Monika Kryemadhi: “LSI-ja është një parti e njerëzve të thjeshtë.”

414
Monika Kryemadhi: “LSI ka një derë të madhe dhe të hapur kurdoherë për këdo që do të vijë tek ajo.” 
Dua që gjithë këtë entuziazëm, gjithë këtë forcë, ne ta harxhojmë për datën 18 qershor që është dita më e rëndësishme, jo vetëm për LSI-në, por për të gjithë shqiptarët. Në fakt sot në këtë konventë, unë do të flisja shumë gjatë, sepse që në themelimin e saj, kjo degë e LSI-së ka një histori të jashtëzakonshme. Tek dëgjoja të gjithë parafolësit, ndjej emocion, më mbusheshin sytë me lot, sa e fortë jam për të bërtitur, por aq e dobët bëhem kur shikoj Erisa Xhixhon, që ka ardhur fëmijë në LSI dhe sot është bërë nënë, bëhem e dobët kur shikoj Ardit Çelën që e kam marrë gjimnazist nga Kombinati dhe sot artikulon, jo vetëm politikisht, artikulon jo vetëm profesionalisht, por ka një autoritet të padiskutueshëm në rrethin e tij. Shikoj Endrit Braimllarin i cili ka ardhur gjimnazist në vit të 3-të në LSI dhe sot është sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Shikoj Klajda Gjoshën që, sapo mbaroi studimet në Angli, iu bashkua LSI-së si një pjesë përbërëse, si një nga ju të rinjtë sot dhe është Ministre e Integrimit.
Shikoj me qindra vajza që dje, kanë ardhur fëmijë në LSI dhe sot janë nëna, janë prindër, por janë edhe boshti i LSI-së.
Ata janë rritur, por me ta është rritur edhe LSI-ja.
Do të doja të thosha shumë gjëra, Klajda tha pak më përpara, që ne duhet të bëjmë Shqipërinë Evropiane, por Shqipëria është Evropiane, shqiptarët janë evropianë, por ne kemi nevojë për një politikë, jo arrogante, po moderne dhe evropiane. Ne këtë duhet të ndryshojmë. 
Ne kemi krijuar LSI-në dhe që kur u krijua, LSI-ja erdhi si rezultat i një revolte ndaj një politike arrogante, diskriminuese, mendjemadhe dhe shtypëse, prandaj u krijua LSI-ja dhe misioni i saj ishte, që të sillte pozitivitet, normalitet dhe stabilitet në Shqipëri. Sepse LSI-ja është një forcë që kujdeset për njerëzit, i do dhe i mban afër ata. I trajton njerëzit me një dashuri, ashtu si një kopshtar dashuron kopshtin e tij, kujdeset që mos ta zërë ngrica, kujdeset që mos ta djegë zjarri, kujdeset që bimët e saj të rriten, të prodhojnë fryte dhe të jenë të dobishme, dhe pse jo, për t’ia pastruar herë pas herë edhe barërat e këqij që mbijnë përreth saj.
E them këtë për të rinjtë por sidomos për nënat dhe gratë, do të thosha që LSI-ja e do misionin e saj ashtu si një nënë do fëmijën e saj. LSI-ja ka misionin për t’u kujdesur për njerëzit, për t’ju dhënë shpresë atyre, sepse shpresa është e vetmja gjë që mund ta ringjallë këtë vend, ta nxjerrë nga stanjacioni në të cilin ne po kalojmë.
Do të thoni ju, që edhe ne pjesë e qeverisjes jemi. Po jemi pjesë e qeverisjes, jemi pjesë edhe të sukseseve të kësaj qeverisjeje, por jemi pjesë edhe të dështimeve të kësaj qeverisjeje.
Kemi dhe ne fajet tona apo gabimet tona dhe nuk është turp të thuash “Më fal!” për gabimet që bën, sepse një njeri që thotë “Më fal!” do të thotë, që është njerëzor.
