Monika Kryemadhi: Kryeministri Rama ka qëllim në vetvete mbrojtjen e koncesioneve

483
Sigal

 Raporti i OSBE-ODIHR, legjitimon akuzat e opozitës

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në një intervistë televizive është shprehur, se mungesa e dialogut mes palëve vjen për shkak të arrogancës së kryeministrit. Ajo thekson se zgjidhja e krizës bëhet vetëm me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe flet për “përballje me bishën”. Sa i përket mendimeve ndryshe mes opozitarëve, Kryemadhi mohon se ka përçarje në opozitën e bashkuar.

A ka ndonjë shpresë që palët të ulen dhe të dialogojnë?

Mund të them që mungesa e dialogut nuk ka ardhur për shkak të opozitës, por prej arrogancës së mazhorancës dhe, sidomos të kryeministrit. Ka pasur shumë iniciativa nga opozita për t’u ulur në një dialog politik, por arroganca dhe forca e kartonit të mazhorancës bëri që të kishim opozitën me shpatulla pas muri që siç quhet në gjuhën e politikës, bejsboll kushtetues.

Si mendoni ju që mund t’i dilet kësaj krize politike?

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Duhet të vendosemi përballë një pozicionimi ose përballë një fakti të vendosur të opozitës, sepse një kryeministër ka qëllim në vetvete mbrojtjen e koncesioneve.

Ju jeni dakord me z. Basha kur thotë, që unë hyj në zgjedhje vetëm pa Ramën Kryeministër?

Ne si LSI nuk kushtëzojmë asnjëherë momentin e zgjedhjeve. Pse e themi, nuk kushtëzojmë momentin e zgjedhjeve, sepse ne mendojmë që zgjedhjet janë i vetmi instrument që në një farë mënyre do të zhbëjë të gjithë këtë nyje të lidhur keqas, për shkak të mosfunksionimit të gjykatave, për shkak të mosfunksionimit të sistemit, të demokracisë. Ne duhet të përplasemi, në duhet të luftojmë me bishën, sepse nëse nuk luftojmë me bishën nuk ka kush ta mundë bishën dhe në këtë rast, bisha është kapja e pushtetit nga kryeministri. Ne si LSI mendojmë që është e domosdoshme përballja në zgjedhje e të gjithë opinionit publik.

A duhet të ndryshojë strategjia e opozitës?

Raporti i OSBE-ODIHR është një raport, i cili për hir të së vërtetës, jo vetëm që legjitimon të gjitha akuzat po themi dhe pretendimet e opozitës, por është një raport, i cili do të jetë sot në të gjitha kancelaritë ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, duhet një reflektim i menjëhershëm nga mazhoranca, nëse do të duam që Shqipëria të marrë drejtimin e OSBE-së në 2020-n.

Kryeministri Rama në rrjetin e tij social Twitter ka deklaruar, se ky dokument certifikon zgjedhjet e 13 qershorit…?

Tani unë kam përshtypjen që zoti Rama ka probleme me leximin. Por raporti i OSBE/ODIHR është shumë i qartë. Raporti i OSBE/ODIHR thotë se dekretet e presidentit janë të ligjshme dhe gjykohen vetëm në Gjykatë Kushtetuese. Raporti i OSBE/ODIHR thotë që vettingun zoti Rama e përdori për të shantazhuar gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor. Raporti i OSBE/ODIHR thotë që prokuroria nuk dënon dhe nuk ndëshkon krimin elektoral. Raporti i OSBE/ODIHR thotë që qytetarët shqiptarë nuk kishin mundësi zgjedhjeje. Raporti i OSBE/ODIHR thotë që u nxitua për të krijuar një parti politike dhe e regjistruan në mënyrë të paligjshme. Raporti i OSBE/ODIHR thotë që KQZ ishte komplet politik dhe me veprimtari politike partiake. Raporti i OSBE/ODIHR thotë që komisionet zgjedhore ishin të pa balancuara politikisht. Dhe unë nuk e gjej dot, në 37 faqe nuk e gjej dot fjalën që zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme. Por gjej vetëm mbi 40 e sa argumente që tregojnë që zgjedhjet kanë dështuar, pra nuk ishin zgjedhje por votime një partiake.

A mendoni se opozita është e gatshme sot të ulet bashkë me PS-së për një kod të ri zgjedhor?

Në kodin zgjedhor, që të jemi të sinqertë diskutimi i vetëm është, si do të jetë? Do të jetë me lista të hapura apo me lista të mbyllura? Do të jetë mazhoritar apo proporcional? Dhe janë kërkesa, të cilat opozita Ia ka bërë të qarta edhe OSBE-ODIHR-it dhe gjithë institucioneve të tjera ndërkombëtare, të cilat këtu iu duhet ajo gatishmëria politike dhe dëshira politike e partive politike për të ndëshkuar krimin elektoral.

  1. Meta ka qenë përpara komisionit hetimor parlamentar, i cili po e akuzon për shkeljen e Kushtetutës. Mendoni se ky komision do ta ndërmarrë aktin ekstrem deri në shkarkimin e presidentit?

Mua nuk më shqetëson fare kjo gjë. Nuk është pjesë e agjendës sime politike dhe e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Agjenda jonë është të nxjerrim Shqipërinë nga ky lloj fukarallëku, në të cilin e ka futur regjimi i Edi Ramës. Besoj se z. Meta i ka kapacitetet e veta për t’u përballur politikisht dhe, di të them, që është një makineri politike e që është shumë e vështirë për ta ndalur.