Monika Kryemadhi: Politika shqiptare të unifikohet në luftën kundër varfërisë

744
Sigal

 

Intervista e Kryetares
së Lëvizjes Socialiste për Integrim për News24

 Znj.Kryemadhi në
deklaratën që keni bërë një ditë më parë, ndër të tjera, keni deklaruar diçka
që kaloi shkarazi dhe unë do doja të dija më shumë detaje, në zgjedhje lokale
mund të dilni me kandidatë të përbashkët me PD. Kjo do të thotë se ju i keni
nisur konsultimet dhe jeni duke u përgatitur për to?

 Nuk
kam deklaruar kështu, ose ju mund ta keni perceptuar. Ne jemi në diskutime por
ajo çka është e rëndësishme, të gjitha partitë politike kanë fazat e tyre. Ne
kemi shpallur fazën e diskutimeve për kandidatët, jo për kryetar bashkie por më
shumë për anëtarët e këshillave bashkiak, gjë që është shumë e rëndësishme për
të krijuar grupet e këshilltarëve të cilët do të jenë prezantues. Dhe ajo që
dua të them, është që zgjedhjet lokale nuk janë zgjedhje politike. Zgjedhjet
lokale janë zgjedhje që kanë të bëjnë me menaxhimin e jetës së përditshme të
qytetarëve. Dhe kandidati është shumë i rëndësishëm, personi i cili jo vetëm
fushatën për kryetar bashkie por të marri përsipër dhe gjithë zgjidhjen e
problemeve dhe strategjive të zhvillimit të qytetit në të cilin ai do kandidoj.
Sigurisht që ne do fillojmë dëgjesa dhe do të kërkojmë që partia jonë të hapet
drejt figurave të reja, faktorëve të rinj që ka në jetën politike shqiptare. Mos
të harrojmë që tashmë LSI, është një parti në opozitë, ka rolin e saj dhe duke
qenë një parti në opozitë, shanset dhe mundësitë e saj për t’u hapur janë shumë
më të mëdha për të vetmen arsye, sepse sot ka nevojë, politika shqiptare ka
nevojë për njerëz të rinj, sjellje të reja, gjak të ri, frymë të re, kualitete
të reja. Dhe ajo çka dua të them, që kandidatët tanë do të jenë kandidatura që do
të hidhen në tryezë për sa iu përket diskutimeve që janë të rëndësishme.
Megjithatë është shumë herët për ta shpallur kush do të jetë kandidat për
kryetar bashkie në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë. Ajo çka dua të them, që LSI
ka filluar proceset e saj për të qenë e përgatitur në të gjitha llojet e
varianteve, pra si për planin A, B, C, D. Planet tona janë nga më të ndryshmet.
Nga eksperiencat tona që kemi pasur në zgjedhjet lokale, ku kemi qenë edhe në
kandidatura të përbashkëta qoftë me PS apo PD, dua t’u bëj të qarta që në
shumicën e rasteve, nuk po i quaj të tradhtuar por strukturat e partive
përkatëse nuk e kanë përkrahur kandidatin e LSI. Ndërkohë ka ndodhur e kundërta
që strukturat e LSI gjithmonë e kanë përkrahur kandidatin qoftë të PS, qoftë të
PD. Kështu që strukturat tona duhet të jenë të përgatitura, ne do të hyjmë në
një proces zgjedhor, i cili sjell jo vetëm vota për të sjellë fitues kandidatët
tanë, por do të jetë dhe një proces i cili është shumë i rëndësishëm për të
orientuar jo vetëm votuesin e LSI, por edhe shumë votues të tjerë për ta çuar
votën në drejtimin që ka të bëjë më zhvillimin e një qyteti. Ajo çka është më e
rëndësishme është që koha nuk është as e gjatë, as e shkurtër. Ne jemi parti që
jemi në opozitë dhe duke qenë parti në opozitë nuk ke shanse dhe mundësitë e
një partie shtet, e cila ne tashmë jemi mësuar dhe na duket normale pavarësisht
që është shkelje ligji që tashmë strukturat e shtetit janë kthyer në falanga të
partisë që është në pushtet dhe i ka shërbyer asaj. Kështu që ne si LSI, do të
përgatisim gjithë strukturat tona organizative në mënyrë të tillë që të jemi të
përgatitur për çdo lloj skenari që mund të vijë në të ardhmen.