Një njeri që pranon gabimin e tij, do të thotë, që nuk do të bëjë më atë gabim. Por një njeri që nuk pranon kurrë gabimin, do të thotë, që ai do të vazhdojë të gabojë edhe akoma më tutje.
Jam e bindur që, sa herë ju thoni “Me ty me ty Ilir Meta!”, Ilir Meta mërzitet, bezdiset, por unë do ju them që ne jemi me Ilir Metën deri në momentin, që ai do të luftojë për shqiptarët, për t’i rikthyer shpresën shqiptarëve, ne do të jemi me Ilir Metën, deri sa ai do të luftojë për sovranitetin tonë. Ne vërtet jemi një popull i vogël dhe i varfër, por kemi dinjitetin tonë, kemi integritetin tonë, të cilin ne nuk do ta lëmë, që të na e përkëmbin.
Ndoshta pjesa më e madhe e delegatëve këtu janë që nga themelimi i LSI-së, por kemi delegatë që janë 16 apo 17 vjeç, të cilët do të fillojnë pak nga pak të krijojnë memorien e tyre politike në lidhje me LSI-në.
Në fakt shumë veta e akuzojnë LSI-në si një parti klienteliste, që shkon mbas pushtetit dhe do ta them përse. Sepse ne para disa vitesh në 2009 bëmë koalicion me Partinë Demokratike. Nuk do të bëj atë artikulimin politik që në përgjithësi bëjnë përfaqësuesit zyrtar të LSI-së, por do ta them shumë thjeshtë. Nëse LSI-ja nuk do të jepte 4 mandatet e saj në 2009, sot shqiptarët do të vazhdonin të ishin viktima të trafikut të vizave, që fëmijët e tyre për t’i shëruar nëpër spitalet evropiane duhet të paguanin, do të vazhdonin të ishin nëpër radha të gjata nëpër dyert e ambasadave, për t’u tundur pasaportat në fytyrë shqiptarëve. Sot shqiptarët do të ishin më të izoluar se ç’kanë qenë. Por ato katër mandate të LSI-së në 2009-n, bënë që sot shqiptarët të lëvizin në Evropë të lirë si të gjithë evropianët e tjerë. Kush e ka harruar, duhet t’ia kujtojmë. Mos harrojmë që dhe sot LSI-ja mban një nga postet, ndoshta jo të pushtetshëm, pa polici, pa tenderë, siç është Ministria e Integrimit. Është një Ministri që në dukje për njerëzit është, po themi burokratike, por në fakt është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Është një Ministri që përballet çdo ditë, jo vetëm me intriga, por përballet çdo ditë me vështirësitë, me korrupsionin, me pabesitë, me indiferencën, me paaftësinë herë pas herë edhe të administratës tonë, e cila çdo ditë gjithë këtë zullum që e bëmë, dashje pa dashje, në politikën shqiptare, duhet ta mbulojmë, ta pastrojmë apo edhe ta lajmë. Është një vështirësi shumë e madhe, sepse ne duhet të ecim patjetër në rrugën e integrimit evropian dhe që të ecësh në rrugën e integrimit evropian duhet të kryesh disa procese, të cilat nuk janë në dorë të LSI-së, por në dorë të të gjithë aktorëve politikë duke filluar që nga opozita, nga të gjithë partnerët tanë ë bashkëqeverisës në koalicion. Dhe unë dua ta përgëzoj pak këtu Klajdën në emrin tuaj për këtë punë të vështirë që ajo bën, edhe pse herë pas here detyrohet të mbyllë gojën dhe t’i mbajë gjërat për brenda, sepse gjërat duhet të ecin në rrugën e duhur. Por që të ecësh në rrugën e duhur, duhen edhe njerëzit e duhur.
