Monika Kryemadhi: Dyshja Rama-Veliaj sot janë të humburit e mëdhenj para qytetarëve të lirë të këtij vendi

436
Sigal

 

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka falënderuar sot artistët që rivendosën germat e Teatrit Kombëtar në godinën historike.

Në një mesazh në rrjetet sociale, duke shprehur mirënjohjen për këtë akt, shpreh dhe një herë qëndrimin e LSI për anulimin e ligjit lejon shembjen e Teatrit Kombëtar.

Dyshja Rama-Veliaj, që si hajdute në mes të natës hoqën gërmat e teatrit, sot janë të humburit e mëdhenj para qytetarëve të lirë të këtij vendi- shkruan Kryemadhi.

Postimi i plotë i saj:

Sot qytetarët e lirë, artistët e vërtetë, intelektualët kurajozë rivendosën germat e arta në godinën e Teatrit Kombëtar. Qëndresa e tyre prej mëse një viti inkurajon çdo njeri që lufton për të drejtën, për lirinë, për demokracinë, për vlerat kombëtare, për Shqipërinë, për Kombin.

Gjej rastin të falenderoj dhe të përshëndes Rudin, Kastriotin, Rezeartën, Anilën, Ervinin, Orin, Edmondin, Elonën, Julin, Tashën, Mirelën, Neritanin e qindra qytetarë të tjerë të lirë dhe mbi të gjitha Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit për këtë fitore morale të tyre. Për asnjë çast nuk u stepën përballë presioneve, as u blenë dhe as u shitën përballë ofertave milionere, por i qëndruan dhe i qëndrojnë kauzës së tyre deri në fitoren e plotë të mbrojtjes së vlerave kombëtare. Akti i tyre sot të mbush me shpresë dhe optimizëm, por më vendos edhe para një përgjegjësie sa qytetare aq edhe politike.

Dyshja Rama-Veliaj, që si hajdute në mes të natës hoqën gërmat e teatrit, sot janë të humburit e mëdhenj para qytetarëve të lirë të këtij vendi. E kam thënë dhe e përsëris me këtë rast që ligji korruptiv i PPP së teatrit do jetë i pari që do të anulohet dhe çdo kush që ka firmosur për këtë vepër korruptive do mbajë përgjegjësinë jo vetëm morale, por edhe ligjore.

Ky nuk është premtim, por angazhim para qytetarëve të lirë, që sot fituan betejën e tyre.
Të gjithë bashkë për e mbrojtjen e vlerave kombëtare.

Asnjë hap pas!