 Kur mund të nisin
dëgjesat?

 Ne
kemi filluar, ndërkohë javën tjetër do të kemi mbledhje të Komitetit Drejtues,
i cili do të orientojë gjithë aksionin politik dhe organizativ të LSI në 61
bashkitë e Shqipërisë të cilat do të sjellin jo vetëm kandidatura të reja por
edhe platformat përkatëse për sa iu përket premtimeve dhe programit elektoral
në bashkitë e veçanta që do të jenë.

 Ju jeni një parti e
majtë në opozitë dhe nuk e di se sa të rëndësishme janë për ju zgjedhjet
lokale…

Unë
mendoj që Shqipëria nuk ka të majtë, të djathtë. Unë mendoj që sot Shqipëria ka
vetëm shqiptarë të varfër, të cilët janë pa drejtim. Sot kemi një vend, një
popull që nuk ka më drejtues. Shqipëria sot nuk ka më kohën dhe luksin për të
ndarë programet të majta, të djathta. Sot ajo çka është më e rëndësishme, është
që të gjitha forcat politike të unifikohemi për sa i përket luftës kundër
varfërisë që është një nga problemet tona më të mëdha. Vetëm duke nxjerrë
shqiptarët nga varfëria mund të kemi shansin dhe një opinion publik të pavarur
dhe jo vetëm të pavarur, por edhe një shoqëri të pa shitur. Pra, që për shkak
të varfërisë dhe mjerimit, shet shpirtin e saj për të mbijetuar dhe për të
mbajtur fëmijët gjallë.

Flisni që qëllimi juaj
është që të hapet partia, LSI. Më kujtohet një deklaratë e juaja bërë pikërisht
në këtë studio përpara protestës së 27-janarit. Ju patët deklaruar se shumë
shpejt në partinë tonë do të afrohen të tjerë duke aluduar edhe për të majtë.
Çfarë ka ndodhur pas asaj deklarate?

Sigurisht
që janë afruar. Ne kemi filluar grupet e punës të cilat janë jo vetëm nga ana
organizative, por janë grupe pune edhe për sa i përket anës programore për
përgatitjen e alternativave. Paketa anti-varfëri që LSI e ka bërë prezente, ka
ardhur si rezultat i grupit të punës të caktuar të komisionit të ekonomisë dhe
specialistëve ekspertë. Ashtu si dhe 19 amendamente për ligjin e policisë, për
vetingun në polici, nuk erdhi si rezultat i dy apo tre deputetëve. Erdhi si
rezultat i një grupi pune me shumë ekspertë. Kanë punuar rreth 13 ekspertë të
ndryshëm, të cilët janë pa asnjë lloj bindje politike, por kanë qenë edhe anëtarë
të PS, të cilët kanë kontribuar në përgatitjen e këtyre amendamenteve, apo edhe
anëtar të PD. Ajo që është e rëndësishme, është që mungesa e funksionimit të
strukturave mendoj në të gjitha partitë, sjell që ne të kemi këto lloj
problemesh. Kemi prodhimtari të legjislacionit shumë të varfër, pra prodhojmë
një ligj shumë të varfër dhe te pazbatueshëm. Ne kemi vetëm propozime që na
vijnë nga grupet e interesit apo nga oligarkë të cilët përgatisim
projektvendimet e qeverisë, i sjellin në parlament si një teatër kukullash, ngrenë
dorën dhe votojnë interesat e tyre. Kur në fakt nuk kemi institucione që masin
indikacionet e ligjeve që ne kalojmë, cilat janë efektet pozitive dhe negative.
Gjë që të cilën ne duhet ta bëjmë dhe nuk e kemi bërë asnjëherë, sepse prandaj
është dhe arsyeja që në vazhdojmë tranzicion. Ajo çka mendoj unë që është shumë
e rëndësishme dhe që ne kemi filluar, nuk është e thjeshtë, është e vështirë se
është çështje mentaliteti nuk është një brumë që merr formën apo një strukturë
që ti e gdhend me dorë. Se edhe skulpturën kur e gdhend do kohën e vet. Jo më
të gdhendësh mentalitetin apo psikologjinë e njerëzve, të cilët nuk janë njerëz
dosido, janë njerëz të cilët kanë arritur diçka në jetë, kanë punuar fort për
të qenë profesionistë. Dhe mbi të gjitha ne si LSI duhet t’iu ofrojmë atyre
garancinë që ne ju ofrojmë atyre. Ne po i shikojmë rezultatet e para qëkur
diskutuam ligjin e vetingut që u paraqitën 19 amendamente, të cilat u pranuan
të 19-a dhe u reflektuan në ligjin e vetingut për policinë, gjë që ishte shumë
pozitive. Ku bashkëpunëtor kishim dhe ICITAP-in, të cilët na dhanë një ndihmesë
jashtëzakonisht të madhe. Dhe i falënderoj publikisht për mungesën e kompleksit
që patën për të na ndihmuar dhe informuar për problematikat që kishte ligji gjë
që të cilën ne e kemi pasur shumë të vështirë për ta pasur në institucione të
tjera ndërkombëtare të cilat kanë treguar jo vetëm ndjenja kompleksi por edhe
primitivizëm të tyre për mos reagimin. Duke pasur parasysh që grupet
parlamentarë që edhe një deputet i vetëm që është në parlamentin e Shqipërisë
ka të drejtën të informohet për sa i përket projektligjeve të cilat asistohen
nga komuniteti ndërkombëtar. Ne gjithmonë pretendojmë që nganjëherë
ndërkombëtarët janë më të mençur se ne por kjo nuk është gjithmonë e vërtetë.
Është relative në disa raste. Por megjithatë kjo është shoqëria në të cilën ne
jetojmë, sepse po të ishim një shoqëri perfekte nuk do të vazhdonim të ishim në
tranzicion, por do ishim si vendet e tjera të BE.

