Monika Kryemadhi: Dhuna ndaj militantëve të LSI frymëzohet nga Edi Rama

468
Nënkryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi bënë përgjegjës Edi Ramën për gjithë skandalet e ditëve të fundit, duke nisur nga shkarkimet deri tek dhuna e ushtruar ndaj simpatizantëve të LSI-së. Ajo është e bindur se ata që dhunojnë e marrin frymëzimin nga lideri i së majtës Edi Rama. Për numrin dy të LSI-së, kryeministri, ndonëse flet për barazinë gjinore, për përfaqësimin e grave në parlament, thellë –thellë fsheh komplekset psikologjike të tij ndaj grave. “Të gjitha rastet e dhunës ndaj militantëve të LSI janë të shëmtuara, të dënueshme dhe të paprecedentë. Por rasti i dhunimit të dy grave në Pukë është forma më e shëmtuar e dhunës, që mesa duket këtë herë frymëzohet nga ai që duket si modern, por që thellë fsheh komplekset psikologjike. Ndërsa jo rrallëherë ka qenë në qendër të akuzave si dhunues i grave të tij, ai që sot hesht përballë këtyre fakteve tronditëse bën mirë t’i vërë gishtin kokës dhe të heqë dorë nga arroganca e pushtetit. Sepse nuk do mund të ndalë kurrë uraganin e fitores, që nuk trembet, as nga falangat e krimit dhe as nga shërbëtorët e armatosur me armët dhe paratë e hashashit. Sikundër uroj dhe shpresoj që këto para të mos kenë blerë as shoqatat tona, por dhe ato ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri dhe që trajtojnë të drejtat e grave”, shkruan Kryemadhi. Ajo ka një mesazh edhe për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako. “Si grua, si nënë dhe si politikane që kam kaluar shumë fushata dhe incidente, por asnjëherë dhunë ndaj dy zonjave, paralajmëroj dhe njëherë Haki Drogën të mos guxojë të prekë asnjë militant apo mbështetës të LSI. Mos t’i shkojë ndërmend se uniforma apo shefat e drogës që e mbajnë ende në detyrë do ta shpëtojnë nga përgjegjësia për atë që po përpiqet të kurdisë. Sikundër siguroj Saimirën, Rominën dhe të gjithë mbështetësit tanë, se jemi më të fortë se kurrë në fitoren tonë. Dhe se askush nuk mund ta ndalë uraganin e fitores së forcës së parë të zgjedhjeve të qershorit”, shprehet Kryemadhi.
Sigal