Miratohet kalendari tre javor i punimeve të Kuvendit

570
Sigal

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta, ku ishin të pranishëm nënkryetarët e Kuvendit, kryetarët e grupeve parlamentare, kryetarët e komisioneve të përhershme, si dhe të Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, z. Ilirjan Celibashi,  u mblodh sot Konferenca e Kryetarëve dhe miratoi kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit. Në rend të ditës u diskutuan tri çështje kryesore: miratimi i kalendarit tre javor të punimeve të Kuvendit 11 nëntor – 27 nëntor 2013 ; kërkesa për zhvillim të mocionit për debat në Kuvend për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, kërkuar nga z. Edi Paloka, Kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, propozim për ngritje të dy nënkomisioneve parlamentare në përbërje të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, propozuar nga z. Fatmir Xhafa, kryetar i këtij komisioni, përkatësisht nënkomisioni për Qeverisjen Vendore dhe nënkomisioni për të Drejtat e Njeriut. Në fillim të mbledhjes,  z. Edi Paloka, Kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, ngriti shqetësimin në lidhje me  zgjedhjet për pushtetin lokal në Korçë. “Nuk ka gjë më të rëndë për demokracinë në Shqipëri sesa konfirmimi i faktit që në Shqipëri nuk zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme “, tha z. Paloka. Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, sqaroi se Kuvendi i Shqipërisë funksionon  mbi bazën e një Rregullore, në të cilën parashikohet qartë 60 minuta për të folur rreth çështjeve jashtë rendit të ditës. Kuvendi ka rregulla, norma  se si zhvillohen debatet. Në lidhje me këtë çështje, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, shprehu qëndrimin e tij si Kryetar i Kuvendit, i cili mbështeti Prokurorinë në punën e saj për këtë çështje, e cila i takon dhe Gjykatës, ndërsa shtoi se “në lidhje me diskutimin për nesër jam i detyruar që çdo gjë ta bëjmë me konsensus, në rast se nuk ka një respektim rigoroz të Rregullores në 60 minuta secili mund të shprehet për këtë çështje”.

Meta takon ambasadorin e Arabisë Saudite
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti të mërkurën në një takim Ambasadorin e Arabisë Saudite në Shqipëri, Abdullah Abdulaziz Al-Abdulkarim. Kryetari i Kuvendit Meta shprehu angazhimin e tij për forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite, duke theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të njohin zhvillime edhe më dinamike. Në këtë drejtim, z. Meta u shpreh se “ekziston një traditë dhe mirëbesim i shkëlqyer mes dy popujve, si një bazë që ne duhet ta shfrytëzojmë për rritjen e shkëmbimeve ekonomike e tregtare mes dy vendeve”. Ambasadori Al-Abdulkarim vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Arabisë Saudite dhe Shqipërisë dhe shprehu vullnetin për t’i intensifikuar ato më tej në të gjitha fushat.