Nga ana tjetër edhe PD
po punon për hapjen e partisë me ndryshimet në statut etj. Ju dy partitë
ndërkohë po punoni që të jeni më të ngushtë bashkë, apo është e vërtetë kjo
ftohja që flitet se ka ndodhur mes jush?

Nuk
ka asnjë lloj ftohje, kam folur me z. Basha sot prapë, kemi pasur komunikim.

Kur jeni takuar për
herë të fundit?


parlament, nuk mendoj që takimet në zyrë janë produktive. Takimet në zyrë kanë
pasur të bëjnë me grupin e punës për sa i përket organizimit të protestave, apo
dhe iniciativave ligjore, të cilat kanë qenë më grupe pune që ishin me
ekspertë. Siç ishin ndryshimet që propozuam për Kushtetutën në mënyrë të tillë
që të funksiononte KLP dhe KLGJ në mënyrë ligjore. Pra, të mos kalonte
parlamenti të bënte veprime antikushtetuese, por të ribënim nenet, të cilat e
zhbllokonin zhvillimin e KLP dhe KLGJ. Për sa iu përket angazhimeve të tjera
nuk ka pasur takime mes meje dhe z. Basha, por ka pasur takime mes z. Vasili
dhe z. Spaho. Midis z. Vasili dhe z. Alibeaj. Midis z. Naço dhe z. Bylykbashi.

Në fakt është folur për
një ftohje të marrëdhënieve midis jush dhe z. Basha, jo mes dy partive…

Po
ne nuk do kërcejmë Napolonin bashkë që të kuptojnë njerëzit që jemi të lumtur. Z.
Basha është kryetari i Partisë Demokratike, unë jam Kryetare e Lëvizjes
Socialiste për Integrim. Të dy së bashku përfaqësojmë grupet tona politike dhe
detyra jonë është që, përveçse të përfaqësojmë këto grupime politike, mbi të
gjitha është që të mos cenojmë në asnjë moment dhe të luftojmë dhe të punojmë
për interesat e të gjithë shqiptarëve, pavarësisht bindjeve politike. Unë nuk
jam vartësja e z. Basha dhe as z. Basha nuk është vartësi im dhe kjo bën që
secili nga ne, jo vetëm të ruajë identitetin dhe integritetin e partisë së tij,
por ajo çka është e rëndësishme është që ne duam të sjellim edhe një lloj
sjellje të re në politikën shqiptare, ku asnjëri nga ne nuk duhet të sillet në
formën e një vasali. Në fakt, në këto vite tranzicion jemi mësuar ta shikojmë
këtë lloj komunikimi. Unë nuk e mendoj kështu. Unë jam takuar dhe me z. Berisha.
Kam pirë kafe, kemi biseduar, por nuk ka nevojë që të jetë publike për mediat.

