Miratohet buxheti 2018, nga do vijnë të ardhurat dhe si do shpenzohen paratë

523
Mes debatesh mes pozitës dhe opozitës është miratuar në mbrëmjen e 30 nëntorit nen për nen dhe në tërësi buxheti i vitit të ardhshëm.
Amendamentet e opozitës që kërkonte ulje taksash, ku ndër të tjera përfshihej ulja e tatim fitimit në 9% e TVSH-së në 15% dhe e tatimit mbi të ardhurat nuk janë pranuar. Kryeministri Rama theksoi se propozimet e opozitës do të çonin në rritje borxhi dhe rënie të të ardhurave.
Sipas buxhetit, tashmë të miratuar, totali i të ardhurave për vitin 2018 pritet që të arrijë 464.3 miliardë lekë (rreth 3.4 miliardë euro), me një rritje prej 6.4% në krahasim me aktin normativ 2017, apo rreth 200 milionë euro më shumë se të ardhurat që pritet të mblidhen këtë vit.
Të ardhurat tatimore, të cilat sigurojnë 91.5% të totalit të të hyrave në buxhet, pritet që të rriten me 6.7% (+26.8 miliardë lekë), për të arritur në 425 miliardë lekë.
Të ardhurat nga tatimet dhe doganat, që do të sjellin 63% të totalit të buxhetit, pritet të rriten me 5.9% (17.8 miliardë lekë), duke arritur në 317.2 miliardë lekë.
TVSH-ja si gjithmonë, do të mbajë peshën kryesore në të ardhurat nga tatimet e doganat, duke siguruar 47.5% të tyre. Në vlerë absolute, të ardhurat nga tatimi i vlerës së shtuar pritet të arrijnë në 150.7 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 6.8% në raport me pritshmërinë e këtij viti. Qeveria ka në plan që këtë vit të zgjerojë skemën e TVSH-së edhe tek biznesi i vogël në kufirin mbi 2 milionë lekë. Megjithatë, në buxhet, plani për TVSH-në mbetet në 9.1% të PBB-së, njësoj si në vitin 2017.
Të ardhurat nga tatim fitimi do të arrijnë në 33.4 miliardë lekë, me një pritshmëri për një zgjerim të ndjeshëm prej 14.4% me bazë vjetore.
Nga akciza pritet të grumbullohen 50.4 miliardë lekë, me një rritje me bazë vjetore prej 7.9% në raport me pritshmëritë e 2017-s.
Tatimi mbi të ardhurat personale pritet me një rritje modeste prej 3%, për të arritur në 37.3 miliardë lekë.
Të ardhurat nga taksat nacionale janë të vetmet që parashikohen me ulje prej 3.4%, për të arritur në 38.3 miliardë lekë.
Taksat doganore, pesha e të cilave në buxhet mbetet e ulët, pritet të arrijnë në 7 miliardë lekë.
Qeveria ka bërë publik planin për të ndryshuar taksimin mbi pronën, nga fikse, në bazë të vlerës (0.05% për individët), Arkëtimi nga taksa e pronës pritet të rritet me 54%, për të arritur në 8.1 miliardë lekë në raport me pritshmëritë e 2017-s. Pra shqiptarët do të paguajnë rreth 60 milionë euro taksë për pronën, apo rreth 21 milionë euro më shumë se këtë vit.
Shpenzimet
Qeveria shqiptare pritet që të shpenzojë gjatë vitit 2018 rreth 497 miliardë lekë (rreth 3.7 miliardë euro) për pagat e punonjësve, pensione, shpenzimet administrative të përditshme, investime në rrugë, shkolla, rikonstruksione, mbështetje për pushtetin lokal, interesa borxhi e pagesa papunësie.
Fondi i planifikuar për pagat është 65 miliardë lekë, me një rritje me 10.5% në krahasim me 2017-n. Kjo do të thotë që buxheti do të shpenzojë 6.1 miliardë lekë, ose rreth 45 milionë euro më shumë për punonjësit.
Fondi për politika të reja pagash do të jetë 1 miliard lekë dhe për politika të reja pensionesh 1.8 miliardë lekë.
Pas një periudhe, kur qeveria përfitoi nga rënia e interesave në treg, që e lehtësoi atë në pagesën e borxheve, shpenzimet për interesa pritet të rriten me 9.5% për të arritur në 41.5 miliardë lekë.
Qeveria do ta rrudhë dorën për shpenzimet operative të mirëmbajtjes, teksa ato do të rriten me 1.3% në 45.5 miliardë lekë.
Fondet për investime parashikohet të arrijnë në rreth 86 miliardë lekë, me një zgjerim prej 16% në krahasim me pritshmëritë e 2017-s. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ato pritet të arrijnë në 5.2% të PBB-së, duke iu afruar niveleve të larta të para në periudhën 2008-2010. Efekt në këtë rrije do kenë edhe shpenzimet për koncesionet aktuale që kanë nisur vitet e fundit.
Pjesa më e madhe e financimit, rreth 62%, do të vijë nga burime të brendshme.
Deficiti buxhetor pritet që të qëndrojë në 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në nivele të njëjta me 2017-n./monitor/
Sigal