Monika Kryemadhi: Nuk ka asnjë flirtim me PS-në, kryeministri ka frikë nga mocioni në Kuvend

480
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim flet për zhvillimet politike, kritikat ndaj qeverisë dhe marrëdhëniet brenda opozitës
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, u shpreh se nuk ka asnjë flirtim me Partinë Socialiste, duke hedhur poshtë zërat e javëve të fundit për një rikthim të bashkëpunimit mes dy forcave politike. Në intervistën për emisionin “Opinion”, Kryemadhi foli për zhvillimet politike, kritikat ndaj qeverisë dhe marrëdhëniet brenda opozitës.

Ka një flirtim mes PS-së dhe LSI-së znj Kryemadhi? 
“Unë do të dëshiroja që mediat dhe analistët ta shikonin ndryshe atmosferën politike sepse jeni ju ata që në radhë të parë e drejtoni në një farë mënyrë perceptimin e qytetarëve. Nuk ka asnjë flirtim mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Socialiste. Sigurisht që kontakte njerëzore ka por flirtim politik absolutisht që nuk ekziston. Sa i përket angazhimeve dhe qëndresës politike LSI është mjaft e qartë. Nuk mund të kesh flirtim politik me një parti që përfaqëson interesat e grupeve të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës. Nëse LSI do të kishte e prirur për të bashkëpunuar me klanet dhe kartelin e drogës atëherë ajo nuk kishte se dilte në opozitë dhe mund të vazhdonte të bashkëpunonte me ta. Ajo që dua të theksoj dhe që është shumë e rëndësishme është që ka një angazhim të stafit të Rilindjes për të krijuar idenë që ka një lloj flirtimi. Dua të jem shumë e qartë që me PS-në dhe me socialistët e ndershëm ne jemi në kontakt çdo ditë, por jo me kupolën e tyre. Socialistët e ndershëm janë edhe më të egër se vetë anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim”.

A keni ju komunikim drejtpërdrejtë me Edi Ramën?
“Jo absolutisht”.

Cilat kanë qenë kontaktet tuaja të fundit që keni pasur me të?
“Që pas zgjedhjeve lokale, unë nuk kam komunikuar më me të”.

Po bashkëshorti juaj?
“Unë kam ardhur për të folur si Monika Kryemadhi dhe kryetare e LSI-së, mund të ftoni atë. Çuditërisht në të gjitha antipatitë dhe simpatitë tona ne nuk i ndërhyjmë njëri-tjetrit, qofshin këto politike apo personale. Nuk më intereson fare nëse takohet apo nuk takohet Ilir Meta me të. Informacionet në lidhje me takimet e tij janë sa ç’keni ju nga media, madje ju mund të keni më shumë se sa unë”.

Sipas informacioneve nga mediat, takimi i fundit i tyre ka shumë miqësor.
“Tani grushtet nuk do plasin atje. Ai është President i Republikës, unë nuk flas për institucionin e Presidentit, flas për institucionin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. LSI është mjaft e qartë në qëndrimet e saj. Është e qartë sepse sot shqiptarët janë më të varfër, shqiptarët janë pa drejtim, sot shqiptarët ndihen të rrezikuar nga asimilimi dhe nga shpërbërja e tyre. Shumë shpejt do të jenë dhe populli më I vjetër me moshën mesatare. Sot shqiptarët ndihen më të varfër, më të papunësuar, më të pasigurt. Sot shqiptarët ndihen pa asnjë lloj drejtimi. E ripërsëris pa drejtim. Pse? Sepse kemi qytete si Lezha dhe Shkodra, të cilat janë të përmbytura, që janë në të njëjtën situatë, ku qeveri të ndryshme, pavarësisht bindjeve politike apo orientimeve të tyre shpallin gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa sot qeveria e atij burrit që keni mbrapa shpatullave tuaja nuk bën absolutisht elementin më të vogël”.

Qeverinë e atij burrit, që e sollët ju në pushtet…
“Prandaj dhe ne do të marrim përgjegjësitë tona, sepse është shumë më mirë të pranosh gabimin dhe të marrësh përgjegjësitë e tua, se sa të thuash që nuk jam pjesë”.

