Moikom Zeqo:“Në këto zgjedhje ka ardhur ora e Opozitës”

490
Sigal

INTERVISTA/Moikom Zeqo, studiues e shkrimtar: “Prova  kryesore e Berishës do të jenë standardi demokratik i këtyre zgjedhjeve”

 Shkrimtari dhe studiuesi Moikom Zeqo, në intervistën për “Telegraf”, sjell shqetësimin e intelektualit, për klimën e tensionuar politike, që nuk ka të bëjë aspak me klimën elektorale. Dhe studiuesi Moikom Zeqo e lidh këtë me provincionalizmin e trashëguar ballkanik. Kriza e vërtetë në Shqipëri, sipas zotit Moikom, është kriza ekonomike dhe përballimi i saj nuk bëhet me programe elektorale partiake, por, sipas zotit Moikom, “diçka mbipartiake, diçka  më  të epërme, më racionale dhe më strategjike”.E, megjithatë, zoti Moikom, duke i parë ngjarjet e realitetit politik me këndvështrimin e studimit të fenomeneve, ka një bindje se ka ardhur ora e opozitës. Duke iu referuar vendimit të gjykatës për vrasjet e 21 janarit dhe retorikës nacionalist, zoti Moikom pranon se: “Asnjëherë raportet politike ndaj Shqipërisë dhe SHBA-së nuk kanë qenë pak delikate dhe të papërputhshme”.

 

-Zoti Moikom, tensionimi i klimës parazgjedhore kujt qëllimi i shërben?

 Gjithmonë tensionimi i klimës elektorale  tek ne (ndoshta jo vetëm tek ne) ka qenë e do të jetë i epërm, përvëlues, me vesk dhe kaotizëm ballkanik, shpërthyes. Si shoqëri, ende me provincionalizëm të trashëguar, të mbijetuar, etj.,  tek ne funksionon populizmi, temperamenti gjestikulativ, demagogjia. Mos harrojmë se edhe fushatat elektorale imitojnë klishetë e reklamave e video-klipeve të marketingut, partitë “joshin” klientët potencialë, duke mburrur secila programin e vet, e duke baltosur gjëmshëm programet alternative. Po kështu, edhe kandidatët për deputetë vënë “në shitje” profilet e tyre të alambikuar, përherë të hiperbolizuar, sepse shumica dërmuese e tyre, (në të gjitha partitë ), nuk janë aspak personalitete të vërtetë, por të rremë dhe përgjithësisht mediokër. Kështu vërtitet cirku elektoral edhe në botë. Nuk ke ç’i bën! Niveli emancipues i popullit përcakton dhe kulturën e lartë apo të ulët të politikës dhe jo e kundërta!

– Programet elektorale a qasin për elektoratet alternativa për qeverisje më të mirë?

– Ka një zhvillim historik të politikës. Shqipëria e vitit 2013 nuk është Shqipëria e vitit 1992, apo 1997. Po kështu, edhe statusi ekonomik. Programet elektorale janë përherë të përshtatura, pra tundohen nga pragmatizmi. Secila parti kërkon zgjidhje. Por problematika e krizës ekonomike- jo më e vogël është kriza shoqërore, madje edhe psikike dhe ajo shpirtërore- kërkon, për mendimin tim, një pako Task- Force anti-krizë për të gjithë partitë, sado kundërshtare që të jenë me njëra- tjetrën, pra diçka mbipartiake, diçka  më  të epërme, më racionale dhe më strategjike. Ka 22 vjet që qeverisja e shqiptarëve është një qeverisje jo për të zbutur problematikën e rëndë, po për ta acaruar më tepër, për ta shumëfishuar në një cikël të zullumshëm, të zhurmshëm, të ngatërruar, të mjegullt. Shqiptarët duan një qeverisje tjetër, absolutisht tjetër – pra shpresojnë dhe shpresa është një formë, ndonëse shpesh utopike e një politike të emancipuar qytetare për qytetarët dhe jo për klanet partiake dhe monopolet tribuste.

– PS-ja, duke qenë në opozitë 8 vjet, a është më e pjekur politikisht, a është më demokratike në këto zgjedhje, apo është më e ngutshme për të marrë pushtetin?

