“ Monarkia e Saliut e ka ligjin, armë kundër kundërshtarëve politikë”

539
Sigal

INTERVISTA/ Deputeti i PS-së, Dr. Arion Muçaj: “Institucione të munguara të pavarura, të zaptuara nga nepotizmi nuk garantojnë heqjen e imunitetit”

 

Duke qenë se PD-PS janë shumë larg njëra-tjetrës për një qëndrim të përbashkët në ndryshimet kushtetuese për reformën e imunitetit, propaganda politike e dyanshme është ajo e akuzës, për të bërë përgjegjëse palën kundërshtare  të një dështimi të pritshëm, sesa gjetja e rrugëve që mund të ofrojnë zgjidhje. Deputeti i PS-së, Arion Muçaj, në intervistën për “Telegraf” argumenton përse PS-ja nuk mund të pranojë një reformë fiktive të heqjes të imunitetit, pa ndryshime kushtetuese, të cilat do të garantojnë pavarësi të institucioneve që janë përgjegjëse të luftës kundër korrupsionit. Deputeti i Qarkut të Fierit skicon me ngjyra më të errëta edhe zhvillimin ekonomik, si në bujqësi, edhe në shfrytëzimin e pasurive kombëtare, sikurse është nafta.

– Zoti Muçaj, duke qenë se PD-ja dhe PS-ja, vështirë të arrijnë në një pikë të përbashkët për ndryshimet kushtetuese për imunitetin, besoni se referendumi do të jetë zgjidhja?

Sot, kemi një qeveri dhe një Kryeministër, e cila nuk e ndjen aspak peshën dhe përgjegjësinë, për një qeverisje të moralshme, ligjore, transparente dhe në shërbim të qytetarëve. Sot, kemi një sistem gjyqësor të dhunuar, nën presionin e politikës, aspak të pavarur, të dorëzuar përpara krimit, të pafuqishme për të vendosur të drejtën në gjykim, për ta bërë qytetarin shqiptar të barabartë në llogaridhënie përpara ligjit, kushdo qoftë ai. Dhe Kryeministri me çfarë përmbajtje politike do të kërkojë fjalën e popullit në referendum?

– Nuk është pak e çuditshme, që PD-ja përditë e më shumë bën fjalë për refuzimin e PS-së që të pranojë reformën e heqjes të imunitetit. Si ta kuptojmë që një opozitë të mos pranojë heqjen e imunitetit, kur ndërkohë, përditë denoncon korrupsion qeveritar?

–  Cila gjykatë, cila prokurori sot mund të guxojë që të hetojë e gjykojë rastet që opozita jonë denoncon përditë për skandalet e korrupsionit qeveritar? Kur, ndërkohë, po kjo gjykatë dënon me vite burg qytetarin përse vodhi një send, sado të pavlerë. Ju e patë, që jo vetëm qytetarët janë të pafuqishëm, që të akuzojnë sot qeveritarë të korruptuar, por edhe deputetët socialistë janë dënuar nga gjykatat  vasale të qeverisë, pse guxuan dhe denoncuan publikisht  fëmijët e Kryeministrit për korrupsion. Heqja e imunitetit në kushtet e gjykatave dhe të drejtësisë vasale të qeverisë Berisha, do të jetë përligje e mosndëshkueshmërisë për qeveritarët dhe ndëshkim ligjor për kundërshtarët politikë. Opozita kurrsesi nuk mund të jetë kundër heqjes të imunitetit, por kërkon që kjo reformë të funksionojë, pasi të bëhen ndryshime në Kushtetutë, të cilat do të synojnë rritjen e pavarësisë të Gjyqësorit, Prokurorisë, e drejtësisë.

– Përse sot opozita kundërshton kaq shumë emërimet e njëanshme në krye të institucioneve, sikurse SHISH-i, nesër Kryeprokurori, etj., kur ndërkohë, me votat e saj, në ndryshimet kushtetuese të 2008-s, i dha të drejtën  e zgjedhjes maxhorancës qeverisëse?