Mosmarrja e përgjegjësisë shkon prapë në një marrëveshje me atë burrin për të pasur disa garanci më shumë?
“Mund të më thuash cila është marrëveshja që mund të realizojë LSI me Rilindjen e kryeministrit? Për çfarë?”.

Për ndarjen e tepsisë së famshme…
“Po e mori. Ai e donte tepsinë më vete. Ku e kemi tepsinë sot? Sot tepsia është në dorën e Ramës, por është e mbushur me kokainë, sepse nuk ofron më asgjë për qytetarët shqiptarë dhe sot kemi shqiptarët të cilët kanë po të njëjtat paga, po të njëjtën punë dhe kanë vetëm taksa më të larta dhe çmime më të larta për ushqimet e tyre. Unë nuk mendoj që duhet dhënë më shansi Edi Ramës. Sepse Edi Ramës ia kanë dhënë shansin gjithmonë. Është i vetmi politikan në jetën politike shqiptare që është më jetëgjati. Ka qenë 11 vjet kryetar bashkie, 3 vjet ministër kulture, 5 vjet kryeministër. Pra ka qenë një nga politikanët që historikisht i kanë dhënë shanse. I ka dhënë shansin Partia Socialiste, i ka dhënë shansin LSI, ja kanë dhënë shansin qytetarët shqiptarë, me hir dhe me pahir. E mbani mend kandidimin e tij me z.Ngjela, sa qendra votimi u kthyen mbrapsht? Kanë qenë 185 qendra votimi në Tiranë. Sepse prekja e votës është në mentalitetin e tij”.

Këto largimet nga këshillat bashkiak duken si momente mosbesimi ndaj momentit politik të LSI-së, ndoshta ata nuk e gjejnë veten te bashkëpunimi me PD-në.
“Duhet të kuptoni një gjë. Të gjitha këto janë lajme të vjetra, sepse një pjesë e tyre kanë ikur që në 2016-ën. Këshilltarët e Shkodrës kanë ikur që në 2016-ën. Njëri prej tyre, stomatologu ka dhënë dorëheqjen, ka 8 muaj dhe e kanë rikthyer thjesht për deklaratë. Tjetri që është djali I ish-prefektit Paulin Radovani, edhe ai ka 8 muaj që nuk shkon në këshill bashkiak. Tjetra është gruaja e ish-drejtorit të rrugëve që është larguar nga LSI që në 2016-ën. Një tjetër nuk është fare në Shqipëri, i kanë marrë vetëm deklaratën. Fushata elektorale e 2017-ës ka qenë një fushatë shumë intensive dhe shumë agresive. Njerëz që sot dalin publikisht që po ikin, janë njerëz që kanë ikur ndër vite nga LSI. Ashtu siç kanë ikur edhe kanë ardhur. LSI në Bashkinë e Lezhës ka pasur 4 këshilltarë sot ka 10”. 

Përse i kandiduat prapë kur kanë ikur dhe kanë ardhur? 
“Prandaj LSI, ka nevojë për një drejtim të ri”. 

Protesta e 27 Janarit a ishte një nga protestat më të mëdha të opozitës? 
“Po patjetër”. 

Që e latë përgjysmë. Dhe që atëherë ju heshtët. 
“Unë nuk heshta. Pas protestës së 27 Janarit ka një letër që unë ia kam dërguar Komisionerit Hahn të kërkoj hapjen e negociatave pa kushte. Unë mendoj që karriget e opozitës nuk kanë vlerë përpara hapjes së negociatave. Sepse hapja e negociatave për Shqipërinë është shumë e rëndësishme. Të vetmit që nuk i intereson hapja e negociatave është Edi Rama, sepse hapja e negociatave e vendos atë përballë disa kushteve shumë të rëndësishme që e detyron të dali nga koncesionet nëpërmjet të ndikojë paratë e drogës, pra PPP-të. E fut në funksionimin e administratës publike sepse sot kemi një administratë publike të shpërbërë. Më e pakta që mund të themi nga ato që lexojmë është që dy nga drejtorët e tij kryesorë nuk kanë fituar konkursin TND pra që duhet të kenë gradën ose titullin për administratën publike. Dhe ndërkohë në gjithë rutinën e ngjarjeve që vjen, lufta e krimit të organizuar dhe trafikut të drogës dhe tjetra që është shumë e rëndësishme, lufta kundër korrupsionit”. 

