për të mos e kthyer shtetin në funksion të universiteteve private. Më tej Zv. Kryetarja e LSI-së shprehet se Petrit Vasili do të jetë një nga kryeministrat më të mirë që ka pasur Shqipëria. E pyetur nëse ekziston një skenar që Meta të tërhiqet nga posti i Presidentit të Republikës për të marrë drejtimin e qeverisë, deputetja e LSI ka përfunduar fjalën e saj duke thënë: “Meta ishte i gatshëm të lëshonte postin e Presidentit të Republikës vetëm kur duhej për të ulur në një tryezë PD-në dhe PS-në që të gjenin zgjidhje për të hyrë në zgjedhje dhe për të krijuar një stabilitet politik. Z. Meta e bëri përsëri këtë më 17 maj, kur edhe z. Vasili tha se LSI ishte gati të hiqte dorë edhe nga posti i Presidentit vetëm e vetëm për të pasur dialog dhe zgjidhje në mënyrë që të shkonim në zgjedhje për të krijuar një stabilitet politik që jeta të vazhdojë normalisht. Jo vetëm jeta ekonomike, por edhe jeta politike dhe jeta shpirtërore e shqiptarëve dhe e gjitha ana institucionale”.
Sigal