Miratohen ndryshimet në KLD sipas rekomandimeve të OSBE-së

55

TIRANE – Komisioni i Ligjeve ka miratuar sot vetëm me votat e mazhorancës  ndryshimet në projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e KLD”, duke ju përmbajtur rekomandimeve të OSBE-së, sipas të cilave pezullimi i anëtarit të KLD nga detyra do të bëhet kur ai të jetë në cilësinë e të pandehurit dhe jo siç ishte në draftin e mëparshëm kur ndaj tij të ketë një kallëzim penal. Kështu, Komisioni i Ligjeve është tërhequr nga drafti i mëparshëm, duke pranuar rekomandimet e OSBE. Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve opozita vijonte bojkotin e paralajmëruar nga kjo forcë politike për shkak të dhunës në Kuvend, ndërsa i pranishëm ishte vetëm kreu i PDK Nard Ndoka, i cili ka dalë edhe kundër bojkotit të opozitar. Krahas të tjerave, pjesë e ndryshimeve të miratuara në projektligj është edhe mbledhja e KLD brenda 24 orëve me kërkesë të Prokurorisë në rastet e arrestimit të një gjyqtari si dhe zgjedhja e zëvendëskryetarit të KLD nga Presidenti por që ai të mos vijë nga rradhët e anëtarësisë së Këshillit. Këto ndryshime u mbështetën nga anëtarët e mazhorancës në mbledhjen e Komisionit, ku deputeti Socialist theksoi se këto janë rekomandime të OSBE lidhur me reformën në drejtësi. Këto ndryshime janë kundërshtuar nga deputeti opozitar Ndoka, ku i cilësoi këto si një çorbë dhe jo një reformë. Sipas Ndokës kjo është një ngutje e pajustifikuar e kësaj mazhorance me tendencën për të sulmuar disa emra dhe jo reformë në vetvete. Ai tha më tej se problemet në drejtësi nuk mund të gjejnë zgjidhje me këtë projektligj, ndërsa kërkoi nga byroja që të mos votohet. Replika ndaj Ndokës ka ardhur nga Kryetari i Komisionit Fatmir Xhafaj i cili theksoi se kjo ndërhyrje vjen për të zgjidhur një situatë emergjente kolapsi në KLD, duke shtuar se Këshilli nuk mblidhej për muaj për të shqyrtuar kërkesat për masa disiplinore ndaj gjyqtarëve.