Misioni PAMECA kritika prokurorisë: raporti për “përgjimet”, Shullazin dhe Roshin

494
Sigal

Gazeta Telegraf/ Në raportin e 6-mujorit të misionit PAMECA
4, hetimet e nisura pak muaj më parë ndaj drejtorit të përgjithshëm të Policisë
së Shtetit, Haki Çako dhe dy oficerëve të FSO-së konsiderohen si thjesht
dyshime dhe që rrezikuan për një periudhë kohe vijueshmërinë e punës në polici.

Vlerësimi tregon se çështja
e procedimit dhe kërkesa e pezullimit nga detyra e drejtorit të përgjithshëm
Çako duken të bazuara në mosbesim dhe thjesht dyshime.
 

“Nuk kishte asnjë të dhënë që pajisja “IMSI Catcher” të
ishte në gjendje të kryente përgjime”, thotë Misioni i Asistencës së BE, i cili
ofron në vendin tonë nndihmë për agjencitë e zbatimit të ligjit, veçanërisht
për policinë dhe Prokurorinë e Përgjithshme.
 

PAMECA 4 shton për këtë çështje se, vendimi i gjykatës mund
të ndikonte negativisht hetimet proaktive apo atë në vijim lidhur me krimin e
organizuar dhe korrupsionin, pasi policia do të kishte më pak burime duke qenë
se drejtuesit e Forcave Operacionale prekeshin direkt për shkak të masës së
sigurisë “arrest shtëpie”.
 

Më tej në ecurinë e punës për agjencitë ligjzbatuese
përmendet edhe ndjekja penale ndaj Emiliano Shullazit, aktualisht nën arrest me
burg. PAMECA 4 shprehet se hetimet ndaj tij nuk janë kryer në mënyrë të
thelluar për të arritur një rezultat konkret dhe në mënyrën më të shpejtë të
mundshme.
 

Faktet përshkruhen në mënyrë të vagët e të përgjithshme,
vlereson misioni dhe pa ndonjë referencë kohore e vendi të sjelljes së supozuar
kriminale. Por edhe pa referencë për burimin e provave të mbledhura në lidhje
me përgjimet për këtë të dyshuar.
 

Çështje tjetër e cila po ashtu bëri bujë është edhe
arrestimi i kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, i cili më pas u dërgua në
shtëpi nga gjykata.
 

Sipas ligjit të Dekriminalizimit, i dyshuari nuk kishte
pohuar të gjithë informacionin për problemet ligjore në vendet e tjera. Por
PAMECA thotë se vendimi që dha gjykata fillimisht me “arrest me burg” për
Roshin nuk kishte një arsyetim serioz se përse u shpall ky verdikt, duke hedhur
dyshime e duke e konsideruar si tendencioz çdo qëndrim miratues të gjykatës
ndaj kërkesave të prokurorisë për dosje sensitive.