Misteret e shkarkimit të kreut të Portit Durrës në prag të hapjes së tenderit 10 milionë euro

614
Autoriteti Portual i Durrësit është gati të hapë garën tenderuese për projektin e thellimit të kanalit hyrës në port.
“Në fillim të muajit mars pritet të nisim tenderimin e projektit që do të bëjë integrimin e dy projekteve ekzistues, për thellimin e portit, sepse projekti që kemi është projekt shërbimi”. Eshtu shprehur kështu në intervistën e fundit si drejtor i portit të Durrësit, Artjan Qirici, i pyetur nga “DurrësLajm” në lidhje me nisjen e punimeve për projektin madhor me vlerë 10 mln euro. 
Por vetëm pak orë pas kësaj interviste, në media doli lajmi për largimin e Qiricit nga ky post dhe emërimin e Afrim Bakajt. Pas shkarkimit, Qirici preferoi të mos jepte arsyet e largimit nga posti, duke preferuar heshtjen, të paktën tani për tani. Misteri shoqëron largimin e Qiricit vetëm 4 muaj pas emërimit të tij, ndërkohë që nga dikasteri i ministrit Gjiknuri nuk ka dalë ende asnjë informacion për këtë vendim të papritur.
Shkarkimi i tij ndodh vetëm pak para zhvillimit të tenderit të rëndësishëm për thellimin e portit, me një vlerë jo të vogël, por plot 10 milion euro. Por a është ky tender që i kushtoi postin e drejtorit Qiricit? Apo janë aftësitë drejtuese të drejtorit të ri Afrim Bakajt ato që i mbushën mendjen ministrit Gjiknuri të firmosë shkarkimin dhe emërimin e befasishëm?! 
A do ta vonojë zhvillimin e tenderit mjaft të rëndësishëm për portin më të madh në vend kjo lëvizje drejtorësh?
Këto pyetje ndoshta do të marrin përgjigje në ditët dhe javët në vijim…
Administratat e shkuara kanë hartuar dy projekte për thellimin e portit të Durrësit, por asnjë prej tyre nuk parashikon që të bëhet zgjerim i sipërfaqes portale nëpërmjet sendimenteve që pritet të dalin nga thellimi.
“Kërkojmë që rendimentet të përdoren për zhvillimin e skolierës lindore prej 100 mijë metra katorësh që i shtohet portit. Duam të kemi një investim për portin,” tha Qirici.
Thellimi i portit të Durrësit më shumë se nevojë për aktivitetin tregtar të portit është kthyer në emergjencë për shkak se baseni është mbushur dhe është ulur thellësia e anijeve që hyjnë në këtë port. Vlera finale e projektit për thellimin e portit të Durrësit nuk do t’i kalojë 10 milionë euro.
Paratë janë siguruar nga vetë të ardhurat e këtij porti dhe pas përfundimit të projektit në letër, pritet të hapen procedurat tenderuese të tij.
Sigal