Këto janë rastet kur kjo maxhorancë qeverisëse e Saliut,  abuzon me të drejtën kushtetuese. Militantizmi partiak po zapton të gjitha strukturat qeverisëse, askush nuk interesohet që t’i shërbejë interesave të të gjithë shoqërisë, por tregojnë zell të paparë, që t’i shërbejnë dëshirave e diktatit të Kryeministrit. Për këtë themi që Saliu po përqendron në duart e tij kontrollin e të gjitha pushteteve. Një President që i shërben shqiptarëve nuk do të guxonte që të emëronte Kryetar të SHISH-it njeriun e Gazidedes. Monarkia e Saliut përpiqet që ligjin ta ketë armë për të luftuar kundërshtarët e vet politik.

– Si deputeti i Qarkut të Fierit, cili është realiteti i sotëm ekonomik?

–   Sipërmarrja e lirë është vrarë, në kushtet e mbijetesës  është e destinuar të falimentojë. Është koha e lulëzimit të monopoleve dhe bizneseve klienteliste afër qeverisë. Biznesi i vogël familjar dhe ai i mesëm, të cilat janë baza e zhvillimit të ekonomisë, është e asfiksuar prej taksave, informalitetit dhe mungesës së politikave mbështetëse të shtetit. Papunësia në qarkun tonë është tejet alarmante, por më e keqja është se nuk bëhet asgjë, që të mbështetet biznesi i vogël dhe i mesëm.

–  Dikur Fieri konsiderohej si lokomotiva e zhvillimit bujqësor. Madje, qeveria pretendon se  po zbaton projekte të ringjalljes të bujqësisë, në ndihmesë të fermerëve,  me rikrijimin e kooperativave bujqësore. Vërtet kemi një ringjallje bujqësore në Fier?

–  Bujqësia dhe fermeri shqiptar janë lënë  totalisht në harresë, në kushtet e një mekanike bujqësore ende primitive, me tokën e copëzuar në shumë pjesë dhe ende pa pronësi, me çmime të papërballueshme të naftës, plehrave kimike dhe mekanikës bujqësore, mungesës totale të infrastrukturës bujqësore.

–  Qarku i Fierit është bërë epiqendra e protestave të banorëve në zonat naftëmbajtëse  dhe e punëtorëve, që dikur punonin në këtë sektor. Përse dhe cila do të ishte rrugëzgjidhja?

–  Pasuritë  kombëtare, minerale, hidrike dhe energjetike, ekosisteme,  shërbime kombëtare, janë degraduar dhe privatizuar në mënyra korruptive, largojnë çdo vit prej vendit tonë qindra dhe qindra milionë euro për në vendet e origjinës. Sot, ne mund të jemi unikal në botë, për trajtimin antikombëtarë të pasurive tona kombëtare, duke e goditur fort mundësinë e mbështetjes së ekonomisë sonë nga shfrytëzimi i pasurive kombëtare në mënyre antikombëtare, duke zvogëluar dhe dobësuar oportunitetet e bizneseve më të vogla shqiptare, të lidhura drejtpërdrejtë apo indirekt me shfrytëzimin e këtyre pasurive. Mënyrat klienteske e privatizimit të këtyre pasurive kombëtare nga qeveria e Saliut, jo vetëm nuk u premtoi punëtorëve vazhdueshmëri në punës, por privatët e rinj të shfrytëzimit të pasurive kombëtare, zbuan në rrugë mijëra punëtorë dhe siç po ndodh edhe në zonat naftëmbajtëse, kompania e huaj dëmtojnë edhe shtëpitë e fshatarëve nga teknikat e shfrytëzimit barbar të nëntokës dhe ligji i Saliut mbron interesat ekonomike të klientëve të vet dhe jo pasurinë e patundshme të fshatarëve.

–  Ju faleminderit!

 

 

Reformat e Saliut dhe realiteti i shqiptarëve

Propaganda e Saliut synon që të fshehë realitetin e vështirë ekonomik që jeton populli, e cila rëndohet përditë, ku papunësia, pasiguria për të jetuar, krimi ordiner në familje, në rrugë po vrasin çdo shpresë, me zhurmën se opozita nuk pranon reformat dhe bllokon integrimin. Kur qytetari trembet nëse do të jetojë dot nga krimi, kur nuk e di nëse në darkë do të çojë diçka familjes për të ngrënë, a mund ta gënjejmë se me reforma që shkruajmë në letër, do të integrohemi në Europë?