Monika Kryemadhi/ Protestat duhet të vazhdojnë, dënoj dhunën e individëve ndaj policisë dhe dhunën e policisë ndaj protestuesve

474
Sigal

 

Intervista e Kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi për “Zërin e Amerikës”

Zonja Kryemadhi, opozita mori masën ekstreme atë të djegies së mandateve për shkak të keqqeverisjes dhe për shkak të vjedhjes së votës. Në 10 vitet e fundit, me përjashtim të 2 viteve të fundit, partia juaj ka qenë në pushtet me Partinë Demokratike dhe me Partinë Socialiste. Në zgjedhjet e kaluara, për të cilat ju thoni se janë vjedhur votat, PD dhe LSI kanë qenë bashkëorganizatore të atij procesi zgjedhor. Pra, përse duhet tju besojnë qytetarët se përparësia juaj janë interesat e tyre dhe jo interesi për pushtet?

Në fakt kjo është një pyetje që ne tashmë e kemi kaluar në Shqipëri. Por në institucionet të ndërkombëtarëve ekziston ideja që LSI ka qenë katër vjet në qeverisje me Partinë Demokratike dhe katër vjet me Partinë Socialiste. Vërtet që LSI ka qenë një parti politike që ka krijuar stabilitet dhe u ka krijuar shqiptarëve garancinë e funksionimit të institucioneve. Duke pasur parasysh katër vjeçarin me Partinë Demokratike do tju kujtoja liberalizimin e vizave që patën shqiptarët. Në 2010 shqiptarët fituan të drejtën që të lëvizin të lirë në Bashkimin Europian dhe i dhanë fund njëherë e përgjithmonë jo vetëm rradhëve të gjata dhe sfilitëse nëpër dyert e ambasadave, por i dhanë fund edhe trafikut të vizave. Më pas erdhëm në procese të tjera të cilat kishim të bënim me procesin e integrimit europian dhe 2013-a ishte koalicioni natyral i PS me LSI, ku LSI një parti e qendrës së majtë ishte në koalicion me një parti të majtë. Por vijmë në zgjedhjet e 2017-ës, ku prej Nëntorit dhe Dhjetorit të 2016, z.Rama i ka kërkuar LSI-së koalicion, ku ndërkohë ne nuk kemi pranuar. Sepse disa herë prej LSI-së është denoncuar kanabizimi i vendit dhe përdorimi i grupeve kriminale. Zgjedhjet e 2017-ës kanë qenë kulmi. Ne nuk themi që janë vjedhur, ne themi që janë përdorur paratë e krimit të organizuar për të blerë votat, për të intimiduar dhe për të shkatërruar të gjithë procesin zgjedhor. Ajo çka është më e rëndësishme, është që falë Zërit të Amerikës, ne sot kemi një dosje, ku është dosja 339, e cila është nga dosjet më të rrezikshme dhe ka rreth dy vjet, e cila nuk po hetohet dhe nuk ka asnjë person të hetuar.

Tani vijmë te procesi i djegies së mandateve. Djegia e mandateve është vërtet një proces shumë ekstrem dhe është një veprim shumë ekstrem e cila e detyroi opozitën duke e vendosur në cep, ju i thoni në Amerikë “Bejzboll Kushtetues”. Çdo të thotë “Bejzboll Kushtetues”? Njerëz populistë si Edi Rama vijnë në pushtet nëpërmjet votës së lirë, kapin mazhorancën në parlament, më pas kërkojnë të kapin institucione të tjera dhe i kapin më pas hap pas hapi nëpërmjet votave në Parlament dhe për të ardhur për të kapur sistemin e Drejtësisë, i cili nuk mund të merret me votë, sepse sistemi i drejtësisë është diçka jashtë politikës dhe duhet të jetë i pavarur, vjen me të ashtuquajturën Reformë. Shqiptarët dhe LSI, që ka pasur një rol të jashtëzakonshëm për Reformën në Drejtësi që u votua për herë të parë me 140 vota. Dhe në emrin e të ashtuquajturës Reformë, sot Edi Rama ka kapur dhe po tenton të kapë në maksimum Reformën në Drejtësi. Çfarë do të thotë “Reformë në Drejtësi”? Mungesa e Gjykatës Kushtetuese për dy vjet, ja ka hequr të drejtën opozitës për tu ankimuar, mungesa e gjykatës Kushtetuese ja ka hequr të drejtën opozitës për të ngritur zërin e saj, kemi ligjin për teatrin, kemi ligjin për pronat, kemi ligjin për pasuritë, të cilat Edi Rama kërkon tua grabisi shqiptarëve dhe këto janë denoncuar.