 Kur ka ndodhur?

Para
dy, tre javëve. Ishim gjithashtu në Kosovë në 10-vjetorin e Pavarësisë së
Kosovës. Unë isha me z. Basha dhe me z. Berisha, ishim bashkë, shkuam në
parlament bashkë, por ndoshta këto juve nuk iu bëjnë përshtypje. Nuk është
funksionimi dhe bashkëpunimi i partive politike, nuk është bisedat apo kafetë
që pinë kryetarët e tyre. Funksionimi i partive politike, bashkëpunimi i tyre
vjen në bazë. Nëse terreni, baza janë vetë ato që e kërkojnë bashkëpunimin,
çfarëdo që të bëjnë kryetarët e partive është e pamundur për ta ndryshuar këtë
gjë. Ajo çka është e rëndësishme besoj nuk ka të bëjë se si është humori mes
Bashës dhe Kryemadhit, por se çfarë do kenë shqiptarët nesër për të ngrënë dhe
me çfarë do të ushqehen fëmijët e tyre. Vetë Partia Demokratike dhe vetë
Lëvizja Socialiste për Integrim, pavarësisht hapësirave se cila prej tyre ka në
jetën politike, konvergojnë dhe janë në të njëjtën pikë të përbashkët, ashtu
siç është edhe pika e luftës kundër krimit dhe trafikut të drogës.

Thatë që keni biseduar
vetëm dje me z. Basha në telefon, apo jo?

Jo,
dje biseduam për çështjet që kanë të bëjnë për seancën e ditës së enjte në
parlament.

 Ju ka rënë rasti të
diskutoni dhe për çështjen e lobimit, apo akuzave që i adresohen z. Basha? Jua
ka shprehur si shqetësim?

Fare,
unë kam përshtypjen se ky është më shumë një shqetësim i Partisë Socialiste dhe
i subvencionuar nga Partia Socialiste në media.

 Ky është një
investigim i MotherJones..

Po
investigimet që kemi dëgjuar dhe lexuar ne për Edi Ramën, nuk kemi parë që të
flitet kaq shumë minuta për trafikun e drogës, për bandat, për krimin e
organizuar në Evropë, i cili drejtohet nga Shqipëria. Me sa kam kuptuar me aq
kohë sa jam në politikë, sot me pak dollarë mund të hedhësh shkrime në çdo
gazetë dhe në çdo media po të jetë fjala për të sharë dhe për të sulmuar. Ajo
çka dua të them është se kompanitë lobiste nuk ka ndonjë rëndësi, nëse janë
ruse, gjermane, amerikane, hebre apo italiane. Unë vetë si Monikë jam kundër
kompanive lobiste. Përveçse janë shumë të shtrenjta, janë dhe kompani që
funksionojnë me një lloj strategjie të të bëj pak pis sot, që nesër të të
pastrojë. Dhe tjetra, ajo çka dua të them, është se unë jam shumë e hapur që në
Shtetet e Bashkuara të Amerikës rruga më e mirë për të bërë lobizmin dhe për të
qenë institucional është Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pavarësisht marrëdhënieve që mund të kenë parti të caktuara, apo individë të
caktuar me ambasadën, me stafin e ambasadës, me stafin lokal të ambasadës,
sepse ka dhe staf lokal të ambasadës, të cilët janë shqiptarë, kanë interesat e
tyre, kanë familjarë të tyre që punojnë, kanë bizneset e tyre dhe mund të kenë
konflikt interesi, pavarësisht nga kjo në fund të ditës ata janë të detyruar që
çdo parti politike që kërkon të bëj një vizitë në Shtetet e Bashkuara të
Amerikës është e detyruar që t’i drejtohet Ambasadës së SHBA dhe ata t’i marrin
përsipër axhendën. Nga ana tjetër, kompanitë lobiste në Shqipëri nuk kanë
ndonjë vlerë shumë të madhe, sepse për momentin Shqipëria sot ka nevojë për të
nxjerrë vendin nga varfëria, për të luftuar krimin dhe drogën, gjë që të cilat
nuk i bëjnë kompanitë lobiste. Kompanitë lobiste mund të sigurojnë dy
fotografi, një takim apo një kafe, gjëra të cilat për mua nuk janë asgjë. Nuk
janë të nevojshme dhe nuk janë të rëndësishme absolutisht.

