Moisiu: Mos luani meKryeprokurorin!

462
Sigal

Forumi Civil 2010/ Apel Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë për respektimin e Ligjit Themeltar të shtetit

Forumi Civil 2010, i cili kryesohet nga ish-Presidenti Alfred Moisiu dhe ku bëjnë pjesë ish-Presidenti Rexhep Meidani dhe personalitete të shquara të politikës, jurisprudencës etj., shpërndau dje një deklaratë ku paralajmëronte një furtunë të re politike që mund të ndodhë në skenën e politikës shqiptare. Në deklaratë thuhet shprehimisht se nga ana e maxhorancës po përgatitet zëvendësimi i Prokurorit të Përgjithshëm në nëntor të vendit rreth 6 muaj para afatit. Sipas Forumit, ky akt përbën një cenim të Kushtetutës së vendit dhe nuk duhet lejuar të ndodhë. Në deklaratë argumentohet sepse nuk duhet të bëhet ky zëvendësim në këto momente, duke lënë të nënkuptohet që Shqipëria nuk duhet të vazhdojë të jetë më në qendër të kritikave për mosrespektim të Kushtetutës, sikurse ka ndodhur në shumë raste në të kaluarën. Pas marrjes dje të statusit të vendit kandidat për në BE me disa kushte, ish-Presidenti Moisiu tha për “Telegraf” se shqetësimi i Forumit Civil 2010 është në të njëjtën linjë me shqetësimin që parashtroi edhe Brukseli për reformat dhe pavarësinë e gjyqësorit. Ne jemi për respektimin e Kushtetutës dhe të ligjit, ndaj dhe i bëjmë apel klasës politike të vendit që të tregohet e matur dhe të mos bëjë gabime të përsëritura dhe me kosto për demokracinë në vend, theksoi zoti Moisiu. Por edhe më alarmant bëhet ky shqetësim, ndërsa Presidenti Nishani deklaroi pardje se “Pas disa javësh do të kem në axhendë çështjen prokurorit. Me mbarimin e mandatit të Prokurorit do të kemi një prokuror tjetër. Asnjë ditë më shumë pas përfundimit të mandatit, siç e përcakton Kushtetuta. Në rastin e Prokurorit të Përgjithshëm është një tagër totalisht i Presidenti të Republikës”. Forumi Civil 2010 qëkurse është themeluar ka qenë në pararojë të mendimit politik, juridik dhe qytetar, duke i bërë vazhdimisht thirrje klasës politike të vendit që të bëhet sa më e përgjegjshme për fatet e vendit dhe të demokracisë. Në mbledhjet e rregullta të këtij Forumi, zoti Moisiu dhe personalitetet e shquara kanë argumentuar me forcë nevojën e ngritjes dhe funksionimit të shtetit ligjor, për shenjtërinë e Kushtetutës dhe mosndryshimin e saj sipas oreksit të partive apo të pushtetarëve.

DEKLARATA E FORUMIT CIVIL 2010

Maxhoranca qeverisëse duket që po përgatitet të zëvendësojë në nëntor të këtij viti Prokurorin e Përgjithshëm me një tjetër prokuror.

Prokurori i Përgjithshëm është zgjedhur në datën 22.11.2007. Rregullimi kushtetues i asaj kohe nuk parashikonte afat për mandatin e këtij funksioni, ndërsa ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, me të cilat u kufizua në pesë vjet ushtrimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm nuk përmbajnë dispozitë kalimtare për rregullimin e kohëzgjatjes së mandatit ekzistues.

Në kushtet e mungesës së një dispozite kalimtare, Forumi Civil 2010 mendon se fillimi i procedurës për zëvendësimin para afatit të Prokurorit të Përgjithshëm sjell disa probleme kushtetuese.

Piksëpari, kufizimi i një mandati kushtetues të pakufizuar është me pasoja antikushtetuese në drejtim të cenimit që i bëhet parimit të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve. Është ky parim që synon kryesisht të mënjanojë rrezikun e përqendrimit të pushtetit në duart e një organi ose të personave të caktuar, çka praktikisht mbart me vete rrezikun e shpërdorimit të tij. Ushtrimi i pushtetit në mënyrë të pavarur dhe të balancuar kërkon zgjidhje kushtetuese. Ndërhyrja përpara afatit në mandatin kushtetues të Prokurorit të Përgjithshëm cenon rëndë pavarësinë e tij dhe krijon probleme serioze me legjitimitetin.

Ndërkaq, cenohet parimi kushtetues i shtetit të së drejtës, sipas të cilit ligjet dhe, për më tepër Kushtetuta, efektet e tyre i shtrijnë nga momenti i miratimit. Ndryshimet kushtetuese nuk kanë fuqi prapavepruese, përjashtimisht rastit kur vet ligjvënësi kushtetues e parashikon atë shprehimisht në dispozita kalimtare. Normës kushtetuese që kufizon mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm nuk rezulton t’i jetë dhënë fuqi prapavepruese as në nenin 149 të Kushtetutës (të ndryshuar) dhe as në ligjin nr. 10051, datë 29.12.2008, i cili ndryshoi ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.

Prokurori i Përgjithshëm është emëruar në kohën kur Kushtetuta nuk parashikonte një mandat të kufizuar në kohë dhe ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, që përcaktojnë një kohëzgjatje pesëvjeçare të mandatit kanë hyrë në fuqi pas emërimit të Prokurorit të Përgjithshëm në këtë funksion. Pra, rregullimi kushtetues i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm ka qenë i ndryshëm në këto dy momente kohore – i pakufizuar në momentin e emërimit, por i kufizuar në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese. Përderisa ndryshimet kushtetuese kanë hyrë në fuqi në datën 22.05.2008, rrjedhimisht nga ky moment dhe kurrsesi nga data e emërimit të Prokurorit të Përgjithshëm llogaritet mandati 5 vjeçar i këtij funksioni kushtetues.

Na duhet të theksojmë që, nëse ndër faktorët politikë ka tendenca, a synime për të dëmtuar pavarësinë e Prokurorit të Përgjithshëm, që është esenciale për një shtet të së drejtës, kjo është shqetësuese. E të njëjtës përmasë do të ishte nëse zëvendësimi kërkohet të bëhet për shkak të frikës e pasigurisë së klasës politike ndaj pavarësisë së institucionit të ndjekjes penale, aq më tepër kur së fundmi parlamenti ka votuar kufizimin e imunitetit të deputetëve. Një zëvendësim antikushtetues i Prokurorit së Përgjithshëm, për të zgjidhur probleme politike afatshkurtra rrezikon, gjithashtu, të kthehet në një precedent negativ për kufizimin në të ardhmen të mandatit të çdo organi tjetër kushtetues.

Prandaj, Forumi Civil 2010 u bën thirrje Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë që t’u tregojnë faktorit vendas dhe atij ndërkombëtar, se qëllimi i tyre është të arrijnë një nivel demokracie funksionale dhe jo të bëjnë hapa mbrapa në këtë drejtim, duke injoruar edhe Ligjin Themeltar në një kohë kur forcimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri është detyrë imperative.