Monika Kryemadhi, apel të rinjve: Më 27 Janar në protesta, mos u dorëzoni para kërcënimeve të Ramës!

705
Monika Kryemadhi apel të rinjve: Mos u dorëzoni para kërcënimeve të Ramës!
Nga Konventën Kombëtare Studentore të LRI-së, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim u ka bërë thirrje të rinjve t’i bashkohen protestave të 27 Janarit 
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ishte e pranishme në Konventën Kombëtare Studentore të LRI-së. Gjatë fjalës së saj Kryemadhi, tha se të rinjtë janë e ardhmja e vendit, por jo për kryeministrin Rama. Sipas saj, kryeministri Rama ka një plan biznesi, në të cilin kërkon të largojë të rinjtë nga vendi. “Mos u mashtroni nga ligësia, sepse duke qenë të gjithë bashkë, jo vetëm që do fitoni për të ardhmen tuaj, por do fitoni një Shqipëri që e meriton të jetë vendi i të rinjve”. Edi Rama tashmë do të na kthejë në diktaturën e drogës, krimit dhe të mos zhvillimit të shtetit, është shprehur Kryemadhi. “Ju them me dorë në zemër, mos ndaloni, sepse vetëm forca dhe energjia juaj do ta ndalojë këtë njeri, i cili çdo ditë e më shumë, jo vetëm që e urren Shqipërinë, por po e shet atë pjesë-pjesë pa asnjë lloj dhembshurie.” Kryetarja e LSI-së theksoi: “Një komb nuk ka të ardhme pa një arsim të mirë. Nëse një komb do të jetë i paarsimuar, është i destinuar të vdesë. Ne nuk do ta lejojmë këtë gjë, në asnjë moment.” Në fjalën e saj kryetarja e LSI u shpreh se Rama ka një plan biznesi për të larguar rininë shqiptare. “Ky është një sinjal i rëndë për ne, është një thirrje e tmerrshme për ne, por mbi të gjitha secili nga ne duhet të marrë një përgjegjësi të madhe ndaj vetes së tij, për të ngritur atë krenari kombëtare, për të zgjuar atë ndërgjegje kombëtare, për t’u kthyer dhe për ta dashur vendin tonë më shumë se çdo gjë tjetër”. Kryemadhi i është drejtuar të gjithë Shqipërisë: “Ne sot, të zhveshur nga bindjet tona politike, po ju drejtohem juve studentëve të Universitetit të Tiranës, me dorë në zemër, jo me dorën në zemër si një politikane, sepse jeni lodhur nga politika, jeni lodhur nga mashtrimet e politikës, ku fajet e saj çdo ditë e më shumë po shtohen. Po ju drejtohem me dorë në zemër, mos ndaloni, mos u tërhiqni, mos u nënshtroni nga padija, nga dhuna, nga ligësia, sepse vetëm duke qenë të gjithë bashkë do të fitoni. Mos u mashtroni nga ligësia, sepse duke qenë të gjithë bashkë, jo vetëm që do fitoni për të ardhmen tuaj, por do fitoni një Shqipëri që e meriton të jetë vendi i të rinjve. Ju them me bindje sepse sfida të mëdha do të keni përballë, do t’ju kërcënojnë, do ju nxjerrin para fytyrës librezat e notave, do t’ju kërcënojnë prindërit, do t’ju ndalojnë, do t’ju dhunojnë, do tentojnë t’ju blejnë, por kurrë mos e shisni të ardhmen tuaj për një të ardhme të pasigurt, të cilën as Edi Rama vetë nuk e di se si është. Do t’ju lutesha si një nënë, e cila çdo ditë iu kërkon fëmijëve të saj që të mos ndërtojnë lumturinë e tyre mbi fatkeqësinë e të tjerëve, por ndërtojeni atë duke dashur vendin tuaj dhe duke valëvitur flamurin tonë kombëtar, sepse është më i bukuri që ekziston në botë”. Kryemadhi u shpreh se vetëm të rinjtë dhe vetëm ndërgjegjësimi i tyre çdo ditë e më shumë do të rrisë shpresën te prindërit tanë. “Ju ftoj të gjithëve, kështu siç jeni, që më datën 27 janar, në orën 12:00, duke marrë me vete çdo shok, duke sensibilizuar edhe pedagogët tuaj, të cilët janë ekipi më i diskriminuar në mësimdhënien shqiptare, sepse ministria jonë e famshme iu jep prioritet universiteteve private dhe cenon pavarësinë e universiteteve publike.”, është shprehur Monika Kryemadhi.
Sigal