Monika Kryemadhi: Politika më e madhe është t’u krijojme mundësi shqiptarëve për të punuar dhe për të jetuar në Shqipëri

395
Sigal

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e nisi fjalimin e saj në protestën e sotme, duke u ndalur në gjendjen e vështirë ekonomike që po kalojnë shqiptarët. Kryemadhi tha se sot ndërkombëtarët flasim për kullat e larta dhe luksoze në Tiranë, kulla të cila janë ndërtuar me paratë e drogës dhe krimit nga Edi Rama. Kryemadhi tha se kjo është politikë, por ajo theksoi se politika më e madhe është pamundësia e shqiptarëve për të përballuar çmimet e larta për familjet e tyre.

“Politika më e madhe sot është ajo që duhet të bëjmë të gjithë së bashku për të krijuar vende të reja pune, për tu dhënë mundësi shqiptarëve që të kenë mundësi për të punuar dhe për të jetuar në Shqipëri”, tha Kryetarja e LSI-së Kryemadhi. Ndër të tjera ajo theksoi:

“Çdo fjalë e jonë sot këtu është e tepërt. Është e tepërt përballë gjithë asaj varfërie që ka instaluar kapja e shtetit, është e tepërt përballë torturave të tmerrshme që po vuajnë shqiptarët përballë taksave të larta që ka vendosur Rilindja. Fjalët tona janë të tepërta përballë çdo problemi që secili nga ju që është sot në shesh ka në familjen e tij. Sot jam e bindur që asnjëri prej jush këtu nuk ka pasur asnjëherë të vetme që ju keni dhe që keni trokitur në dyert e shtetit të kapur të Edi Ramës.

Dëgjojmë ndërkombëtarët se si flasin për kulla të larta, të shtrenjtë të cilat nuk janë bërë me taksat e bizneseve shqiptare, por janë bërë me paratë e drogë dhe me paratë e krimit. Themelet e këtyre kullave të shumta, që ka ngritur Edi Rama në Tiranë janë paratë e drogës që mbolli në 2015-ën dhe i shiti në 2016. Janë paratë e drogës që përdori për të blerë votat me krimin e organizuar në 2017. Por në fund të fundit kjo është politikë, politika më e madhe është buka e shqiptarëve që mungon në tavolinat e familjeve të tyre. Politika më e madhe janë çmimet e larta të cilat nuk kanë mundësi shqiptarët të paguajnë për fëmijët e tyre.

Politika më e madhe sot është ajo që duhet të bëjmë të gjithë së bashku për të krijuar vende të reja pune, për tu dhënë mundësi shqiptarëve që të kenë mundësi për të punuar dhe për të jetuar në Shqipëri.”, tha Kryemadhi.