LSI e ka bërë dikur
këtë gjë?

LSI
ka pasur kompani lobiste vetëm në kohën e Reformës në Drejtësi, përpara votimit
të Reformës në Drejtësi. U mor një grup i specializuar nga LSI-a, një grup i specializuar,
që ishin ekspertë të ligjit, të cilët konstatuan dhe orientuan LSI-në për
qëndrimin që duhet të mbante për sa i përket Reformës në Drejtësi. Sepse
kakofonia dhe mungesa e informacionit që vinte nga Komisioni i Reformës në
Drejtësi, nga grupet e punës që punuan, nga mënyra se si u bë dhe u përpunua
Reforma në Drejtësi nuk solli gjë tjetër përveçse solli një kakofoni, tymnajë
shumë të madhe dhe pasiguri për sa i përket kësaj reforme. Dhe LSI në atë kohë
kontraktoi një kompani, ku erdhi dhe një ish-prokuror nga Shtetet e Bashkuara
të Amerikës.

Kompania ishte nga
Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Po,
e kemi të deklaruar ne atë. Faktikisht prokurori është takuar dhe me z. Basha,
ka zhvilluar takime dhe në ambasadën amerikane për t’u njohur me këndvështrimet
dhe qëndrimet dhe menjëherë pas funksionimit të kësaj kompanie, ne si LSI
mbajtëm qëndrimin e prerë kur kërkuam nenin 88, që ja kërkuam dhe Partisë
Demokratike dhe Partisë Socialiste, që e vendosëm si kusht dhe arritëm në
konkluzion dhe e votuam Reformën në Drejtësi me 140 vota.

Pra, nuk qenkan kot
kompanitë lobiste?

Po
jo kompani lobiste për të bërë fotografi dhe as për të takuar, por kompani
lobiste për të prodhuar. Pra ashtu, sikurse Partia Demokratike ka bërë një
program fantastik për zgjedhjet e 2017-ës, unë nuk e kam lexuar për hir të së
vërtetës, por nga shumë miq të mi që janë të huaj, më kanë thënë, që edhe ata
nuk është se kanë punuar me kompani lobiste, kanë punuar me strukturat e CDU më
duket, të cilët kanë një pasur ekonomik jashtëzakonisht të mirë dhe është një
program shumë i mirë për të nxjerrë dhe për të kaluar këtë situatë të tmerrshme
ekonomike që po kalon Shqipëria në një fazë tjetër, për sa i përket rritjes së
investimeve të huaja.

Kjo është e vetmja
kompani lobiste që ka kontraktuar LSI-a?

Është
edhe kompania e sondazheve, të cilat i bëjmë njëherë në vit. LSI nuk është më
një parti e vogël, tashmë është një realitet tjetër politik në Shqipëri, kështu
që sondazhet janë të domosdoshme jo vetëm për të krijuar strategjinë e saj
politike dhe organizative, por edhe për të krijuar tragetin, si dhe për të
krijuar një qasje tjetër ndaj njerëzve. Po të kemi parasysh, nëpërmjet
sondazheve ne kemi nxjerrë dhe sloganet tona, të cilat ju i mbani mend dhe unë
po e humbas modestinë dhe po them se sloganet e LSI-së gjithmonë kanë qenë sloganet
më të mira politike. Kanë qenë edhe goditëse për njerëzit. Për shembull,
slogani i fundit që ishte “Një Shans për të gjithë”, ka qenë vërtet një shans shumë
i mirë. Është shansi i të gjithëve për të folur e për t’u shprehur për të qenë
dikush. Duhet të kuptojmë dhe diçka. Uashingtoni është një qendër që jeton me
kompanitë lobiste. Atje është më se normale. Atje nuk ka ngjyrë dhe as
nacionalitet lobizmi. Kush ka para dhe buxhet të planifikuar për kompani
lobiste i përdor, kush nuk ka nuk i përdor. Unë për veten time do ta quaja
shpenzim të tepërt për partinë tonë që të shpenzonim para përsa i përket
lobizmit. Do të ishte shumë më mirë për të paguar një strategjist të huaj, i cili
njeh strategjinë e vendeve në tranzicion siç është Shqipëria, gjithsesi ky
strategjist amerikan do të funksionojë me mentalitetin e një Amerike të madhe,
dhe nuk do të funksionojë me mentalitetin mesdhetar që kanë shqiptarët.

