Miratimi i 3 ligjeve, shi në bahçen e Berishës

478
Sigal

Kuvendi do të shqyrtojë 3 p/ligjet e 12 prioriteteve të statusit kandidat, por jo ngërçin e KQZ-së

Më në fund, PD dhe PS kanë pranuar që të shqyrtojnë në Kuvend, 3 p/ligjet, “P/ligjin për Gjykatën e Lartë”, “P/ligjin për Nëpunësin Civil” dhe “ P/ligjin për Reformën e Kuvendit”. Paraprakisht, PS-ja ka kushtëzuar miratimin e këtyre 3 ligjeve, më zbatimin e tyre nga fillimi i shtatorit, me funksionimin e Kuvendit të ri, që do të dalë nga zgjedhjet e 23 Qershorit. LSI-ja, nuk ka asnjë kusht, ndërsa PD-ja, deri tani nuk ka dhënë asnjë opsion të saj politik, duke mos iu përgjigjur PS-së, nëse pranon apo jo, që këto 3 ligje të zbatohen nga fillimi i shtatorit e jo deri tani. Por siç duket, Ministria e Drejtësisë, KLD-ja dhe institucioni i Presidencës i kanë gati listat e emërimit të gjyqtarëve, sipas konkurseve që janë zhvilluar më parë, në të gjitha shkallët e gjykatave, duke përfshirë edhe Gjykatën Administrative. Siç e pohoi edhe vetë Edi Rama, PS-ja nuk pranon të votojë 3 ligjet dhe zbatimi i ligjit “Për Gjykatën e Lartë” të fillojë menjëherë, për të mos u mbushur gjykatat me ….derdederë. Ndokush, mund të thotë, se me miratimin e 3 ligjeve, Shqipëria do të marrë statusin kandidat. Mirëpo ndërkombëtarët bëjnë përditë apel, se pa zgjedhje me standarde, nuk do të ketë progres të procesit të integrimit, dhe kriteri kryesor për dhënien e statusit kandidat, mund të varet vetëm nga mënyra e zhvillimit të zgjedhjeve në 23 Qershor. Megjithëkëtë, procesi zgjedhor është venë në pikëpyetje të madhe, me prekjen e KQZ-së, që filloi me zëvendësimin e anëtarit të saj, Ilirjan Muho, vijoi me dorëheqjen e 3 anëtarëve të saj, Biba, Shtylla dhe Jani, ndërkohë, kur KQZ-ja vazhdon funksionimin e saj me 4 anëtarë. PD dhe PS-LSIjanë shumë larg gjetjes së kompromisit për kthimin e normalitetit të KQZ-së, ndërkohë, që vetë procesi zgjedhor, kësisoj, humbet përditë legjitimitetin. Kjo është një dilemë e madhe, ndaj u drejtuam një pyetje të përbashkët Shenazi Ramës, analist, Idajet Beqirit, Kryetar i PUK,-ut, Tahir Muhedinit, kryetar Nderi i PDIU-së, Sabit Brojka, ish- deputet e ish- ministër, Besnik Baraj, deputet i PS-së dhe Luçiano Boçi, deputet i PD-së.

– A ka vlerë politike dhe, a është i mjaftueshëm miratimi i 3 ligjeve, që Shqipëria të marrë statusin kandidat, kur është vënë në pikëpyetje të madhe legjitimiteti i procesit zgjedhor, duke u shkelur standardet?

Shenazi Rama, analist

 Nuk ka vlerë, është demagogji

Po asnjë farë vlere nuk ka. Kjo është thjesht demagogji e propagandë për budallenjtë që duan të besojnë diku, te diçka që do të ua zgjidhë të gjithë hallet. Këta kanë gjetur këtë përrallën e integrimit. Shqiptarët duhet ta ngulin mirë në kokë: nuk ka integrim për shqiptarët. Integrimi duhet të ndodhë midis shqiptarëve vetë. BE është në krizë, ka thënë se nuk ka zgjerim deri në vitin 2027, dhe ne flasim për integrim, kemi parti integrimi, qeveri integrimi dhe tani duam të heqim edhe vizat për në SHBA! Pastaj, kush ka besuar ndonjëherë në procesin zgjedhor? Po kush beson? Mulliri i tyre i propagandës bluan fare pa kokrra, por kjo tregon nivelin e përbuzjes që këta kanë për shqiptarët.

Idajet Beqiri, Kryetari i Partisë Uniteti Kombëtar

 Pa KQZ të pavarur, nuk ka zgjedhje të lira, ndaj 3 ligjet janë propagandë boshe

Nisur nga fakti se kryekushti që BE-ja i ka vendosur Shqipërisë për bisedimet për statusin e vendit kandidatë janë zgjedhjet e 23 qershorit 2013, të cilat kërkohen të jenë me standarde të larta, të lira, të ndershme dhe të pamanipuluara, të mos vendosësh në rendin e ditës si temë të rëndësishme për shqyrtim në sesionin e jashtëzakonshëm të Kuvendit të Shqipërisë, riformatimin e KQZ, ky është një ogur i zi për procesin zgjedhor. Berisha, pasi e prishi KQZ-në, pasi formësoi celulën e Partisë së tij në KQZ, duke vendosur 4 anëtarë të zjarrtë të PD-së, tashmë përcjell para shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve mesazhin e qartë se ai po përgatitë një masakër tjetër zgjedhore, të njëjtë me atë të 26 majit 1996, që solli tragjedinë e marsit 1997. Miratimi i tre ligjeve «të integrimit», apo ligji i amnistisë fiskale, siç kanë pritur deri tani, presin edhe pak ditë. Por ajo që nuk pret, që është urgjenca e urgjencave, është riformatimi i KQZ-së. Pa institucionin kryesor të zgjedhjeve, sikurse është KQZ-ja, si mund të pretendohet për bërje të zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe me standarde në 23 qershor 2013?! Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë “A”-ja për në BE. Pa këtë kryekusht, të tjerat janë propagandë dhe fjalë boshe.

