Moikom Zeqo:“Opozita e së majtës është më përpara konceptualisht se e djathta”

499
Sigal

Moikom Zeqo, publicisti dhe analisti politik, në intervistën për “Telegraf” jep një këndvështrim të tillë që debatit parlamentar për ndryshimin e KQZ-së: “Zëvendësimi nuk është te emra konkretë, se sa instrumente të përleshjes dhe të përballjes ballkanike, zemërake të papajtueshme, të egër të dy qëndrimeve për të zotëruar një numër më tepër në KQZ. Ndaj,- thotë zoti Moikom, – ajo nuk qe konceptualisht, një fitore, por që mund të katandiset në një … eufori zhgënjyese”. Kjo situatë,  sipas zotit Zeqo, tregon se sa e polarizuar është jeta politike tek ne, se sa i mangët është vizioni i konceptualizimit të pushtetit. Këto qëndrime politike, sipas zotit Moikom, do të kenë ndikime edhe te imazhi që politika jonë u jep faktorëve ndërkombëtarë, duke e dëmtuar rëndë  demokracinë tonë. Nga ana tjetër, zoti Moikom pranon se, PS-ja me LSI-në dhe partitë e tjera opozitare kanë më shumë konotacion të politikës ndërkombëtare, pra janë më përpara konceptualisht, sesa PD-ja.

– Zoti Moikom, duke qenë se kërkesa e PD-së për zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së, ndryshoi  disa herë, cili ishte motivi politik i debatit për ndryshimin e KQZ-së?

-Edhe në rastin e ngulimit për “formulën”,  pra të një marrëveshjeje paraprake, edhe në rastin e “biografisë” së të “anatemuarit” motivi politik është jo aq i dyzuar, apo alternues se sa unitar, i njëjtë dhe çuditërisht nuk ka lidhje me njeriun për të cilin u bë polemika, por me prologun e ashpër të fushatës elektorale epilogu i së cilës është 23 Qershori. Kështu duhet kuptuar gjakftohtësisht dhe konkretisht. Anëtari i KQZ-së, që u përfol dhe u hoq, por edhe ai që u zgjodh si zëvendësim gjoja vakandi, nuk janë aq emra konkretë, (natyrisht, në rrafshin njerëzor ata janë të tillë, kjo nuk mohohet !), se sa instrumente të përleshjes dhe të përballjes ballkanike, zemërake të papajtueshme, të egër të dy qëndrimeve për të zotëruar një numër më tepër në KQZ. Në këtë rast, KQZ-ja  konceptohet në miniaturë si vetë Parlamenti me formulën 50 plus 1, duke harruar se, KQZ-ja dhe Parlamenti nuk janë e njëjta gjë, as juridikisht as konkretisht. Në këtë betejë maratonë gati apokaliptike, verbale, sulmi politik i PD-së krijoi një “fitore”formale, pra edhe alibike, që në thelb nuk është aspak identike me fitoren e vërtetë elektorale në 23 Qershor. Konceptualisht, kjo nuk qe fitore e vërtetë! Madje, mund të krijojë një eufori krejt të padobishme dhe besoj edhe zhgënjyese.

Cila është përshtypja e parë që mbërrin si mesazh, nga mënyra sesi u zhvillua debati dhe votimi në Kuvend për zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së?

– Përshtypja është e rëndë, është një katrahurë për qytetarët e lirë të vendit, për mendjet e pavarura dhe inteligjente, ende të patoksikuara mjerueshëm nga politizimet idiote. Opozita ishte në logjikën e saj. Katrahura nuk duhet të ndodhte, mund të shmangej, por në këtë rast simbolizmi politik (kaq i fuqishëm, por edhe kaq iluziv në Shqipëri!) u ngjiz me pasione të mëdha, sikur ishte vetë alfa dhe omega e fitores finalizuese elektorale, gjë që nuk është e vërtetë. Kjo situatë tregon se sa e polarizuar është jeta politike tek ne, se sa i mangët është vizioni i konceptualizimit të pushtetit, gati si privatizimi i përjetshëm i kryepostit kryeministror, në një kohë që kushtetutshmërisht kufizimshmëria e mandatit është megjithatë (dhe lumturisht ) e përkohshme, e alternuar dhe jo vijimësi lineare mistike. Po të kuptohet një gjë e tillë ( me vetëdije të qartë) nuk do të kishim këtë gjëmë bezdisëse, në fund të fundit, qesharake.

