Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së: Në 16 Shkurt do të protestojmë për të rrëzuar sistemin ku një njeri mjeron gjithë shqiptarët

117

Protesta e 16 shkurtit bëhet për ata banorë të “Unazës së Re”, bëhet për studentët, për naftëtarët, për minatorët, për pensionistët, të cilëve pensioni nuk u del as për të paguar ilaçet e tyre e jo më të paguajnë dritat e ujin, çmimi i të cilave rritet çdo ditë. Kjo protestë do të jetë për nxënësit e gjimnazeve të cilët kërcënohen çdo ditë nga mësues mediokër dhe kamikazë të qeverisë së Rilindjes. Kjo protestë do të bëhet për ata fëmijë shkollash, kopshtesh e çerdhesh, të cilët rrihen nga edukatorë makabër, sepse kanë paguar për të marrë vendin e tyre të punës. Kjo protestë do të bëhet për ata shoferë taksish, të cilët mezi mbajnë me bukë fëmijët e tyre, që iu hiqen licencat e punës dhe iu jepen oligarkëve për të krijuar kompanitë e tyre fiktive për të pastruar paratë. Kjo protestë do të bëhet për shoferët e autobusëve, të cilëve çdo ditë iu rritet çmimi i naftës, gjë që e bën të pamundur për ta të mbajnë linjat e tyre urbane në biznes. Kjo protestë do të bëhet për peshkatarët, për të gjithë ata të cilët çdo ditë e më shumë ndihen jo vetëm të frustruar e të zemëruar, por ndihen të shfrytëzuar në maksimum e nuk shikojnë më asnjë shpresë e asnjë të ardhme.