Monika Kryemadhi replikon me Ramën për “Lezhën”: Ti i harron gjërat shpejt, por…

503
Kur je në fushatë edhe replikat mes aleatëve janë të pranueshme. Nënkryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka replikuar me kryeministrin Edi Rama fill pas postimit të këtij të fundit, që postoi dy foto të sheshit të qytetit të Lezhës, se si ka qenë dhe se si duket sot, pas investimeve të qeverisë sipas tij
Por kujtojmë se deri para dy vitesh kjo bashki është drejtuar nga Viktor Tusha i LSI-së, ndaj dhe fotoja e Lezhës (si ishte) duket se nuk i ka pëlqyer aspak Monika Kryemadhit.

Në një reagim në Facebook ajo shkruan se Lezha ka qenë në drejtimin e duhur deri në vitin 2015, kur PS vendosi të mos bashkëpunojë më me LSI duke humbur zgjedhjet në këtë bashki.

Statusi i plotë i Kryemadhit
Është për t’u vleresuar kujdesi që kryeministri tregon për Lezhën, qytet në fakt i transformuar dhe zbukuruar falë investimeve të qeverisë dhe punës së kryebashkiakut Viktor Tusha. Në këtë foto duket qendra e Lezhës si ka qenë dhe se si ka ndryshuar ajo falë punës tonë dhe angazhimit të të gjithë qytetarëve. Edhe më e bukur do të ishte, edhe më shumë punë, mirëqënie, rrugë, kanalizime, shkolla dhe çerdhe do të kishte Lezha nëse do të vijohej të drejtohej nga ata që përmirësuan ndjeshëm këtë qytet.

Por Kryeministri ndoshta ka harruar pakëz mosangazhimin ose drejtimin e gabuar që zgjodhi partia që ai drejton në zgjedhjet e 2015, i cili ndikoi ndjeshëm në rezultatin e zgjedhjeve në Lezhë dy vite më parë.

Sot Lezha dhe qytetarët e saj do të ishin më të mirë dhe më të begatë nëse Edi Ramën do ta dëgjonte më shumë dhe më seriozisht partia e tij në Lezhë për të fituar Lezhën dy vjet më parë. Por siç duket gjërat harrohen shpejt dhe sot kryeministri ka nostalgji për periudhën kur Lezha kishte drejtimin e duhur.

Ndërsa selia që duket në foton e vjetër është e njëjta, me ndryshimin e vetëm se sot, në krahasim me dy vjet më parë ka më shumë të rinj e të reja që punojnë dhe motivohen për t’i rikthyer Lezhës dhe banorëve të saj dinjitetin që meritojnë. Sepse LSI është shans për të gjithë, edhe për ata që në dukje e nënvlerësojnë.
Statusi i plotë i Ramës
Ju uroj ditë të mbarë me këtë imazh të qendrës së Lezhës më 2013 dhe sot.
Por ende më shumë mbetet për të bërë dhe shumë ka për të humbur nëse ndalemi tani. Prandaj do të jemi nesër më shumë se kurrë në këtë shesh #PërLezhënQëDuam
Sigal