Mogherini: S'kemi frikë Rusinë, anëtarësimi Ballkanit i pakthyeshëm

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini në një intervistë për një televizion slloven është shprehur se Procesi i zgjerimit të BE ende nuk ka përfunduar dhe se ky i fundit është një proces i pakthyeshëm. E pyetur se çfarë është duke bërë unioni për Ballkanin Perëndimor, Mogherini deklaron : “Tre vite më parë asnjë prej shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk ishte gati për t’u bërë pjesë e Unionit. Ne po punojmë çdo ditë, po punojmë me secilin shtet të Ballkanit perëndimor për t’u siguruar që procesi i anëtarësimit të tyre në BE të jetë i pakthyeshëm. Një proces i tillë kërkon reforma ekonomike, juridike dhe institucionale dhe sigurisht bashkëpunim me të gjithë fqinjët, pasi ne jemi dëshmitarë që vendet e Ballkanit kanë qenë të përfshirë nga lufta. Ky është qëllimi i BE, qëllimi im personal, ne kemi punuar që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të arrijnë të integrohen në BE. Ne kemi punuar që procesi i integrimit të jetë i pakthyeshëm,” shprehet Mogherini. Gazetarja e pyet nëse integrimi do të mund të realizohet brenda dy vitesh, diplomatja përgjigjet: “ Kjo është e pamundur, reformat e nisur në këto shtetet janë ende në fazën fillestare". Sa i përket shqetësimit të influencës ruse dhe asaj amerikane në Ballkan, Mogherini shprehet se nuk është aspak e shqetësuar. “ Jo nuk jam e shqetësuar për një arsye të thjeshtë. Vendet e Ballkanit e duan shumë Bashkimin Evropian. Rreth 70-80% e njerëzve e mbështesin anëtarësimin në BE. Ka energji pozitive tek të rinjtë, dhe nëse do të jemi koherent në mbështetjen e këtyre shteteve nuk do të ketë asnjë lloj influence nga Turqia Rusia, shtetet e Gjirit. Askush nuk mund të na konkurrojë. Dhe kur flas për pushtet BE ofron mbështetje ekonomike, mbështetje në reforma dhe jo vetëm" përfundon Mogherini.