Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së: Ne jemi sot një parti e Shpresës

127

Ne lindëm si një Parti e Re, 14 vite më parë, në 6 Shtator të vitit 2004. U mblodhëm dhe themeluam Lëvizjen Socialiste për Integrim, sepse arroganca e atëhershme e kupolës socialiste ishte e padurueshme, ishte çdo ditë e më tepër jo socialiste, larg nga hallet dhe nevojat e mprehta të njerëzve të thjeshtë. Ne u rrënjosëm menjëherë në popull dhe te njerëzit, pranë të përditshmes së tyre, pranë punës dhe shkollës. U lindëm si një forcë progresiste, për më shumë barazi ndërmjet shtresave të popullit, për më shumë shanse të barabarta në çdo qelizë të shoqërisë sonë që rrezikohej dhe rrezikohet edhe sot të përçahet, në Oligarkë dhe shërbëtorët e tyre harbutë dhe në mjeranë që kanë humbur shpresat në vendin e tyre. Ne, LSI, jemi sot një parti e Shpresës, e mundësive sa më të barabarta dhe e Integrimit në familjen e madhe Evropiane, që është një aspiratë e thellë dhe e patundshme e shqiptarëve. Ne jemi një Parti, që nuk kemi lejuar dhe nuk do të lejojmë Oligarkët dhe shpurat e tyre, t’i mbiquajnë punëtorët dhe fermerët e thjeshtë me terma përbuzës. Por nëse ne bashkëpunuam frytshëm me ish-kryeministrin Berisha, nuk mund të them se arritëm rezultate të ngjashme pozitive me Rilindjen e Edi Ramës, që ishte një farsë, një fasadë dhe një maskë, për nënshtruar Partinë Socialiste dhe pastaj të gjithë shqiptarët. Me PS-në ishim më afër ideologjikisht, por përse ta fshehim, kishim edhe nostalgjinë e kohës si ish-socialistë e themelues të dikurshëm, që në orët e para të lindjes së kësaj partie. Sot që flasim, Rama nuk ka më asnjë alibi, nuk ka më asnjë justifikim për marrëzitë e tij dhe pangopësinë e padëgjuar të vendimmarrjeve të tija korruptive. Të gjithë ne, sot jemi të qartë që kemi përballë jo vetëm një qeverisje të dështuar, por edhe një regjim të mirëfilltë, që mbahet në këmbë nga bandat e drogës, nga bandat që vrasin dhe terrorizojnë qytetet shqiptare, në Shkodër, Elbasan, Vlorë, Durrës, Fier dhe padyshim edhe në Tiranë, nga bandat e tenderaxhinjve, nga bandat e mediave të shitura. Po ne kemi lindur dhe do të vijojmë të jemi një parti njerëzish guximtarë e trima, djem e vajza që kanë pasion dhe mision sfidën dhe që nuk u tremben nga bandat e mercenarëve. Sepse kështu ka qenë dhe do të jetë: “Nuk ka më frikacakë më të mëdhenj, se sa mercenarët, kur ndeshen me idealistët dhe nuk ka më trima në botë se sa Misionarët që kanë qëllim çlirimin e vendit tyre nga pengmarrja e regjimeve! Në këtë rast nga regjimi i Ramës!”