Miratohet projekti për Thumanë-Kashar, Braçe kundër

1057
Kryeministri Rama njoftoi dje se qeveria i hap rrugën projektit të dytë të Programit 1 Miliardë për Rindërtim, aksit Thumanë-Kashar. “Segment me rëndësi të posaçme për infrastrukturën rrugore të Shqipërisë që duam. Ndërlidhje më e shpejtë dhe më e sigurt e Veriut me Kryeqytetin”, u shpreh Rama. Për këtë segment, qeveria ka miratuar vendimin që i jep një bonus prej 8.5 pikësh kompanisë “Gener 2”, lidhur me projektin e paraqitur si ofertë e pa-kërkuar për ndërtimin e rrugës Thumanë-Fushë Krujë-Vorë-Kashar. Miratimi i bonusit për “Gener 2” i hap rrugë tashmë procedurës normale të garës për ndërtimin e rrugës, por që normalisht falë ofertës së pakërkuar ajo do të jetë e avantazhuar nga pikët. Projekti i propozuar për rrugën është ndërtim dhe mirëmbajtje. E gjithë kontrata parashikohet 10 vjet, ku dy vitet e para janë ndërtim dhe 8 vite janë mirëmbajtje. Kostoja e ndërtimit parashikohet të jetë në vlerën 244 milionë euro. Ky shpenzim, parashikohet të kryhet në një kohëzgjatje 24 mujore. Kostot totale të projektit do të përfshijnë shpenzimet kapitale dhe mirëmbajtjen rutinë. Mirëmbajtja do të fillojë nga viti i tretë dhe do të zgjasë për 8 vite. Projekti i autostradës Thumanë-Kashar përfshin ndërtimin e 12 urave.

“Shpërthen” Braçe
Deputeti socialist, Erjon Braçe, shprehu kritika të forta ndaj vendimit të qeverisë për rrugën Thumanë-Kashar dhe në tërësi për gjendjen e rrjetit rrugor shqiptar. “A ka njeri nga qeveria ime të më thotë: Përse aksi Thumanë-Rrogozhinë duhet të shkurtohet në Kashar? Nëse ndodh kjo, atëherë për të shkuar deri në Rrogozhinë duhet të ndalesh në Kashar, të marrësh autostradën e shkatërruar në drejtim të Durrësit, të hipësh në mbikalim për të kaluar në unazën që po shkatërrohet deri në Plepa, pastaj të marrësh rrugën që po i del asfalti e tashmë të rrezikshme për shkak të stacioneve të furnizimit me karburant nga Plepat për në Rrogozhinë! Vlen? Për mua jo, nëse nuk arrin në Rrogozhinë siç ka qenë ideja dhe projekti fillestar prej vitit 2004”, deklaroi Braçe, kryetar i Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.
Sigal