Kështu që kjo është LSI-ja, është një parti e vogël në dukje, në fakt merret edhe me hallet e vogla, me problemet e vogla të njerëzve, të cilat janë të përditshme. Sepse hall i madh është për të shkuar në Hënë, nuk është hall i madh të sigurosh bukën e përditshme, quhet hall i vogël sot. Nuk është hall i madh të shkollosh fëmijët, nuk është hall i madh të krijosh një vend pune për të garantuar që të paguash dritat dhe ujin, se përndryshe futesh në burg. Nuk është hall i madh të kesh para për të blerë librat e fëmijëve të tu. Nuk është hall i madh, të kesh para të blesh ilaçet e prindërve të tu të sëmurë, por janë halle të vogla, halle të vogla që njerëzit do t’i gjejnë dhe do t’i zgjidhin tek LSI-ja. Sepse LSI-ja vërtet është një shtëpi e vogël, por ka një derë të madhe dhe të hapur gjithmonë kurdoherë dhe kurdoherë për këdo që do të vijë tek ajo.
LSI-ja është një parti e njerëzve të thjeshtë, sepse shqiptarët janë njerëz të thjeshtë. Jemi një popull që nuk e kemi kaluar revolucionin industrial akoma, dhe mesa duket tranzicioni është revolucioni industrial që po kalojnë shqiptarët. 
Duke qenë një popull i thjeshtë, ne kemi nevojë për një politikë të thjeshtë. Nuk kemi nevojë për një politikë të madhe, nuk kem nevojë për ëndrra të parealizueshme. Ne kemi nevojë për një ëndërr të thjeshtë, për një ëndërr të vogël, për një ëndërr të bukur që të jetojmë të lumtur në vendin tonë të vogël dhe të thjeshtë. Ne nuk kërkojmë një pikturë të madhe me shumë ngjyra, ne kërkojmë pikturën tonë, piktura jonë është një Shqipëri evropiane dhe një Shqipëri e shqiptarëve.
Jam e bindur që kam qenë e juaja, jam e juaja, do të jem e juaja edhe pse vajza ime e vogël do të bëhet xheloze për këtë që them, por të jeni të bindur që jeta ime, pjesën më të madhe të saj e ka kaluar në politikë. Edhe dashuria ime në politikë ka qenë, është dhe do të jetë dhe fëmijët e mi u rritën në politikë dhe, ndoshta e vetmja po të themi ndjenjë faji, që mund të ketë një grua si puna ime dhe jam e bindur se pas disa vitesh edhe Klajda, Erisa dhe të gjithë nënat e reja do ta ndiejnë këtë, po të themi një ndjenjë faji që do të kenë, sepse vitet më të bukura të fëmijëve tanë, ne i kalojmë duke luftuar, duke punuar për të bërë disa gjëra sado të vogla, por shpresojmë që të jenë të mira.
Ju uroj suksese, të gjithë ekipit të ri!
Dua të them edhe dy gjëra shumë të rëndësishme.
Mos harroni që LSI-ja është e vetmja alternativë që kanë sot shqiptarët. E vetmja alternativë, është e vetmja parti që nuk ka asnjë lloj kompleksi në të gjithë gjërat e saj, është vetmja parti që ka kodet e saj të funksionimit, të cilat janë: Respekto ligjin dhe respekto zotin lart në qiell! Janë dy gjëra shumë të rëndësishme, dy kode të pacenueshme, të cilat bëjnë këtë, që LSI-ja të rritet çdo ditë e më shumë, sepse në bazë të saj dhe në themelet të saj qëndron jo vetëm familja dhe dashuria për njëri tjetrin, por qëndron shqiptarizmi që ajo ka, vlerat shqiptare që ajo ndërton. Unë e them me bindje, që LSI-ja do të jetë forcë fituese në zgjedhjet e 18 qershorit, sepse LSI-ja ka një sekret. Sekreti i LSI-së janë të rinjtë dhe të rejat, janë djemtë dhe vajzat e saj që rriten çdo ditë, shtohen çdo ditë dhe e bëjnë çdo ditë më të madhe LSI-në, por edhe më të bukur.
Suksese dhe fitore në zgjedhjet e 2017!
Sigal