Pra edhe njëherë znj. Kryemadhi
ju me z. Basha nuk keni diskutuar për këtë çështje?

Unë
kam përshtypjen se z. Basha nuk i bëhet vonë fare për këtë gjë.

 Po ju çfarë besoni që
ka ndodhur me këtë çështje?

 Unë
nuk e besoj fare. Mua më duket shumë qesharake.

 Përse del në skenë
tani në gjykimin tuaj?

Për
të larguar vëmendjen nga droga dhe krimi i organizuar.

 Për drogën flitet
gjithë ditën?

Po,
por ndërkohë ne kemi 20 minuta që flasim bashkë për kompanitë lobiste. Në këtë
drejtim për mua është thjesht një heqje vëmendje. Është thjesht për të bërë pis
diçka. Për mua nuk ka asnjë lloj problemi. Shqiptarëve nuk u intereson kjo.
Nëse PD ka pasur para nga buxheti i vetë ka bërë shumë mirë.

Po diskutimi është që
në lojë janë rusët.

Po
i bëjmë rusët sikur me qenë alienë. Sa rusë ka që jetojnë në Amerikë, në Angli,
në Francë? Me miliona. Po Vuçici çfarë është? Në sjellje është më antishqiptar
se rusët. Dhe Edi Rama ha, pi, bën marrëveshje, lë në dorë të Vuçicit gjithë
ekonominë shqiptare apo jo? Se ne po i shikojmë rusët sikur të jenë armiku te
porta. Kjo është një lloj ndjenje inferioriteti që kemi.

A duhet zbardhur
gjithsesi kjo çështje?

Kjo
çështje duhet zbardhur nga ana korruptive, në qoftë se ka korrupsion.

 A do të tronditet opozita
shqiptare nëse hetimet na çojnë në ndonjë të vërtet?

E
para njëherë unë nuk e shikoj çështjen e fotografisë të Lulzim Bashës me
Presidentin Trump, se paska paguar një person, i cili është kompani lobiste, që
qenka me origjinë ruse, se ca të tjerë thonë që është me origjinë kanadeze. Po
edhe sikur të jetë rus. Ky njeri kërkohet nga ligji? Është vrasës? Është
terrorist? Është trafikant? Është kriminel? Nëse nuk i ka këto gjëra, çfarë
problemi ka? Problemi që mund të themi në është z. Basha paratë që ka paguar i
ka nxjerrë nga Partia Demokratike apo i ka nxjerrë nga xhepi i tij? Nëse i ka
nxjerrë nga xhepi i tij, i ka para të pastra, i ka para të deklaruara, i ka
paratë e veta personale.

Juve ju shqetëson kjo
çështje?