– PS-ja ka qenë – mos harrojmë 8 vjet në pushtet – ajo periudhë pati disa atribute  të veçanta pozitive, si rindërtimin e institucioneve të shtetit, (mbas katrahurës së vitit 1997, por edhe 1998), ka kapacitete intelektuale të mëdha, ka profesionistë të përkushtuar, – ajo u ndëshkua se dështoi me korrupsionin, madje e stimuloi korrupsionin – kjo qe fatale. PS-ja nuk ka lindur 8 vjet më parë – ky konceptim i pikës nistore zero është një gabim pa asnjë kuptim, në raport me PD-në, por edhe me partitë e tjera, PS-ja është një parti me një lëvizje  dhe status politik më të përgatitur, ndonëse janë provë njerëzit që do të vishen më pushtet – kur të vijnë në pushtet – këtë e përcakton ose jo pikërisht 23 Qershori i ardhshëm. Nuk besoj se, niveli profesional dhe kulturor i PD-së qenka më i lartë dhe më i dallueshëm nga ai i PS-së, përkundrazi. Po ka një rrezik për PS-në, nëse nuk aktivizon dhe fuksionalizon tërë kapacitetet e saj intelektuale dhe kufizohet mendjelehtësisht në pak emra të lidershipit, vetvetiu do të pakësojë kapacitetet e vetvetes nga vetvetja – dhe kjo do të ishte një marrëzi erazmike!

– Prurjet e reja në PS, sidomos në kandidaturat për deputetë, që nuk janë shprehëse të socialistëve, nuk kanë  kontribuar, a mund të jetë  rinovimi i kërkuar?

– Prurjet e reja? Përherë do të ketë prurje të reja – mos harrojmë ciklimin biologjik të pashmangshëm. Nëse s’ka prurje të reja, nuk ka aspekte mbijetuese të mirëfillta. Tjetër, janë potencialet e përfaqësimit politik. Nuk mund të ketë një mekanikë formale në këtë pikë. Nuk mund të ketë personalitete të vërtetë, kur ata katapultohen subjektivisht. Çdo personalitet është një sintezë zhvillimi vetjak, një biografi dinjiteti dhe diturie dhe jo një numër ruleti, apo një As në mëngën e çdo kryetari partish. Po ku janë vallë personalitetet e vërtetë në politikë? Do të bëhen? Mbase. Po sikur të mos bëhen dot, siç e ka vërtetuar historia e këtyre 8 vjetëve të fundit? Pse duhet eksperimentuar kështu? A nuk është kjo një vrasje dhe njëkohësisht një vetëbllokim i kohës politike kaq jetike dhe të domosdoshme?

– A është shpërdorim i besimit të socialistëve, që askush, por duke qenë shoku i gruas, apo gruaja i shokut të bëhet funksionari i PS-së?

– Po, është një shpërdorim – nuk e kam fjalën për emra konkretë. Por njerëzit i dinë këto emra të rëndomtë – teoria e futjes së kokës së strucit në rërë këtu nuk ka vlerë justifikimi, ose autoriteti abstrakt.

– Sherret  brenda grupit parlamentar të PS-së , a nuk dëmtojnë imazhin politik  të një partie demokratike, të vetë PS-së?

– Në të vërtetë nuk e njoh saktësisht mjedisin e brendshëm të PS-së, të paktën prej shumë vitesh. Nuk di nëse funksionojnë forumet e PD-së, apo edhe të partive të tjera reale apo fantazma. Di se në PS, të paktën forumet, janë si strukturë. Shkelja e kolegjialitetit sjell perturburanca shqetësuese. Kjo duhet kapërcyer.

– Përse është e përçarë e majta shqiptare?

Pse e djathta shqiptare nuk është e përçarë? Po vetë shoqëria? A nuk është plasaritur kohezioni shoqëror? A nuk e shihni çfarë krimesh të llahtarshme dhe të pabesueshme ndodhin çdo ditë në Shqipëri? Pse? Është fakt që e majta shqiptare është e përçarë, por këtu ka një specifikë. PS-ja ka mbetur partia më e madhe politike në Shqipëri dhe këtë nuk e mohon dot askush – është partia që ka elektoratin më të madh dhe të dëshmuar qartë këto 22 vjet.

– A mund t’i fitojë i vetëm zgjedhjet Edi Rama, pa një të majtë të bashkuar?

Nëse ligji zgjedhor do të ishte maxhoritar kombëtar, PS-ja fitonte padyshim. Por të mos harrojmë se ligji nuk është  aspak i tillë. This is the question ! (Kjo është çështja!)

– PS-ja ka qëndruar në opozitë deri tani, edhe për shkak të mungesës të vizionit të Kryetarit të saj. Vizioni i deritanishëm i Kryetarit të PS-së, a është i mjaftueshëm për arritjen e fitores?

– Është momenti historik- po vjen ora e fitores së opozitës, e alternimit të pushtetit – kjo kuptohet nga të gjithë dhe ka një logjikë arsyetuese. Po kjo është një çështje e mirëfilltë dhe substanciale e organizimit. Një njeri i letrave, një shkrimtar i shquar, apo një filozof i ditur etj., mund të ketë dhe patjetër ka një vizion politik shumë më të madh dhe më të kultivuar se sa një kryetar partie opozitare, por nuk është institucion kushtetues i përfaqësimit politik të elektoratit përkatës, sepse nuk janë në vetvete parti politike. Opozita më e vërtetë dhe më e madhe në Shqipëri është situata e ngarkuar dhe elektrizuese e shkak pasojës së një krize gati të frikshme dhe të paraqitur si një alibi këndellëse, kjo opozitë popullore është natyrisht më e madhe se sa veta PS-ja.

