Mirë Meta, po Rama pse e harroi 17 Nëntorin?!

466
Sigal

Nëse keni armiq, kjo do të thotë se keni luftuar për diçka, në një fazë të jetës suaj”,  këto janë fjalët e  Uinston Çërçill, Kryeministrit anglez, triumfatorit të Luftës së Dytë Botërore. Ndaj në këtë muaj nëntori që për shqiptarët  përkon me Ditën e Pavarësisë Kombëtare dhe të çlirimit të vendit kanë dalë trashëgimtarët dhe pinjollët e nazifashistëve që duan të harrohet apo të njolloset Lufta Nacional-Çlirimtare e shqiptarëve. Madje, një pjesë e tyre në ditët e sotme janë të shitur tek qarqet sllave dhe shovinistët grekë dhe me bekimin e tyre po bëjnë të pamundurën që të harrohet kontributi i kombit shqiptar dhe luftëtarëve të saj në Luftën e Dytë Botërore.  E  djathta shqiptare tentoi disa herë të ndryshonte datën e çlirimit, duke harruar fjalët e Çërçillit të madh se: “Historinë e bëjnë fitimtarët”. Për këtë, ajo donte të hiqte datën 29 Nëntor si ditë të çlirimit të vendit dhe duke mos u mjaftuar me kaq, që me ardhjen në pushtet zhvarrosi në mënyrë makabre eshtrat e luftëtarëve shqiptarë, duke filluar nga komandanti i Çetës së Parë në Europë, Myslym Peza. E bëmë këtë hyrje të gjatë për të treguar se e djathta shqiptare e ka pjesë të platformës së saj mohimin e luftës, pasi të mundurit e djeshëm janë sot në krye të së djathtës shqiptare. Por që të mohojnë luftën dhe ta anashkalojnë atë me ndërgjegje, kreu i socialistëve, kjo përbën një skandal të vërtetë. Në datën 17 Nëntor, Edi Rama udhëtoi drejt Korçës dhe mori pjesë në një takim për arsimin, megjithëse, nuk kishte asnjë lidhje si datë dhe ditë. Përkundrazi, Edi Rama duhej të ishte në Tiranë dhe së bashku me të majtën shqiptare, familjet e dëshmorëve, veteranët e luftës, shoqatat e ushtarakëve dhe të gjithë atdhetarët duhej të vendoste kurora me lule pranë “Ushtarit të Panjohur”. Por ai nuk e bëri një gjë të tillë dhe çoi ca këshilltarë sa për të larë gojën dhe kur në ditën kur revanshistët e së djathtës dhe tradhtarët e kombit hodhën baltë mbi gjakun e dëshmorëve dhe partizanëve që ranë për çlirimin e Tiranës. Më 17 Nëntor , Edi Rama duhej t’i tregonte Berishës dhe pinjollëve të tradhtarit Ahmet Zogu se, topat që oshtinë më 1943-n mbi asamblenë kuislinge duhej të oshtinin përsëri nga jehona e këngës partizane në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit”. Por Rama në mënyrë djallëzore gjeti rrugën e ikjes njëlloj si Ahmet Zogu, rivarrimi i së cilit në 17 Nëntor  është një vrimë e zezë në dritën e madhe që sollën partizanët shqiptarë në çlirimin e Tiranës ndaj “bishës hitleriane”. Edi Rama në 17 Nëntor , në mënyrë tinëzare i la veteranët, familjet e dëshmorëve dhe gjithë socialistët njëlloj si Ahmet Zogu shqiptarët më 7 Prill 1939, kur ja mbathi për në Greqi. Çuditërisht edhe Rama udhëtoi drejt Korçës pa kuptim pikërisht në të njëjtën rrugë që bëri edhe Zogu kur u arratis në Greqi. Rama duhej të qëndronte në Tiranë dhe t’i tregonte mbarë shqiptarëve, por edhe fitimtarëve të Luftës së Dytë Botërore që kanë përfaqësitë në Tiranë si SHBA-ve, Francës, Anglisë dhe Rusisë se jemi pjesa që luftuam së bashku kundër nazifashistëve dhe kuislingëve që sot kërkojnë ta mohojnë atë luftë. Nga ana tjetër një tjetër përfaqësues i të ashtuquajturës së majtë, Ilir Meta jo vetëm që nuk u duk pranë Varrezave të Dëshmorëve apo ushtarit të panjohur, por përkundrazi bashkëshortja e tij dhe nën/kryetari i LSI-së Petrit Vasili u panë me tufa me lule pikërisht tek vrasësi i Avni Rustemit, Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit dhe heroit të Skraparit, Riza Cerova, të cilin Ilir Meta e kujton vetëm në ditët që shkon për të mbledhur vota. E majta shqiptare dhe lufta partizane nuk ka lidhje me  Edi  Ramën dhe bashibozukët e koalicionit qeveritar, ku bënë pjesë edhe Ilir Meta. Ata nuk mund të luajnë me gjakun e dëshmorëve dhe heronjve dhe as të shesin idealin e  luftës partizane, pasi emri i tyre është skalitur me grykën e pushkëve. Edi Rama dhe Ilir Meta duhet ta kenë të qartë se, shalli i kuq i partizanëve nuk mund të hidhet në qafë vetëm në kohën kur këta zotërinj duan të mbledhin vota.