Modeli kanadez, profesionet dhe sistemi i pikëve

637
Modeli kanadez është vlerësuar si më i mundshmi për t’u zbatuar në Shtetet e Bashkuara, në rast të anulimit të Lotarisë Amerikane të Vizave. Për të siguruar një qëndrim të përhershëm në një prej qyteteve të Kanadasë duhet të plotësohen formularët e duhur, në bazë të interesit që aplikantët kanë. Nëse aplikanti është një profesionist i kualifikuar dhe nëse nuk ka një ofertë pune, atëherë duhet të pajiset me një kod (NOC), që përbëhet nga katër shifra dhe që identifikon profesionin ku dëshiron të punojë. Në Kanada, ekziston një listë prej 520 lloje profesionesh. Më të kërkuarit janë: kuzhinierë, menaxherë restorantesh, infermierë, arkitektë, mjekë, dentistë, biologë, mjekë familjeje, farmacist, psikolog, asistentë socialë, elektricistë, hidraulikë dhe ndërtues. Pasi të kenë identifikuar profesionin, aplikantët do t’i nënshtrohen një testimi, ku duhet të grumbullojnë të paktën 67 pikë, ndaj 100 pikëve të mundshme.

Pikët
Shteti kanadez për të vlerësuar emigrantët e mundshëm përdor sistemin e vlerësimit me pikë. Duke u bazuar në pikët që do të mblidhen, aplikantët krijojnë një ide, se sa të favorizuar janë për të fituar një vizë punësimi në Kanada. Faktorët kryesorë për vlerësimin me sistemin e pikëve janë: mosha, niveli i arsimit, vlerësimi për edukimin e nevojshëm për profesionin (ETF), profesioni që do të ushtrohet në Kanada, përvoja e punës, aftësitë në gjuhën angleze dhe frënge, faktori demografik (i përcaktuar 8 pikë), aftësia për t’u përshtatur ose integruar në Kanada, si dhe të afërmit që jetojnë atje. Sa i përket moshës, personat nga 21 deri 44 vjeç, marrin pikët maksimale, 10 pikë. Për sa i përket arsimimit, komisioni i vlerësimit jep18 pikë ata që kanë diplomë Master apo Doktoraturë, 15 pikë personat që kanë diplomë Bachelor, 13 pikë për ata që kanë mbaruar të paktën një vit universitet dhe 10 pikë për ata qe kanë mbaruar vetëm gjimnazin apo shkollën e mesme profesionale. Më të favorizuarit, sipas këtij drejtimi janë grupi i parë dhe i dytë i aplikantëve. Për vlerësimin e arsimimit të kërkuar për profesionin (ETF), përcaktimi i pikëve bëhet në bazë të profesionit dhe ky vlerësim realizohet nga një komision i quajtur “Human Resources Canada Center”. Sipas profesionit që individët fitues do të ushtrojnë në shtetin e Amerikës Veriore, vlerësimi me pikë për profesionin është i përcaktuar në një listë të përcaktuar që quhet “General Ocupation List”. Lidhur me përvojën e punës, vlerësimi në pikë bëhet në varësi të pikëve që merr profesioni në listën e përcaktuar të ETF­së. Për shembull nëse profesioni ‘arkitekt’ merr 15 pikë në ETF, për një vit pune jepen 2 pikë, për 2 vite­ 4 pikë e kështu me radhë. Aftësia për t’u përshtatur është një faktor që përcaktohet nga oficeri i imigracioni, i cili i merr aplikantët në intervistë.
Sigal