Monika Kryemadhi: Fermerët dhe kooperativa e krokodilave

383
Sigal

Pesë kërkesat e fermerëve dhe kooperativa e krokodilëve

Monika Kryemadhi

Kryetare e LSI-së

Sot (dje) fermerët u mblodhën për herë të tretë, brenda pak javësh, në protestë për të drejtat e tyre. Protestat dhe kërkesat e tyre kanë mbështetjen e plotë, timen dhe të LSI. Pesë kërkesat e fermerëve janë minimale. Unë po i rendis një e nga një ato, për t’ua bërë të njohura çdo shqiptari. Censura qeveritare dhe manipulimi me të vërtetën rreth kërkesave të fermerëve ka qenë prioriteti i vetëm i makinës dezinformuese dhe përçarëse mes shqiptarëve, që ka për shofer dhe timonier Edi Ramën.

1: Fermerët shqiptarë kërkojnë subvencion sipas prodhimit. Metodë që e ndjekin të gjithë vendet fqinje, të cilët janë edhe konkurrentet direkt të fermerëve tanë.

2: Vlerësim dhe kompensim financiar me çmim dysheme të tregut për produktet e humbura nga fatkeqësi të mëdha natyrore dhe për stokun e prodhimeve të shkaktuara nga çrregullimet e tregut. Kjo politikë ndiqet nga të gjithë fqinjët tanë për fermerët e tyre.

3: Barazimi i TVSH për produktet bujqësore, si në shitje ashtu edhe në blerje.

4: Drejtoritë e Bujqësisë dhe ministria, të mos jenë në shërbim të monopolistëve të importeve bujqësore dhe të imputeve, por të bëjnë punën e tyre sipas ligjit dhe t’i përgjigjen tatimpaguesve, që i paguajnë rrogën. Të bëjë analiza, kontrolle, monitorime për tokën, plehrat dhe farërat. Të ndërtojë një laborator të akredituar, që eksportet shqiptare të garantohen përballë sulmeve nga agjencitë e shteteve konkurrente.

5: Pika e fundit është një lutje ndaj qeverisë për të kryer detyrën e saj parësore. Të bëjë rregullime me ligj të kushteve dhe mënyrën e kryerjes së tregtisë me produktet bujqësore.

Pse nuk plotësohen kërkesat minimale të fermerëve?

Sot shqiptarët kanë një qeveri të ardhur në pushtet me votat e mbledhura nga presioni dhe intimidimi i votuesve nga krimi i organizuar dhe blerja me paratë e PPP të oligarkëve, ndaj ata janë kaq të papërgjegjshëm dhe arrogantë me fermerët, si edhe me çdo shqiptar që punon dhe jeton me djersën e tij. Kjo qeveri udhëhiqet nga paaftësia, këtë e tregoi me dëmin që i solli eksporteve dhe prodhimeve bujqësore dhe blegtorale ulja e TVSH në masën 6%. Kjo masë solli uljen e eksporteve dhe rikthimin e balancës negative mes eksporteve dhe importeve. Para dy vitesh Shqipëria eksportonte prodhime bujqësore më shumë se importonte. Sot fermerët e kanë kuptuar që kanë të bëjnë me një qeveri të paaftësh. Qeveria e Rilindjes ka si inspirim grabitjen e më të dobëtëve, nëpërkëmbjen, trajtimin e tyre si qytetarë të dorës së dytë dhe arrogancën kriminale ndaj kërkesave të tyre. Heqja e TVSH për imputet bujqësore u shpall si iniciativë në mbrojtje e fermerëve. Nga kjo manovër propagandistike dolën të fituar vetëm qeveritarët hajdutë edhe monopolistët e importeve. Çmimi i imputeve nuk ul përkundrazi u rrit. Sot janë ulur me shtatë herë subvencionet në bujqësi. Qeveria e krokodilëve e ka mendjen tek PPP-të korruptive në miliarda euro dhe nuk arrin t’i japë fermerëve as vlerën e një “kilometri” rrugë, që pa garë dhe me letra false i ndan me oligarkët hiena. Fermerët japin 24% të prodhimit kombëtar, por paratë shkojnë për “Kooperativën e Krokodilëve të Qeverisë dhe Oligarkëve”. Numri i gjedheve vetëm këto dy vite ka rënë me mbi 100 mijë kokë dhe i të imtave ka rënë me mbi 500 mijë kokë, ndërsa numri i autoboteve me qumësht nga Serbia është rritur në mënyrë eksponenciale, si dhe importet e produkteve bujqësore janë rikthyer frikshëm duke shkatërruar prodhimet shqiptare. Kjo qeveri, me politikat e saj është antikombëtare, në thelb edhe në veprim. Goditja e fermerëve dhe blegtorëve po i detyron ata të braktisin tokat dhe serrat. Goditjet ndaj fermerëve dhe biznesit të vogël kanë për qëllim asgjësimin ekonomik të patriotëve dhe familjes shqiptare. Këmbët e trinomit që mban në pushtet Edi Ramën dhe oligarkët e tij janë: Paaftësia qeverisëse, grabitja e pasurive dhe taksave, si dhe veprimet e saja antikombëtare. Në fund dua të ritheksoj edhe njëherë qëndrimin tim si kryetare e LSI, por edhe si qytetare e këtij vendi se mbështes fuqimisht kërkesat e fermerëve. Duke mbështetur fermerët mbështesim Kombin, Familjen dhe Atdheun. Sepse Shqipëria është shtëpia e çdo fermeri, blegtori, artizani dhe e çdo shqiptari, që do të jetojë në vendin e tij, me punë të ndershme.