Mirënjohje personaliteteve të historisë, kulturës përmetare dhe patriotizmit gjirokastrit

559
Presidenti Ilir Meta vizitoi dje qytetet e Gjirokastrës dhe Përmetit dhe përuron rrugën në fshatin Kolonjë
Ilir Meta vizitoi qytetin e Gjirokastrës ku u mikprit përzemërsisht nga Kryetarja e Bashkisë Zamira Rami. Presidenti i Republikës dekoroi doktorin e shquar gjirokastrit Vasil Laboviti (pas vdekjes) me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” “Për kontributin intelektual e atdhetar, për profesionalizmin dhe humanizmin e pashembullt të treguar në ushtrimin e misionit të tij fisnik si mjek kirurg. Në vlerësim të veprës së tij patriotike, në kushtet e terrorit të egër të pushtuesve, për shpëtimin e qytetit të Gjirokastrës nga masakra naziste”. Presidenti Meta në fjalën e tij gjatë ceremonisë, pasi shprehu kënaqësinë që gjendet në këtë qytet, theksoi se “kam nderin dhe privilegjin që të dorëzoj këtë vlerësim të veçantë për një personalitet mjaft të spikatur dhe të dashur për Gjirokastrën, i cili me një humanizëm të jashtëzakonshëm e përkushtim profesional, qytetar dhe njerëzor ka lënë gjurmë të thella me shërbimin e tij për më shumë se katër dekada, me më shumë se pesëdhjetë mijë ndërhyrje dhe operacione. Portreti i doktor Labovitit u vendos në basorelievin “Nderi i Gjirokastrës” në prani të personaliteteve të pranishme, dhe Presidenti Meta vizitoi Sheshin e Çerçizit dhe “Qafën e Pazarit” ku u përshëndet me turistë si dhe me pjesëmarrësit në panairin e çelur me këtë rast, e duke u uruar atyre një sezon turistik sa më të mbarë. Gjithashtu Presidenti i Republikës vizitoi edhe “Klubin e Gjuetarëve”, ku u takua edhe me artistë e me grupin polifonik të qytetit.

Presidenti Meta: Përmetarët janë ndër të parët që meritojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi të mërkurën qytetin e Përmetit me rastin e hapjes zyrtare të sezonit turistik, ku u mikprit nga Kryetari i Bashkisë, Niko Shupuli, përfaqësues të pushtetit vendor si dhe banorë të shumtë, e përfaqësues të sportit, të artit e të kulturës. Presidenti Meta duke vënë në pah veçoritë specifike dhe vlerat qytetare të qytetit dhe përfaqësuesve të tij më të shquar, çmoi sportistin dhe trajnerin e spikatur përmetar Ethem Kaso me Titullin “Mjeshtër i Madh” “Në vlerësim të përkushtimit dhe karrierës së gjatë e të suksesshme si mësues e trajner i basketbollit për femra në qytetin e Përmetit, si dhe për përgatitjen cilësore të disa brezave të basketbollisteve në nivel kombëtar. Përmetarët dhe Përmeti kanë lënë gjurmë të jashtëzakonshme në të gjithë historinë e kombit tonë, në të gjitha përpjekjet për mbijetesë, për pavarësi, shtetformim, për formësimim e kulturës dhe historisë sonë kombëtare, falë kjo edhe personaliteteve të jashtëzakonshme të kësaj krahine, në të gjitha fushat. Vetëm nga Frashëri është një listë e panumërt me figura e personalitete të mëdha kombëtare. Shembullin e profesor Ethemit këtu në Përmet, por që nuk mungojnë gjithsesi, ne e kemi për detyrë t’i shpërndajmë kudo, në të gjithë Shqipërinë, aq më tepër në qytete të tilla që kanë shumë nevojë për të pasuruar edhe më tej botën e tyre shpirtërore. Urime edhe njëherë, të gjithëve!”

Presidenti Meta përuron rrugën në fshatin Kolonjë të Gjirokastrës
Presidenti i Republikës, Ilir Meta së bashku me Kryetaren e Bashkisë Zaira Rami, deputetë të zonës dhe përfaqësues të pushtetit vendor përuruan rrugën e re në fshatin Kolonjë të Gjirokastrës. Gjatë kësaj vizite Presidenti i Republikës vlerësoi Baba Fetah Xhelajn (pas vdekjes) me Titullin “Naim Frashëri”“Për kontributin si mëmëdhetar dhe udhëheqës i shquar fetar, i cili, krahas besimit tek Zoti, e frymëzoi popullin me idealin e lirisë. Në vlerësim të veprimtarisë patriotike për përhapjen e gjuhës e kulturës shqipe, si dhe në organizimin e luftës kundër pushtuesve të vendit”.
Duke iu drejtuar të pranishmëve të shumtë, mes të cilëve edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Baba Edmond Brahimaj, Presidenti Meta vuri në dukje se: “Jam i lumtur që jam rikthyer këtu në Kolonjë në festën tuaj tashmë tradicionale të 10 majit! Nën këtë rrap shekullor është bërë historia e ndritur e shqiptarisë ku janë mbledhur çetat e burrave të Kolonjës e të Kurveleshit. Ky shesh i ka bashkuar bijtë dhe bijat e fshatit e të krahinës në gëzime dhe derte. Këtu janë marrë vendime të rëndësishme dhe janë nisur për luftë burrat e fshatit dhe të krahinës në kryengritje kombëtare për pavarësi dhe çlirimin e vendit dhe mbrojtjen e atdheut. Nder dhe lavdi dëshmorëve të Kolonjës, të Kurveleshit, të Labërisë dhe të gjithë Shqipërisë! Respekt edhe për atdhetarët dhe mësuesit kolonjarë, të cilët 115 vjet më parë hapën shkollën e parë shqipe dhe në këtë njëqindvjeçar edukuan e arsimuan breza të tërë kolonjarësh, të cilët janë shquar në çdo kohë!
Sigal