Keni kontakte me faktorin ndërkombëtar?
“Pa diskutim që jemi në kontakte me faktorin ndërkombëtarë. Të gjithë ambasadorët kanë pasur takime kortezie, zyrtare, me komisionarin Hahn, me delegacionin me Monica Macoveit, me Kukan. Unë nuk mendoj se është meritë e madhe të takosh evropianët. Dje me të 28 ambasadorët e BE në takim kanë qenë në takim përfaqësuesit e LSI. Unë kam qenë në takim me ambasadorin amerikan, anglez, italian, francez. Por unë nuk mendoj që vlerat e LSI rriten nga takimi me ambasadorët. Nuk votojnë ambasadorët, votojnë qytetarët. dhe nëse ti nuk iu ofron qytetarëve asgjë, jo të takosh ambasadorin, por tako dhe Donald Trump, nuk iu intereson shqiptarëve. Sot është ai që të ofron ty mundësinë për ti dhënë shans fëmijëve të tyre. Tani për të dalë te dialogu politik, që është pika e dytë që është kusht për hapjen e negociatave”.

Thatë që kontaktet tuaja me bazën e Partisë Socialiste ngelen, por nuk keni kontakte me kupolën. Mos do të thotë kjo që ky është një sinjal bashkimi?
“Partia Socialiste është më e zhgënjyer se baza e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe është më agresive se baza e Partisë Demokratike në terren”.

Çfarë do të thotë kjo?
“Kjo do të thotë që edhe ky teatri i vjetër me aktorë amatorë është një panik që ka Partia Socialiste në terren. Ju e dini shumë mirë se çfarë bëri Partia Socialiste apo Rilindja në Elbasan, gjashtë muaj përpara se unë të shkoja të kandidoja atje. Të gjitha strukturat e LSI-së kishin ikur me PDIU-në. Z. Vangjeli, ju e dini mjaft mirë që po të dojë Lëvizja Socialiste për Integrim ia kap nja 7 a 8 deputetë Edi Ramës”.

Si ia kap?
“Ju them unë. Po të jetë kaq trim Edi Rama, le të futet për mocion besimi tani në Parlament dhe le të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Kjo do të thotë që ju mund ta rrëzoni Edi Ramën po të doni? Pra, ju keni bërë negociata me deputetë të Partisë Socialiste për këtë gjë?
“Nuk kemi bërë negociata ne. Na vijnë deputetët vetë dhe na thonë: Aman kur do ta rrëzojmë? Por, problemi nuk është të rrëzohet Edi Rama, sepse nuk po flasim për individë. Problemi këtu është krijimi i një infrastrukture të ç’tensionuar të zhbllokimit të vetë socialistëve. Vetë deputetët në Parlament janë nga njerëzit kryesorë, të cilët ndiejnë asfiksimin, jo vetëm politik por edhe njerëzor, në strukturat e Partisë Socialiste. Vetë drejtues të Partisë Socialiste nëpër baza ndihen jo vetëm të frustruar por edhe të margjinalizuar dhe të terrorizuar nga mënyra se si ata nuk përfaqësojnë Partinë Socialiste, por bandat kriminale, të cilët kontrollojnë jo vetëm ekonominë, por edhe komplet jetën dhe strukturën politike të Partisë Socialiste. Kjo është një sfidë në të cilën vetë Partia Socialiste gjendet. Ky teatër i vjetër me aktorë amatorë mendoni se do të krijojë ndonjë panik tek Lëvizja Socialiste për Integrim?”

A keni ju numrat për të rrëzuar Edi Ramën? A do t’i bëni mocion mosbesimi?
“Ky zotëria meqë ndihet kaq trim, le të provojë. Besoj se e keni parë debatin e fundit në Parlament për sa i përket ndihmës ekonomike dhe ishte një fatkeqësi e madhe po të shohësh prezencën e deputetëve dhe ministrave të tij”.
Sigal