Monika Kryemadhi: Gati projekti pilot për zhvillimin e sektorit të peshkimit

492
Sigal

Deputetja e LSI-së në Qarkun e Lezhës diskuton me peshkatarët e Shëngjinit mbi zhvillimin e sektorit të peshkimit

 “Edhe në programin tonë, por edhe në programin e qeverisë aktuale, zhvillimi i bujqësisë, sidomos i peshkimit, blegtorisë, është një prioritet, gjë që mund të sjellë një rritje të jashtëzakonshme të ekonomisë për atë që ofron vetë Shqipëria, duke qenë një vend mjaft i vogël dhe mjaft modest për sa i përket buxhetit të saj, por mund të themi se është një vend i mrekullueshëm për të ofruar ushqime të mrekullueshme, qofshin këto organike apo bio”. Kjo ka qenë deklarata e shprehur nga Deputetja e LSI-së në Qarkun e Lezhës, znj. Monika Kryemadhi, gjatë një takimi e shoqëruar edhe nga zv/ministri i Bujqësisë, Alban Zusi, që u zhvillua në portin e Shëngjinit me peshkatarët e kësaj zone.  Në këtë takim u diskutuan mbi një projekt pilot për zhvillimin e sektorit të peshkimit. Ky projekt, që është ende në fazën e diskutimit, konsiston në rregullimin e portit, krijimin e një tregu peshku si dhe përmirësimin e kushteve të punës për peshkatarët, ku këta të fundit të jenë vetë palë bashkëpunuese me shtetin. Gjithashtu gjatë këtij takimi znj. Kryemadhi foli për rëndësinë e bashkëpunimit mes komunitetit të peshkatarëve dhe institucioneve shtetërore si edhe për shqetësimet kryesore që kjo kategori ka, duke theksuar nevojën për të forcuar bashkëpunimin mes shoqatave të peshkatarëve dhe Ministrisë së Bujqësisë. “Dua të them që jemi në kuadrin e një projekti pilot për të vetme arsye sepse këtu ka munguar ky bashkëpunim, sepse mundësitë tona janë për ta kthyer këtë bashkëpunim”, tha ajo. Ajo që ka munguar është bashkëpunimi midis komuniteteve të biznesit dhe qeverisë shqiptare, gjë e cila duhet të kthehet në efiçencë. Kjo gjë të mos kthehet thjesht në një ndihmesë politike për individë të caktuar, të mos bëhet thjesht një tabelë politike subvencioni, që u jepet fermerëve, bujqve apo edhe peshkatarëve, por edhe në një subvencion të drejtpërdrejtë që do të ndihmojë peshkatarët”. Sipas saj, natyra është treguar bujare me Qarkun e Lezhës dhe Komunën e Shëngjinit, duke u ofruar një klimë të shkëlqyer dhe mundësi për të zhvilluar turizmin dhe peshkimin, por ka munguar organizimi i degëve të ndryshme apo edhe institucioneve shtetërore për të rakorduar dhe për t’u krijuar mundësi fermerëve, peshkatarëve apo bujqve për të krijuar bashkëpunime jo vetëm me vendet të Bashkimit Evropian, por edhe për të krijuar mundësitë e kthimit të vendit në një efiçencë shumë të madhe. “Ajo çka ofron Qarku i Lezhës dhe akoma më shumë Komuna e Shëngjinit është turizmi dhe peshkimi. Po të shikojmë edhe sot në gjithë vijën bregdetare të Shëngjinit ka fabrika të konsiderueshme, të cilat bëjnë përpunimin e peshkut, por lënda e parë e tyre vjen në shumicën e rasteve e importuar nga jashtë, kur këtë gjë ne mund t’ua ofrojmë me prodhimin vendas, duke kthyer peshkatarët tanë në punë. Kjo gjë krijon jo vetëm mundësinë e punësimit, por na jep edhe mundësinë e krijimit të një ekonomie stabël për peshkatarët dhe për të gjithë komunitetin e Shëngjinit,vijoi deputetja e LSI-së.