– A ka çarjeje në marrëdhëniet Shqipëri – SHBA, për shkak të toneve ekstreme të retorikës nacionaliste dhe shpërfilljes të ekspertizës të FBI-së për 21 Janarin e 2011-s?  Sipas jush, arritja e kësaj gjendjeje, është rastësore?

Po e them publikisht se kohët e fundit ka vetëm dy ngjarje politike shumë të rëndësishme në politikën shqiptare – më të rëndësishme se sa debatet ndërmjet dy partive të mëdha: 1. Kritika amerikane ndaj  retorikës groteske nacionaliste shqiptare dhe 2. Kritika për gjykimin klientelist jashtë autonomisë juridike ndaj krimit të 21 Janarit. Asnjëherë raportet politike ndaj Shqipërisë dhe SHBA-ve nuk kanë qenë pak delikate dhe të papërputhshme.

Po barra e pasojave kujt do t’i rëndojë më shumë?

– Mendoj se kjo do të ndikojë mbi elektoratet e majta dhe të djathta në  23 Qershor 2013, duke shtuar argumentet e kriticizmit opozitar me doza më të qarta.

– Zv/ndihmësi i sekretarit të shtetit amerikan, Reeker, pohoi në Tiranë, se qëndrimi i Ambasadorit Arvizu për 21 Janarin shpreh politikën e Presidentit Obama. A është i kapërcyeshëm ky problem nga Berisha dhe si do të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve të 23 Qershorit?

– Mos harrojmë dinamikën e ngjarjeve – një proverb thotë se, çudia më e madhe zgjat vetëm tri ditë. Nuk besoj se kjo gjë do të harrohet – kjo nuk mundet të kapërcehet, pa u zgjidhur drejtë të dy çështjet e zgjidhura gabim dhe mbrapsht. Berisha mund ta moderojë – e ka treguar shpesh këtë, retorikën nacionaliste, që është thjesht demagogji elektorale, po a do ta riparojë gjykata vendimin e saj që shkaktoi kaq shumë zhgënjim? Këtë unë nuk e di. Si do të ndikojë e gjitha kjo katrahurë në rezultatin e 23 Qershorit? Është pamundur që të mos  ndikojë, është krejt logjike të ndikojë. Prandaj, e theksova se është ora e opozitës – ndaj duhet vetëdije e lartë dhe emancipuese për këtë shans historik. Po a do të jetë e lehtë? Gjithashtu, nuk besoj se do të jetë e lehtë.

– Ndërkombëtarët bëjnë përditë apel për domosdoshmërinë e zgjedhjeve  të lira e të ndershme në 23 Qershor. A do të ketë vërtet zgjedhje të lira dhe të ndershme?

– Zgjedhje plotësisht të pastra nuk ka për të patur kurrë, por këtë herë shpresohet që zgjedhjet të kenë standarde vërtetë më cilësore, ndryshe pasojat do të ishin përshfytyruese me tensione të mëdha. Prova  kryesore “sine qua non” e Berishës do të jenë pikërisht standardi demokratik i këtyre zgjedhjeve – më shumë  më tepër se çdo problem tjetër politik për të.

– Cilat do të jetë kostoja për partitë politike dhe shqiptarët, nëse nuk plotësohen standardet e zgjedhjeve të lira?

– Do të formatohej një kaos politik dhe ekonomik më i madh, mund të kalohej tek qeveria teknike, qëndrimet e ndërkombëtarëve do të ishin shumë të ashpra dhe Shqipëria mund të përjetojë një izolim përjashtues ndërkombëtar sui generis etj., etj..

– Nëse PD-ja kalon në opozitë, mendoni se do të kriticizojë konstruktivisht, apo opozita e saj do të jetë e egër e bllokuese për qeverisjen socialiste?

Këtë e përcaktojnë zgjedhjet – por nëse – dhe në të vërtetë mundet të dalë në opozitë, PD-ja ka treguar se, e bën opozitën shumë më ashpër se sa PS-ja.

– Në  ç’rol do të jenë shoqëria civile dhe njerëzit e kulturës në zgjedhjet e 23 Qershorit?

Për fat të keq janë të margjinalizuar dhe të papërfillur nga të dy partitë e mëdha. Njerëzit e kulturës dhe kultura e partive ende nuk e kanë gjetur pikën e takimit dhe të identifikimit- po kjo është për të keqen e politikës, natyrisht!

– Faleminderit!