– Si rrallë herë ndërkombëtarët ishin më të drejtpërdrejtë  me mesazhet që dhanë për debatin e ndryshimit të KQZ-së. Sipas jush, përse ata u detyruan që të ishin kaq të hapur e troç në ndërhyrjet e tyre?

-Po jetojmë një çast historik të politikës në Shqipëri. Ky çast koncentron kuptimin jo retorik, por real të raporteve të ndërthurura të integrimit euro-atlantik, pra të dy niveleve: të nivelit të politikës ndërkombëtare dhe të nivelit të politikës kombëtare. Pra, të një politike komplementare. Këto dy nivele sot nuk vërtiten secili në vete pa lidhje, ashtu si planetët në sistemin e vjetër të Ptolemeut. Ka nisur një epokë tjetër e re! Ky është në substancë vetë integrimi dhe jo e kundërta e tij. Ç’do të thotë kjo? Ç’kuptim ka kjo gjë? Ka një parim të madh substancial, që tashmë rregullon dhe modelon jo veçantitë dhe dallueshmëritë e politikave, por  nuklin e përbashkët komplementar. Të kundërshtosh atë që thonë Ambasada Amerikane dhe BE do të thotë të mos e kuptosh politikën, por  të zhgërryhesh në një baltë diletantizmi të pakuptimtë dhe për më tepër tejet të kushtueshme. Gabimi i vitit 1997 është tautologjia e sotme e vitit 2013. PS-ja në të dyja rastet nuk e ka bërë këtë gabim të dyfishtë. Berisha po! Sinqerisht nuk e kuptoj këtë paradigmë pa asnjë të ardhme, sepse i mungon tërësisht vizioni i politikës së emancipuar profesioniste dhe stimulon në mënyrë erazmike delirin e diletantizmit ballkaniko-shqiptar të prapambetur dhe për më tepër retrograde, pra të një kërcimi primitive së prapthi, që, në vend që të hapi portat, i mbyll portat!

– A mund të ketë pasoja politike ndryshimi i KQZ-së me procedurën që u bë në Kuvend?

– Politikisht ajo që u trumbetua si “fitore “ nuk është aspak fitore! Kjo ka një kosto politike, por edhe psikike mjaft të madhe edhe në radhët e vetë PD-së dhe të elektoratit të djathtë. Mbas kësaj, autoriteti i KQZ-së  është i minuar, një lloj harikiri prej samuraji. KQZ-së është një instrument ndërmjetësues, teknik, kushtetues, një lojë me manipulimin e votave brenda KQZ-së, do të ishte përfundimisht fatale. Kjo gjë e ka sensibilizuar përfundimisht opinionin publik dhe rregullat e ndershme të lojës dhe gabimi më i vockël do të kishte pasoja të paimagjinueshme. Akti që ndodhi paradoksalisht, e bën më neutrale dhe më të “pafuqishme “ KQZ. Ambasadori Arvizu në mënyrë lakonike e tha qartë se besueshmëria e qytetarëve tek KQZ-ja nuk duhej prekur, as autonomia e saj formale. KQZ-ja nuk është shkopi magjik, apo formula alkimike e fitores tak – fak të zgjedhjeve në 23 qershor. Në asnjë mundësi haluçinante nuk duhet menduar se KQZ-ja është Kryeministria dhe anëtari i “shtuar” është gjoja sozia e vetë Kryeministrit.

– Ndryshimi në KQZ, a do të ketë ndonjë ndikim në imazhin e perceptimin që kanë faktorët ndërkombëtarë për procesin e integrimit të Shqipërisë?