Tahir Muhedini, kandidat për deputet i Tiranës, i PDIU-së

 PS-ja me KQZ-në, krijon alibinë e humbjes së zgjedhjeve

 – Që në fillim duket, sikur 3 ligjet janë pronë e PD-së dhe e PS-së, ndaj janë peng i interesave të tyre dhe nuk u shërbejnë shqiptarëve dhe Shqipërisë. Ky është një mentalitet që vihet re nga opozita, e cila mohon gjithçka që bën maxhoranca. Dëmi nga mosmiratimi i këtyre ligjeve iu bë popullit. Është edhe xhelozia e PS-së, që në këto 8 vjet qeverisje nga PD-ja janë bërë ndryshime e arritje të këtilla, që nuk janë bërë kurrë më parë. Edhe me KQZ-në, me sa duket, nga opozita merren masa paraprake, që nesër, kur të humbasin, të kontestojnë zgjedhjet, me pretekstin, se, “ne nuk kishim anëtarë të KQZ-së”. Dhe populli ka vesh e sy që të shikojë se cila forcë politike punon për të mirën e tij.

Sabit Brojka, ish-deputet

Pa KQZ, është anomali e madhe, zgjedhjet do të bëhen të papranueshme

Unë mendoj që kjo është anomali e madhe dhe  bërja e zgjedhjeve me këtë KQZ është më pranë asaj që zgjedhjet të prishen, të bëhen të papranueshme. Që zgjedhjet të bëhen të pranueshme, premisa fillon te KQZ-ja. Edhe unë mendoj që nuk bëhet përpjekja e mjaftueshme për të zgjidhur çështjen në KQZ. Ditët që ikin me këtë gjendje janë në dëm të shqiptarëve dhe më shumë në dëm të opozitës që kërkon të marrë pushtetin. Ka një dispotecion midis peshës së fushatës në planin politiko- demonstrativ dhe programor me veprimet konkrete të procesit e procedurave që përcaktojnë të nesërmen dhe fitoren e zgjedhjeve. Puna është se nuk shikojmë asnjë qëndrim të opozitës, veç ndonjë deklarate, që dhe në kohë është e rrallë.

Besnik Baraj, deputeti i PS-së

Miratimi i 3 ligjeve, pa zgjedhje të lira, është komedi

– Miratimi i 3 ligjeve, për të kuptuar se ç’po ndodh në të vërtetë, po bëhet  një gjë komike, kur po të kuptohet me thelbin e demokracisë. 3 ligjet nuk janë asgjë me thelbin e demokracisë. Dhe thelbi i demokracisë është zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pa zgjedhje të lira nuk ka integrim të Shqipërisë në BE. Është tragjike, kur ata (PD-ja) thonë se miratimi i këtyre 3 ligjeve do të na japë integrimin, kur ata nuk duan të shikojnë mungesën e lirisë, dhunën që u bëjnë njerëzve që i çojnë me forcë nëpër mitingje.

Luçiano Boçi, deputet i PD-së

3 ligjet i japin progresin procesit të integrimit

Sigurisht, që ka vlerë në progresin e procesit të integrimit miratimi i 3 ligjeve, për marrjen e statusit kandidat i BE-së, sepse plotësohen 12 prioritetet e përcaktuara nga BE-ja. Ndërsa për KQZ-në, konflikti qëndron te opozita, sepse ajo nuk dëshiron që të plotësojë KQZ-në me anëtarët që duhet të propozojë.

Spartak Braho, kandidat i PS-së në Tiranë

– Mendoni se sot Kuvendi do t’i miratojë 3 p/ligjet?

– Mendoj se ka vajtur atje ku nuk mban më. Parlamenti është i detyruar, ku edhe ndërhyrja e ndërkombëtarëve ka bërë punën e saj. Jam optimist se do të miratohen.

– Do të jenë  përcaktuese vendimet që do merren sot në Kuvend, edhe për ecurinë e procesit zgjedhor dhe të integrimit?

Për procesin zgjedhor, që ju bëni fjalë, nëse keni parasysh KQZ-në, ai duket se është i mbyllur, ndërkohë, që zoti Moore tha:- “derisa partitë kryesore nuk gjejnë dot kompromisin e konsensusin për KQZ-në, do të jetë Kolegji Zgjedhor ai që do të certifikojë zgjedhjet dhe i dha fund kësaj historie”. Për procesin e integrimit, miratimi i 3 p/ligjeve është një hap që bëhet, por nuk janë vetëm 3 ligjet. Ka shumë rrethana të tjera, që duhen zhvilluar.