Çdo të thotë që nuk janë vjedhur votat, por janë përdorur paratë e krimit?

Vjedhja vjen kur unë kam marr votën tënde dhe ta kaloj në emrin tim, ndërsa më e rrezikshmja që është e tmerrshme është që unë e kërcënoj Menadën nëpërmjet parave që vijnë prej krimit të organizuar.

-Pse nuk e thatë këtë gjë në 2017-ën?

Sepse ne nuk e dinim, dhe këtë radhë falë “Zërit të Amerikës” ne kemi këtë informacion, sepse janë përgjime që i ka Prokuroria e Shtetit, duke pasur parasysh që grupi i Avdylajve mbahej gjithë kohën nën vëzhgim për shkak të shkak të angazhimit të tyre në krimin e organizuar. Për hir të së vërtetës para disa ditësh, znj. Marku dha një intervistë për një televizion kombëtar ku tha se prokurorët heqin dorë për vazhdimin e kësaj dosje. Pra prokurorët largohen për hetimin e Dosjes 339 dhe Dosja 339 ka ngel pezull. Po e njëjta gjë është dhe dosja e “Unazës së Re”, për të cilën është një nga rastet më skandaloze sesi mund të falsifikohet firma e sekretarit të shtetit te Delaëare, për të grabitur 20 milion euro për një rrugë, e cila ekziston. Unë nuk kam parë në asnjë vend të botës që 1 km rrugë kushton 20 milion euro, për një rrugë të bërë, nuk po flasim për rrugë apo tunele, të cilat mund të jenë shumë shumë të vështira.

Problemet e Shqipërisë nuk janë krijuar sot. Të gjitha palët politike kanë dorë te problemet që janë krijuar.

Të gjitha palët politike janë shkaktare dhe e gjithë klasa politike është shkaktare për këtë situatë, duke përfshirë dhe unë veten time, pavarësisht se nuk kam pasur asnjëherë asnjë gjë në dorë, por angazhimi im në politikë që për hir të së vërtetës, interesave politike apo partiake, të gjithë politikanët kemi mbyllur sytë disa herë, kemi mbyllur gojën për shkak të disa benefiteve politikë.

Unë mendoj që sot në radhë të parë, të gjitha partitë politike duhet të heqin dorë nga pushteti i tyre. Nëse Shqipëria ka nevojë për një pakt kombëtar, për një pakt kombëtar që tju garantojë atyre hapjen e negociatave, sepse ky është një nga problemet më kryesorë që kemi ne sot. Ne flasim për korrupsion faktikisht, por nuk flasim për një rrezikshmëri shumë të madhe që po i vjen Shqipërisë, ajo që është ngelja e Shqipërisë jashtë gjithë projektit të zgjerimit të BE-së. Nëse Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat me Maqedoninë sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe nëse Shqipëria do të mbetet në grupin e fundit me Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën, të mos harrojmë do të thotë të varësh mëlçitë në qafë ujkut. Do të thotë që Shqipërinë ta lësh nën influencën ruse. Dhe mos harrojmë që Shqipëria është një nga shtetet në Ballkan, që kurrë nuk e ka pranuar influencën ruse. Dy herë ka dështuar Rusia për të hyrë në Shqipëri. Në vitet 70-të dhe tashmë, sepse vetë populli shqiptar, qoftë Kosova, qoftë Shqipëria janë popujt më proamerikan, jo vetëm në rajon, por edhe në Europë. Dhe ne nuk duhet ta lëmë në asnjë mënyrë, për shkak të konflikteve dhe ambicieve tona politike.

Po sa e ndihmon situata sot? Sa e ndihmojnë bombat me molotovë, për shkak të kapsollave të hedhura, ndaj institucioneve?

