Miratimi i reformës, Nuland vlerëson rolin e Bashës

486
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë publike një bisedë telefonike që zhvilloi sot me ndihmës sekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland. 
Sipas një postimi të zotit Basha në Facebook, zonja Nuland i ka shprehur atij përgëzimet e saj për arritjen e marrëveshjes për reformën në drejtësi. 
“Me qëndrimet dhe veprimet e tua ke dëshmuar se je një patriot për vendin dhe interesat e tij”, i është drejtuar Nuland-Bashës. Gjithashtu, vijon njoftimi online, ndihmës sekretarja e Shtetit ka theksuar se, “ky sukses nuk do të kishte qenë i mundur pa lidershipin e treguar nga zoti Basha”. Nga ana e tij, kryetari i Partisë Demokratike ka shprehur mirënjohjen e thellë për “ndihmën vendimtare” të zonjës Nuland për arritjen e konsensusit dhe për vëmendjen e mbështetjen e palodhur e të jashtëzakonshme të treguar që në ditën e parë të këtij procesi deri në finalizimin e tij. 
Basha ka shprehur po ashtu vleresim të jashtëzakonshëm edhe për ambasadorin Donald Lu, “i cili ka luajtur një rol kyç ne këtë proces të gjatë, të mundimshëm dhe të vështirë”, ka thënë Basha. Për kreun e PD, “sfida e ardhshme e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të kërkojë po kështu një angazhim dhe mbështetje të madhe të SHBA”. Zonja Nuland e ka garantuar Bashën për mbështetjen e Amerikës edhe në këtë drejtim.
Sigal