Miratimi i dekriminalizimit, Meta: Jemi të vendosur ta zbatojmë

436
Ilir Meta, i cili deri më tani ka këmbëngulur se LSI nuk preket nga dekriminalizmi, tha se ligji nuk duhet kufizuar tek emrat, por tek dobia që sjell për Shqipërinë
Z. Meta në dijeninë tuaj, pas miratimit të ligjit për dekriminalizimin sa deputetë do ta lënë Parlamentin?
Kjo nuk është e rëndësishme, nuk është çështje statistikash dhe emrash. U krijua një shqetësim serioz dhe jam shumë i kënaqur që më në fund iu dha një zgjidhje kushtetuese dhe ligjore me mjaft të qartë edhe parimore. Tani ne jemi të vendosur për zbatimin e ligjit dhe nuk ka rëndësi se sa emra do të penalizohen nga ky ligj. E rëndësishme është që qytetarët shqiptarë do të jenë më të qetë për integritetin e përfaqësuesve të tyre publikë, jo vetëm sot, por edhe në të ardhmen, sepse ligji do t’i shërbejë edhe të ardhmes. 
Sipas jush, kujt i duhet më shumë ky ligj për dekriminalizimin, mazhorancës apo opozitës? 
Ky ligj nuk mendoj se i duhet mazhorancës dhe opozitës, ky ligj u duhet qytetarëve shqiptarë dhe besimit të tyre te përfaqësimi i publik. Mendoj që nga kjo në radhë të parë përfitojnë qytetarët shqiptarë dhe mazhoranca e opozita kanë dëgjuar zërin e kanë shprehur vullnetin e tyre dje.
Kur ligji u votua dje, për çfarë ishte ky takim i sotëm me aleatët e koalicionit?
Mendoj se ishte një takim i dobishëm. Kemi hapa të tjera përpara, kemi reformën në drejtësi, që është mjaft e rëndësishme dhe njëkohësisht kemi edhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it. Shpresojmë që ditën e hënë në mënyrë konsensuale të miratojmë edhe komisionin e përbashkët ad-hoc parlamentar për t’iu përgjigjur në kohë rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të jenë të standardeve më të lartë ndërkombëtare dhe europiane, dhe mjaft çështje të tjera, të cilat kanë të bëjnë me ecurinë e qeverisjes në vend. 
Z. Meta, përsa i përket reformës në drejtësi, nëse nuk do të gjendet një bashkëpunim me opozitën, a mendoni se rrugëzgjidhja është referendumi?
Unë mendoj se nuk kemi pse të paragjykojmë, as opozitën dhe asnjë faktor tjetër politik. Mendoj se të gjithë kemi pranuar dhe kemi vlerësuar si mjaft të rëndësishme për të respektuar, jo vetëm parimet e shtetit të së drejtës, por edhe themelet e Kushtetutës sonë, për të dëgjuar dhe bashkëpunuar me Komisionin e Venecias. Unë besoj se edhe përsa i takon reformës në drejtësi, edhe mazhoranca, përse jo edhe opozita, do të dëgjojnë shqetësimin e qytetarëve shqiptarë dhe do të dinë t’i japin zgjedhje parimore dhe gjithëpërfshirëse kësaj reforme mjaft të rëndësishme, e cila na pret përpara.
Duke iu referuar disa deklarimeve publike të eksponentëve të Partisë Demokratike, duket sikur opozita mund të kërkojë një lloj kushtëzimi për votën e saj pro reformës në drejtësi me një qeveri teknike. Ju si e shikoni një mundësi të tillë?
Besoj se të gjithë duhet të dëgjojnë zërin e qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkojnë një sistem drejtësie shumë më funksional se sa është sot, në mënyrë që ata të gjejnë drejtësi dhe jo padrejtësi e korrupsion në vendimet e gjykatave dhe të gjithë sistemit të drejtësisë. Nuk besoj se kjo kërkesë e drejtë e qytetarëve tanë duhet të kushtëzuar me nisma apo iniciativa që kanë interesa të ngushta politike. Duam të bëjmë një reformë, një reformë të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë. 
Sigal