Fare
shqetësim. Për mua, kjo është një humbje kohe dhe harxhim energjish të tepërta.
Unë mendoj që kjo është një gjë shumë qesharake. Po të jetë kështu ne duhet të
merreshim pafundësisht dhe me çështjen e fotografisë së z. Rama me Presidentin
Obama, për të cilën u ngrit një komision investigues dhe hetimor dhe personi
bëri burg në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pse mori z. Rama dhe e çoi të
bënte fotografi me Barak Obamën. Madje, u paraqit dhe si bashkëshortja e tij.
Pse? Sepse ka shkelur ligjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët nuk
lejojnë marrjen e parave nga forca politike që janë jashtë SHBA. Në qoftë se ka
gjë që duhet dënuar ligjërisht është fotografia e Edi Ramës me Obamën. Ndërsa
për çështjen e fotografisë së Lulzim Bashës me Presidentin Trump kjo është një
gjë tjetër. Nëse janë paratë e PD-së, apo janë paratë e Lulzim Bashës këtë le
ta sqarojë prokuroria. Por për çështjen e Rusisë, mua më duket shumë qesharake.
Dhe unë mendoj që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse nuk mund të
bëhesh i dashur për amerikanët, duke sharë rusët. Dhe e them këtë sidomos për
Partinë Socialiste dhe për z. Rama, duke pasur parasysh që në tre vizitat e
fundit që ka pasur në SHBA, nuk ka pasur asnjë vizitë me asnjë zyrtar në
Departament të Shtetit, apo në institucione të tjera të SHBA-ve. Për sa i përket
pozicionimeve që ai kërkon të bëhet i mirë me amerikanët, duke sharë rusët, mua
më duket qesharake, se kush është më pro gjerman dhe anti turk etj. Unë mendoj
se Shqipëria nuk e ka luksin për të bërë politikë destruktive dhe nuk e ka luksin
për të bërë gabime në politikë të jashtme. Deri më sot Shqipëria ka marrë
gjithmonë notën 10 nga Bashkimi Evropian për sa i përket sjelljes në politikën
e jashtme. Unë mendoj që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në mënyrën e të
bërit politikë. Ka argumente për ta luftuar Lulzim Bashën sa të duash
politikisht, ashtu sikurse ka dhe argumente për ta mbrojtur, për ta përkrahur
dhe për t’i dhënë avantazhin pse PD-ja dhe Lulzim Basha kanë të drejtë. Ashtu
sikurse ka argumente pafundësisht për ta rrënuar dhe për ta tërhequr zvarre Edi
Ramën nga karrigia e Kryeministrit, ashtu sikurse ka dhe gjëra të mira, që nuk
ka asgjë të keqe që t’ia përmendësh dhe nuk kemi përse të kompleksohemi. Unë
mendoj që tranzicioni ka ardhur dhe për shkak të këtij lloji mentaliteti dhe
për shkak të kësaj situate vulgare të të bërit politikë. Sot shqiptarët prandaj
dhe janë të pakënaqur me klasën politike.

Në lidhje me drogën e
kapur në Maminas, PD mendon që ka pasur garanci politike dhe pas gjithë kësaj
qëndron Kryeministri Rama. Është artikuluar dhe emri i vëllait të tij. Çfarë
mendon znj. Kryemadhi për këtë?

Unë
mendoj që sigurisht garancia politike është, sepse pa garanci politike nuk do
të guxonte njeri. Ajo që më bën të dyshoj është se sot nuk kemi kokë dhe
pronarë të drogës. Ne sot kemi një shofer, i cili ka transportuar kamionin nga
porti në magazinë. Mua nuk më shqetëson droga që vjen në Shqipëri dhe shkon në Evropë,
le ta kapin evropianët atje, sepse sot Shqipëria në këtë gjendje është edhe për
shkak të tyre, sepse kanë mbyllur sytë, kanë mbyllur gojën, kanë mbyllur
veshët, kur opozita dhe çdo element tjetër politik kanë thërritur dhe kanë
bërtitur fort për sa i përket çështjes së krimit të organizuar,
trafikimit,drogës e shumë gjëra të tjera. Mua sot më intereson dhe kam hallin
se çfarë ndodh në Shqipëri. Fatkeqësia jonë më e madhe nuk është çështja e
atyre 613kg drogë, fatkeqësia më e madhe është që shqiptarët sot zënë vendin e
parë në botë në përdorimin e kokainës. Janë populli më i varfër në Evropë, dhe
ndërkohë janë populli i parë në botë që përdor kokainë, ku kokaina është nga
drogat më të shtrenjta. Ne kemi një brez të ri të kërcënuar fortësisht nga
droga. Nesër nuk do të kemi mësues, por do të kemi drogaxhinj, nuk do të kemi
inxhinierë dhe mjekë, por do të kemi inxhinierë dhe mjekë ose të droguar, ose
nuk do të kemi fare. E thashë dhe dje, do hipësh në një shofer taksie, i cili
në vend që të çojë në destinacionin e duhur do të çojë në destinacionin e
gabuar. E kam thënë gjithmonë me të huajt që problem është trafikimi dhe
Shqipëria po kthehet në një destabilitet për rajonin dhe për Evropën. Dhe në
fakt është kthyer dhe kjo gjë e ka kthyer Shqipërinë për t’i krijuar barriera
shumë të mëdha qoftë për hapjen e negociatave, qoftë edhe për lëvizjen e lirë
të qytetarëve. Ne në radhë të parë duhet të fillojmë të sensibilizojmë
qytetarët shqiptarë, duke filluar që të merremi me fëmijët tanë, të merremi me
shkollat, sepse po na i kthejnë fëmijët në spaçatorë, janë kthyer në spaçatorë
dhe ky është një nga problemet më të mëdha që ka Shqipëria.