-Podo të ketë! Padyshim do të ketë! Politika është një entitet dhe veprimtari e kualifikuar publike tepër dinamike. Politika mbijeton, politikanët janë absolutisht të përkohshëm, përderisa Kushtetuta i konceptualizon si mandatorë, (ose moderator), më tepër si kryeadministratorë të kontratave të fitoreve të zgjedhjeve elektorale. Në demokraci humbet kuptimi i vijimësuar i liderit dhe aq më tepër i liderit të përjetshëm dhe historik. Kjo gjë nuk është kuptuar fare në politikën ende të paemancipuar shqiptare. Nuk mund të ketë lider të Shqipërisë, përderisa Parlamenti përbëhet detyrimisht (kushtetutshmërisht!) nga një dyshe: kryetari i qeverisë dhe kryetari i opozitës. Atëherë kush është lideri? Kryetarët e partive janë të zëvendësueshëm, partitë janë institucione më të rëndësishme dhe më të përjetshme (ndonëse edhe ato mund të vdesin  dhe të shpërbëhen, siç do gjë në histori dhe në natyrë ). Shqiptarët duhet të kuptojnë përfundimisht se Lideri i tyre është Kushtetuta dhe askush tjetër. Por, ka ndërkohë, edhe një histori të politikës, në këtë histori personazhet më të spikatur kanë rolin e tyre të padiskutueshëm, – ata pozitivët dhe progresistët nuk harrohen dhe nderohen, kurse ata të mbrapshtit dhe negativët, gjithashtu, nuk do të harrohen, por nuk do të nderohen. Këto përcaktohen nga raportet afatgjata të kujtesës dhe të historisë kombëtare, – kjo është çështja hamletiane e politikanëve të sotëm dhe të nesërm. Nga ana tjetër, çdo ngjarje politike shqiptare është më e rëndësishme, kur integron shumë substancë ndërkombëtare. Besoj se nuk them as një çudi, as dhe një blasfemi, ku nënvizoj se opozita dhe PS-ja me LSI-ja dhe partitë e tjera opozitare kanë më shumë konotacion të politikës ndërkombëtare, pra janë më përpara konceptualisht, se sa PD-ja dhe koalicioni i së djathtës. Dhe kjo është kaq normale, për një politikan serioz prej race kjo gjë nuk përbën asnjë apokalips, por një ndryshueshmëri dhe lëvizje përpara e jetës, shoqërisë dhe vetë politikës, me një emancipim të dyfishtë, pra edhe komplementar.

A mendoni se deri tani opozita në përgjithësi dhe PS-ja në veçanti kanë ofruar në elektorat një program bindës për rotacionin politik?

-Programi tashmë është. Kjo është pozitive. Por thelbi i këtij program është rotacioni politik, i cili tashmë është jetik, për Shqipërinë, por edhe për vetë PD-në.

-A është bashkimi i PS me LSI-në çelësi i suksesit të fitores elektorale?

-Po në njëfarë mënyre është çelësi!  Është një akt politik. Është shkruar se ky akt politik nuk ka moralitet .Ky është një vështrim simplist, që nuk i hyn në punë askujt. E ka megjithatë një moralitet: atë të ngrirjes të keqqeverisjes së këtyre 8 viteve dhe të hapjes drejt një  etape tjetër, për një qeverisje më të mirë , më të kualifikuar, më profesioniste, më lëvizëse, më ndryshimsjellëse. Kjo lëvizje e Ramës, por edhe e Metës, e pabazuar në të kaluarën, por në të ardhmen qe një lëvizje politike profesioniste, aq më tepër e konceptuar komplementarisht, fillimisht nga ndërkombëtarët, pra është një simbol monitorimi, ku dy nivelet, ai ndërkombëtar dhe ai kombëtar përputhen. Por nuk ka vend për një optikë manikeiste, d.m.th bardhë e zi, qeverisja e ardhshme do të ketë një opozitë të fuqishme në Parlament, madje edhe në pushtetin vendor, ku kontradikta paradoksale nuk e shmang dot përfundimisht nocionin e komplementarizmit politik edhe me PD-në, që është  një nga sekretet e emancipimit politik dhe shoqëror sipas Hanah Arendit.

Procesi zgjedhor nuk ka katarsis përfundimtar

– Mendoni se procesi zgjedhor do të vijimësojë në normalitet dhe do të respektohen standardet demokratike të zgjedhjeve?

– Çdo fushatë zgjedhore në Shqipëri ka patur doza anomaliteti, nganjëherë të pabesueshme. Besoj se nuk do të kemi një katarsis përfundimtar. Mendoj se, do të kemi konflikte dhe përplasje. Por qytetarët janë të lodhur, secili elektorat ka motivimin e vet, ndërkohë, nuk profetizoj se, e ashtuquajtura “zona gri “ e mitizuar kaq shumë nga analistët , më saktë klientelistë, do të ketë një “rol plebeshitar imagjinar.  “ Opozita e bashkuar këtë radhë i fiton zgjedhjet, siç e kam analizuar shumë herë në intervistat dhe shkrimet e mia politike, por nuk  ka aspak arsye delitanteske për eufori. Politika është shumë serioze dhe fsheh përherë efektin e bomerangut. Politika është  tejet e vështirë dhe sfilitëse.Poja që pa politikë nuk mund të bëhet asgjë. Politika është një provë supreme!

– Faleminderit!