Monika Kryemadhi: Institucionet ndërkombëtare të marrin në mbrojtje Xhisela Malokun

517
Sigal

Kryetarja e LSI u kërkon ndërkombëtarëve të marrin në mbrojtje vajzën e përdhunuar e të kërcënuar

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, i bëri thirrje prokurorisë dhe policisë që të marrin në mbrojtje Xhisela Malokun, e cila ka akuzuar djalin e deputetit socialist Rrahman Rrahja për dhunim.

Kryemadhi: Do të ishte e rëndë që ngjarja të mos hetohej, prandaj i bëj thirrje Prokurorisë dhe të gjithë atyre segmenteve të Policisë së Shtetit, të cilat ndihen të pakapura dhe të painkriminuara, jo vetëm në çështjen në fjalë, por në të gjithë situatën që është përfshirë sot Policia e Shtetit dhe situata e rendit në Shqipëri, që të marrin në mbrojtje me institucionet ndërkombëtare Xhisela Malokun, sepse vetëm në këtë mënyrë kjo çështje do të zbardhet përfundimisht. Tre herë ka denoncuar Xhisiela Maloku në institucionet e policisë dhe tre herë ka tërhequr denoncimin e saj, si rezultat i dhunës, i presionit dhe i pambrojtjes së saj nga institucionet e shtetit shqiptar. Tre herë ka denoncuar Xhisela Maloku, tre herë ajo është tërhequr e frikësuar dhe e dhunuar. Nuk më shqetëson ose nuk më bën çudi pjesëmarrja e Taulant Ballës në këtë ngjarje, sepse përpara se ai të sqarojë pozicionin e tij në këtë histori, duhet të mbajë përgjegjësi si kryetar i grupit të deputetëve të PS dhe të thotë, nëse qëndron apo jo, që djali i një deputeti të Partisë Socialiste, jo vetëm që ka kryer këtë dhunë dhe këtë krim, por edhe është i kërkuar dhe i ndjekur penalisht nga drejtësia shqiptare, Drejtësi, e cila sot për hir të së vërtetës me reformën që është në duart e Edi Ramës është e kapur nga vetë djali i deputetit socialist, i cili është edhe ligji edhe Maliqi. Është ligji që vendos për veten e tij, për të qenë i lirë dhe është Maliqi për ta përdorur kamxhikun e drejtësisë së Edi Ramës si t’i dojë qejfi mbi Xhisela Malokun. Është një nga rastet që nuk ka përfunduar me snajper, me plumbin e snajperit në lule të ballit dhe me dhunimin e një vajze të re, duke e nxjerrë përballë një televizioni për të dhënë një intervistë, nën frikën apo dhe nën dhunën e presionit të tij. Prandaj, i bëj thirrje të gjithë atyre prokurorëve të ndershëm dhe policëve, që jo të distancohen, por të vazhdojnë më tej ta hetojnë këtë çështje dhe të kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve ndërkombëtare për të mbajtur në mbrojtje Xhisela Malokun.