Monika Kryemadhi: Rilindja po përdor paratë e koncesioneve dhe PPP-ve për të blerë deputetët

533
Sigal

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi dha një prononcim për mediat, ditën e djeshme para mbledhjes së ish-grupit parlamentar të LSI. Kryemadhi foli për protestën e ditës së sotme, për të cilën tha se nuk do të jetë një protestë e opozitës, por protestë e qytetarëve shqiptarë dhe do të jenë protesta kundër varfërisë. Kryemadhi u shpreh se Parlamenti është ilegjitim, ndërsa theksoi se mazhoranca në vend që të përdorë paratë për të subvencionuar fermerët për prodhimet e tyre bujqësore, po i përdor këto para për blerjen e deputetëve.

A po përgatitet opozita konkretisht për zgjedhjet parlamentare?

Sigurisht që po përgatitet. Ka filluar puna në të gjithë Shqipërinë. Madje sot(dje) një nga vendimet që do të marrim do të jetë edhe grupi i ngritjes së Vetting-ut të kandidatëve, ku në LSI do ta drejtojë zonja Klajda Gjosha, ku kandidatët e LSI-së do të vettohen. Pra ne vetë do t’iu bëjmë një Vetting për të mos pasur më kandidatë dhe politikanë me të kaluar të errët, me konflikt interesi, e interesat e tyre personale, për të mos përdorur mandatin që i japin qytetarët për interesat e tyre personale. Sigurisht që jam e bindur që edhe partitë e tjera të frontit opozitar janë në këtë proces, sepse edhe ato e kanë filluar.

PD-ja do të shtrihet në fazën “Një anëtar, një votë”,por mund të pyesni edhe ata. Ne do të bëjmë procesin e Vettingut, por gjithashtu edhe përzgjedhjen e kandidatëve që do të vijnë nga strukturat e partisë, e jo vetëm nga strukturat e partisë. Do të jetë një bashkëbisedim gjithëpërfshirës dhe me grupe interesi të qarqeve të caktuara.

Çfarë reagimi kanë ndërkombëtarët mbi këtë aksion?

Unë mendoj që reagimi i ndërkombëtarëve fillimisht ka qenë për stabilitetin, por më pas kur kanë parë stabilitetin e shtetit të kapur ose stabiliteti i krimit të organizuar është kthyer në destabilitet për vendet e rajonit, kanë reaguar menjëherë. Vuçiçi gjithmonë tregohet më i mençur se Rama dhe më i shpejtë se sa ai.

Zonja Kryemadhi protesta e sotme është e shtata e radhës nga opozita. Ndërkohë nga ana tjetër kryeministri Rama e ka mbushur Parlamentin me deputetë. Kjo është ajo që ka prodhuar aksioni opozitar?

Në fakt ilegjitimiteti i Parlamentit tashmë për ne është bërë më se normal, sepse këtu paradokset janë kthyer në normale. Por dua të them diçka, që nëse deputetët që hyjnë në Parlament me subvencion nga Partia Socialiste, duke eliminuar subvencionin për bujqësinë dhe për fermerët shqiptarë, duke kaluar paratë e fermerëve për të ulur TVSH-në e qumështit, për të ulur TVSH-në për prodhimet e tyre bujqësore dhe për t’i krijuar mundësi për infrastrukturë dhe donacion fermerëve, por donacionet e tyre kalojnë si donacione për deputetët e blerë.

Për këtë Zoti e ruajttë Edi Ramën dhe ata që bashkëpunojnë me Edi Ramën! Por nga ana tjetër unë do të thosha që, nëse këta deputetë do të kthenin 400 mijë shqiptarët që kanë ikur nga kushtet e vështira dhe mungesën e kafshatës së bukës, nëse këta deputetë kanë hyrë në mënyrë kontrabandë në Parlament do të krijojnë mundësinë që të rrisin rrogat, të ulin çmimin e energjisë elektrike, të ulin taksat e shqiptarëve, kjo do të ishte një gjë shumë e mirë.