Kur do të protestoni
sërish?

Ne
jemi duke rakorduar dhe përgatitur strategjitë. Unë i kam kërkuar dhe
komisionerit Hahn në një letër që i kam drejtuar për hapjen e negociatave pa
kushte. Ndërkohë dhe z. Basha e ka bërë këtë gjë dhe jam shumë e lumtur për
këtë arsye, sepse për ne rëndësia më e madhe është hapja e negociatave, sepse
hapja e negociatave do t’u krijonte shqiptarëve mundësinë e një realiteti
komplet tjetër dhe do të krijonte një diapazon komplet të ri, që shqiptarët të
ecin përpara. Mos hapja e negociatave është një fatkeqësi e jashtëzakonshme dhe
shumë e madhe për shqiptarët. Për klasën politike jo, sepse klasës politike do
t’i interesojë konflikti. Do t’i interesojë kjo lloj mungese bashkëpunimi dhe
në bazë të kësaj do të lulëzojnë gjithmonë njerëzit me problematikë dhe
agresivë. Do të lulëzojnë njerëzit që bëjnë allishverishe dhe do të zhduket ajo
pak elitë që ka mbetur dhe shpreson që mund të ndodhi diçka. Do të largohet nga
Shqipëria për të mos u kthyer më. Prandaj dhe deri ditën e negociatave, ne si
opozitë, flas në emër të LSI-së, por jam e bindur dhe Partia Demokratike, në
qëllim të objektivit dhe pikave tona, janë negociatat. Pas negociatave, atëherë
do të jenë dhe hapat e tjerë të njëpasnjëshëm. Por mos harrojmë dhe një gjë.
Mos hapja e negociatave nuk është faji i politikës shqiptare. Faj të parë do të
ketë edhe vetë Bashkimi Evropian me ndikimin e tij negativ dhe mëkatet që kanë
krijuar në jetën politike në Shqipëri, sepse mbyllja e syve, përdorimi i politikës
shqiptare për interesat e tyre personale ka sjellë që ne sot të kemi këtë
situatë që kemi sot. Dhe në fund të ditës, të gjithë këta ambasadorë që janë
sot këtu dhe bëjnë sikur u dhimbset Shqipëria do të largohen dhe nuk do ta
kthejnë më kokën mbrapa, ndërsa ata që do të mbajnë mbi kurriz të gjithë
mëkatet e tyre do të jenë shqiptarët dhe fëmijët tanë.

Pra, duket që ka një
bashkërendim të punëve midis jush dhe PD për aksionet tuaja të mëpasshme. Është
konsultuar PD me ju për komisionet hetimore?

Patjetër
që jemi konsultuar. Ne kemi punuar për ligjin e vetingut në polici, PD ka
punuar për Rregulloren e Parlamentit. Kemi bërë një ndarje detyrash. Ka një
lloj ndarje dhe rakordimi të punës, por nuk mendoj që është ky problem. Mendoj
që problemi më i madh është që ne duhet të gjejmë një zgjidhje të përbashkët
për sa i përket çështjes së varfërisë, sepse vetëm ajo është elementi kyç me të
cilin përfiton krimi i organizuar, përfiton korrupsioni, përfiton i papërgjegjshmi.