Unë dua të bëj një deklaratë këtu nga studiot e “Zërit të Amerikës”. Sigurisht që dënoj çdo lloj dhune dhe çdo lloj agresioni të kujtdo individi, qoftë ndaj policisë, por edhe të policisë ndaj protestuesve. Qëllimi i LSI nuk është të pushtojë godinat. Nuk janë problem godinat e Shqipërisë, nuk janë problem policët e Shqipërisë, nuk janë problem as punonjësit e administratës. Sot është problem fenomeni, i cili ka kapur shtetin. Qëllimi i LSI është të pushtojë zemrat e shqiptarëve, të rikthejë shqiptarët në Shqipëri dhe ta bëjnë Shqipërinë shtëpinë e tyre. Ajo që është sot një nga problemet kryesore, që kemi ne sot, është që ne duhet të mbyllim njëherë e përgjithmonë tranzicionin. Jemi i vetmi vend që vazhdojmë në tranzicion. Kemi filluar procesin e integrimit europian përpara Kroacisë. Kroacia sot është anëtare e Bashkimit Europian me të drejta të plotë, ndërsa ne po zvarritemi e po zvarritemi duke shkuar në një rrugë pa fund, dhe pa drejtimin e duhur.

Si ka mundësi që opozita nuk po mbështetet nga ndërkombëtarët?

Djegia e mandateve ka qenë një veprim ekstrem. Protestat duhet të vazhdojnë dhe jo vetëm që duhet të vazhdojnë. Unë mendoj që aktet e dhunës nuk është se e favorizojnë opozitën, aktet e dhunës i japin rolin e viktimës Edi Ramës. Aktet e dhunës krijojnë imazhin të një dhune të paprecedentë, sepse këtu në këtë rast viktima nuk është Edi Rama. Në këtë rast viktimat janë shqiptarët, të cilët janë më të varfër

Në këtë rast viktimat janë shqiptarët, të cilët janë më të varfër, të cilët janë më të plakur sepse fëmijët e tyre po ikin dhe nuk po kthehen. Ju e besoj e keni parë fotografinë e tmerrshme në dyert e ambasadës Gjermane se si me qindra të rinj rrinë në radhë për të marrë vizë pune, për të ikur dhe për të mos u kthyer më dhe kjo është një nga problemet më të mëdha që ka sot Shqipëria, largimi i të rinjve, i brezit më aktiv. Gjëja tjetër që doja të thosha është se nëse opozita nuk do të dilte në rrugë, nëse opozita nuk do të digjte mandatet, populli nuk do ta besonte politikën, pse? Sepse në 30 vjet tranzicion ne i kemi zhgënjyer shqiptarët dhe për këtë ne sot duhet ta paguajmë, duhet ta paguajmë të gjithë duke filluar nga unë e para dhe duke përfunduar tek politikani më i thjeshtë, pse e them atë? E them sepse duhet të marrin përgjegjësi, sepse kemi shumë kusure për të larë përpara.

-Znj. Kryemadhi në Kosovë dhe në vendin tuaj ambasada Amerikane po përdor mosdhënien e vizave si një masë ndëshkimore për zyrtarë të korruptuar. Ambasada Amerikane në Tiranë ka njoftuar se ka rreth 170 politikanë shqiptar që i janë refuzuar vizat, është prekur LSI-ja nga kjo?

Nuk di të kem ndonjë informacion, jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ambasadën Amerikane për çdo politikanë të korruptuar dhe për pjesëtarët e LSI-së që është pjesë e kësaj liste dhe mendoj që është një nga gjërat më të mira, ne e kërkuam dhe Vetting-un në politikë, ku ne si LSI kemi ngritur komisione Vetting-ut brenda në parti, mendoj që politika shqiptare duhet të pastrohet njëherë e përgjithmonë nga e kaluara e errët e çdo kandidati.

-Sipas burimeve tona, nënkryetari i LSI-së Z. Petrit Vasili është refuzuar viza, mund ta konfirmoni ju këtë gjë?

Jo, nuk besoj se i është refuzuar viza, z. Vasili, sepse në qoftë se ka njeri më me pa probleme është z. Vasili, megjithatë unë nuk e vendos dorën në zjarr as për fëmijët e mi dhe as për bashkëshortin tim. Ajo që dua të them është që në çdo rast, çdo ndarje e informacionit në raste të tilla me ambasadën amerikane dhe me LSI-në ne do të jemi të gatshëm, por mos harrojmë vetëm një gjë që z. Vasili ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të mirë me z. Lu përsa i përket Reformës në Drejtësi dhe ka qenë një nga njerëzit, i cili ka nxitur dhe ka realizuar përfundimin e komisionit AD-HOC të Reformës në Drejtësi në Shqipëri