Monika Kryemadhi: Europa dhe protestat e opozitës

87

Prononcimi i Kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi para protestës (Pjesa II)

Sa e ka ndihmuar Evropa opozitën në protestat e saj?

Situata në Evropë për hir të së vërtetës nuk është më ajo që ka qenë, sepse vetë gjendja në të cilën po kalon Bashkimi Evropian e bën pak të pavëmendshme. Por ne mendojmë që hallet tona nuk do t’i zgjidhin evropianët, duhet t’i zgjidhim vetë. Si do të ndihej secili nga ju nëse ikën një Edi Ramë dhe vjen një Edi Ramë tjetër. E gjithë kjo nuk është për të lëvizur një person, por për të ndërtuar një sistem të ri vlerash. Ne duhet të mbyllim njëherë e përgjithmonë tranzicionin, një tranzicion që e ka lodhur këtë popull. Mbi të gjitha, unë e kam nisur fëmijë, e kam nisur 17 vjeç dhe sot jam nënë me tre fëmijë dhe jam 45 vjeç dhe akoma vazhdojmë me tranzicion. Kjo do të thotë një kalvar vuajtjesh dhe moszhvillim, mos ecje përpara. Prandaj ne duhet t’i japim fund këtij tranzicioni duke ngritur një sistem vlerash dhe jo duke ngritur një sistem antivlerash që ka ngritur Edi Rama.

Sistemi i vlerave do të jetë pa Monika Kryemadhin, Edi Ramën dhe Lulzim Bashën?

Nuk është çështje emrash. Monika Kryemadhi edhe sot mund të iki. Edhe Lulzim Basha, edhe Edi Rama, secili nga ne jetën nuk e ka ndërtuar në bazë të politikës. Më e rëndësishmja është që ne të paktën duhet t’u lëmë fëmijëve tanë garancinë për të jetuar të lirë dhe si evropianë. Mos harrojmë që Shqipëria është në mesin e botës, është Mesdheu dhe të jesh një nga vendet më të pasura, qoftë me pasuritë natyrore, katër stinët e vitit, një vend i bekuar nga Zoti, por vetëm me një mallkim, me një klasë politike e cila është e paaftë për të zgjidhur problemet që ka. Mendoj që brezi i ri do të sjellë mentalitetin e ri për të cilin ne kemi nevojë. Jemi në një situatë tepër të vështirë, por nëse ne vetë nuk do të mund të ndërtojmë atë sistem vlerash të cilin ne e kemi të nevojshëm ku balancimi i pushteteve të jetë i domosdoshëm, por edhe barazia mes njerëzve. Njerëzit nuk duhen ndarë në bazë të partive politike, njerëzit duhen ndarë për shkak të vlerave dhe meritave të tyre, por ama të gjithë jemi të barabartë para Zotit ashtu duhet të jemi të barabartë edhe para shtetit.

Znj. Kryemadhi si e shikoni qëndrimin e selive ndërkombëtare këtu në Tiranë për publikimin e audio-përgjimeve nga dosja 339?

Nuk më shqetësojnë fare. Unë e kam thënë, fatin e shqiptarëve nuk e vendosin ambasadorët, i kam miq, i respektoj, i vlerësoj, por do të isha shumë kurioze të dija çdo të ndodhte në Gjermani apo në Francë nëse ambasadori shqiptar do të dilte dhe do dënonte dhunën e jelek-verdhëve në Paris. Ambasadorët në fund të fundit mandatet 4 vjeçare i kanë dhe ikin nga Shqipëria dhe ngelen thjeshtë një memorie në ditarët e tyre por ne do jetojmë këtu.

Dukeni e zbutur në deklarata pas kthimit nga Italia?

