Monika Kryemadhi, letër ambasadorëve: Zgjidhje vakumit për reformën në drejtësi, të ndryshojë Kushtetuta

684
Kryemadhi, letër ambasadorëve: Zgjidhje vakumit për kryeprokurorin
Kryetarja e LSI-së shprehet se Kuvendi po përbuz vlerësimet e ONM-së, ndërsa zgjedhja e Arta Markut duhet të anulohet 
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, u është drejtuar me një letër ambasadorëve të huaj lidhur me ecurinë e reformës në drejtësi dhe zgjedhjen e anëtarëve të KLP-së e KLGJ-së. Në letrën e saj, Kryemadhi ka shpjeguar edhe nismën e opozitës për mbushjen e vakumit ligjor që ekziston për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, ndërsa ka kërkuar anulimin e caktimit të Arta Marku në krye të organit të akuzës. 

Letra e plotë
Të nderuar Shkëlqesi Ambasadorë,
Përfitojmë nga rasti t’ju falënderojmë, Ju dhe Përfaqësitë tuaja Diplomatike në Shqipëri për takimin e fundit të organizuar së bashku, ku ndamë me ju shqetësimet, problematikat dhe sfidat në të cilat po përballet Shqipëria. Problemi më kritik vazhdon të mbetet implementimi i Reformës në Drejtësi dhe më poshtë ju paraqitim dhe njëherë ngërçin e rrezikshëm të krijuar për shkak të shkeljes flagrante të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjeve përkatëse të Reformës në Drejtësi.

Sjellja arrogante e mazhorancës ka minuar rëndë dialogun politik dhe veprimi më i fundit i zgjedhjes në mënyrë të njëanshme të Kryeprokurorit të Përkohshëm vetëm me 69 vota të maxhorancës, kur duhet të votohej së paku me 3/5 e anëtarëve të Kuvendit, në shkelje të hapur të kushtetutës e të ligjit, ishte një veprim kulmor. Kjo gjithashtu ka ulur mjaft besimin e qytetarëve te Reforma në Drejtësi pasi kredoja e kësaj reforme ishte paanësia, profesionalizmi dhe jo kapja politike. 

Një moment i patolerueshëm është përbuzja e opinioneve të dhëna nga ONM për kandidatë të caktuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit (ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrit Tahiri), ky i fundit me gjithë se ONM është shprehur shumë qartë se kandidatë të caktuar si p.sh kandidati i shoqërisë civile Z. A. B. i cili sipas ONM përveçse nuk plotësonte kriteret ligjore nuk kishte as dhe integritet moral, përkundrazi kualifikohet nga Sekretari i Përgjithshëm dhe klasifikohet i pari. E njëjta gjë dhe për kandidatin tjetër Z. A. M., ndërkohë që Znj. Q. e klasifikuar e para dhe e vetmja që plotësonte të gjitha kriteret, klasifikohet e fundit nga Sekretari i Përgjithshëm. Është fare e qartë që ONM, roli i të cilës është sanksionuar edhe në Kushtetutën e Shqipërisë anashkalohet dhe nëpërkëmbet nga urdhrat politik me të cilët vepron Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit. ONM përfaqësonte praktikisht monitoruesin dhe pjesëmarrësin aktiv të BE dhe SHBA në proces si garant të tij dhe aktualisht kjo garanci për fat të keq nuk ekziston më.

Të gjitha veprimet e mësipërme të mazhorancës janë të një linjë politike që ka prioritet kapjen e drejtësisë. Kjo do të ketë pasoja të rënda politiko-shoqërore për vendin, si dhe për pritshmërinë e qytetarëve për një sistem drejtësie të paanshme dhe të pakorruptuar. Pra situata për shkak të këtyre qëndrimeve të maxhorancës, e cila e ka shndërruar arrogancën dhe përbuzjen e ligjit në një vijë sjellje, e ka bërë shumë të vështirë komunikimin dhe bashkëpunimin politik mes mazhorancës dhe opozitës, për ato çështje të mëdha që na bashkojnë e ku integrimi evropian është prioritet kryesor. Duke analizuar me shumë përgjegjësi situatën politike dhe të zbatimit të ligjit, së bashku me forcat e tjera opozitare në vend kemi ndërmarrë një iniciativë të drejtpërdrejtë për të rikthyer kushtetutshmërinë e procesit të reformës në drejtësi, duke i drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, një kërkesë për rikthimin e ligjshmërisë në funksionimin e organit të Prokurorisë, si dhe disa propozime për zgjidhjen kushtetuese dhe ligjore të situatës e cila është jashtë kushtetutës dhe ligjeve të reformës.

Propozimet e paraqitura Kuvendit po i parashtrojmë më poshtë: 
1 – Të anulohet akti antikushtetues i zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm;
2 – Të plotësojmë vakumin kushtetues dhe ligjor për zgjedhjen e një Prokurori të Përgjithshëm të Përkohshëm, në kushtet e mungesës së KLP-së;
3 – Pas plotësimit të vakumit kushtetues dhe ligjor, të bëjmë përpjekje serioze institucionale për të caktuar në mënyrë konsensuale një Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm, që i është nënshtruar paraprakisht procesit të Vetingut me procedurë të përshpejtuar;
4 – Ofrimin e mundësisë së zgjedhjes së kandidatit më të mirë, nëpërmjet një mekanizmi efikas zhblokues, në rast se nuk arrihet konsensusi në Kuvend, për të shmangur përdorimin politik, qoftë edhe nga opozita, të këtij procesi.

Për më shumë informacion të detajuar lutemi të gjeni bashkangjitur shkresat zyrtare të dërguar Kryetarit të Kuvendit më datë 15 Janar 2018, të firmosura nga më shumë se 50 deputetë. Bashkëlidhur do të gjeni dhe pjesë nga raporti i verifikimit për kandidatët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë që vijnë nga shoqëria civile. LSI është e gatshme që për çështje me prioritet madhor kombëtar edhe pse mes vështirësish komunikimi, të gjejmë zgjidhje të përbashkëta në interes të qytetarëve. Reformën që votuam me 140 vota dhe 7 ligjet e paketës së Reformës në Drejtësi, nëpërmjet garancisë tuaj si BE dhe SHBA, ne si LSI i votuam pa asnjë mëdyshje. Partia Demokratike ishte ajo e cila nuk votoi disa prej ligjeve dhe koha tregoi që konstatimet e tyre ishin të drejta.

Dëshirojmë t’ju sigurojmë se do të jemi gjithmonë promotorë të dialogut dhe konsensusit, duke e pasur procesin e Integrimit Evropian si pjesë të ADN tonë, jemi të gatshëm të kontribuojmë në implementimin sa më korrekt të Reformës në Drejtësi. Në këto momente delikate për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, roli juaj është shumë i rëndësishëm për krijimin e një klime politike të re që largon konfliktualitetin dhe konsolidon kulturën e zbatimit të ligjit dhe veçanërisht të reformës në drejtësi. Ndaj ne do të mirëprisnim çdo angazhim tuajin në këtë synim të përbashkët. 

Me respekt, 
Monika Kryemadhi
Sigal