Dukem e zbutur sepse kam kuptuar që njerëzit duhet të jenë më njerëzor, sidomos ne shqiptarët. Kam, kuptuar që gjërat e pamundura nuk ke pse i bën të mundura kur janë të pamundura dhe mendoj që pak nga pak të gjithë duhet të fillojmë të bëhemi shërbëtor të denjë të Zotit në kuptimin e mirë të fjalës sepse mbi të gjitha na duhet besimi, sepse besimi sjell forcën, sjell dhe besimin në vetvete. Ky reflektim i imi vjen dhe si rezultat i forcës së madhe shpirtërore sepse v mendoj që agresiviteti dhe dhuna vjen nga frikacaku. I forti është i paqtë. I forti është modest. Frikacaku, arroganti dhe hileqari është ai që gjithmonë kërkon të bëjë gjëra të frikshme dhe të tensionojë dhe të bëjë një konflikt, për të bërë gjithmonë rolin e viktimës. Dhe unë këtë gjë e them dhe e kam thënë gjithmonë që çdo lloj dhune që bëhet në protestë dhe i bëj thirrje të gjithëve kush dëgjon tani aktualisht që të distancohen nga çdo lloj dhune. Sepse e kam thënë dhe e them, nuk janë shqiptarët protagonistët e dhunës, është Edi Rama ai që i ka kthyer shqiptarët në viktima. Dhe çdo akt i dhunës bën Edi Ramën viktimë. Dhe unë mendoj që policët që janë përballë nesh, godinat dhe institucionet përsëri janë njerëz të cilët janë më të fustruar dhe më nervozë se ne për shkak të qeverisjes së keqe, për shkak të pagave të ulëta. Mendoni, për të paguar orët jashtë orarit të Policisë së Shtetit, Edi Rama lëviz buxhetin e Ministrisë. Ndërkohë nga ana tjetër shikojmë një godinë e cila sa herë që dëmtohet paguhen para prapë nga taksat që paguajnë shqiptarët, kur me ato para mund të bëjmë gjëja të tjera shumë të nevojshme. Mund të ndihmojmë të moshuar, mund të ndihmojmë fëmijë jetimë e shumë e shumë gjëra të tjera.

Zonja Kryemadhi, mendoni që javën e ardhshme do të ketë një zgjidhje nga Brukseli, për shkak se dhe kryeministri Rama ka disa takime?

Kam përshtypjen që sado që Rama u bie telefonave dhe shkruan emaile, përgjigje nuk do t’i kthehet. Për shkak të problemit të madh, mund ta them këtë me modestinë më të madhe, ndoshta mund të jetë edhe pak më shumë seç duhet nacionaliste, nuk është se Europës i ka ardhur shumë keq për ne, por jam e bindur që Europës i ka ardhur në majë të hundës nga bandat dhe nga krimi i organizuar shqiptar, i cili menaxhon tashmë të gjithë trafiqet e drogës në Europë. Dhe kjo është një nga arsyet që shteti i parë që lëvizi ishte Hollanda, dhe ene e dimë shumë mirë se çfarë ndodh në rrugët e Amsterdamit dhe të Roterdamit me grupet kriminale shqiptare dhe kështu janë të gjitha të tjerat me radhë. Kjo është edhe një nga arsyet që Europa do të jetë më aktive, ose më e drejtpërdrejtë. Kemi interesa të përbashkëta, pra edhe Shqipëria edhe Europa kanë të njëjtin qëllim: luftë kundër krimit të organizuar dhe krijimin e një stabiliteti në Rajon. Mendoj që Shqipëria sot më shumë se kurrë ka nevojë për stabilitet.

Përveç protestave a ka ndonjë plan tjetër opozita pasi Edi Rama nuk po reflekton?

Kjo është në dorë të qytetarëve, ne jemi pjesë e këtij grupimi, drejtojmë grupet tona të partisë dhe simpatizantët dhe përkrahësit tanë por këtu nuk janë më partitë politike, tashmë është jashtë partive politike, janë qytetarët të cilët janë jashtë çdo skeme politike. Ky është një marshim qytetar që nuk ka për tu ndalur më dhe mund të them që është një nga marshimet më të mëdha që ka ndodhur ndonjëherë.