Ministrja Nikolla videomesazh urimi: 2018, viti i reformave të mësuesisë

651
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, përmes një video-mesazhi uron Vitin e Ri 2018 për të gjithë kontribuuesit për reformimin e arsimit shqiptar.
Duke u shprehur mirënjohje për punën gjatë këtij viti, Ministrja Nikolla deklaroi se 2018 do të jetë viti i reformave të mësuesisë, modernizim të kurrikulave në fakultete dhe përshtatjen me tregun e punës. Krenaria për sportistët që sollën në Shqipëri medalje e thyen rekorde, do të përkthehet gjatë këtij viti të ri edhe me më shumë mbështetje dhe mundësi për të rinjtë shqiptarë.
Mesazhi i urimit:
Edhe një vit po mbyllet, një vit i mbushur plot me përkushtim nga ju të dashur mësues dhe pedagog. Me përkushtim dhe emocion pa fund në rrugën e vështirë të përçimit të dijes tek çdo fëmijë e student i Shqipërisë. Krenare jam për dedikimin tuaj, krenare, por e mbushur plot me përgjegjësi për të qenë një krah i fortë e i vendosur për të ecur së bashku me ju në rrugën e reformës në arsim. Për të mundësuar për të gjithë fëmijët e Shqipërisë, për çdo të ri e të re, arsimin e Shqipërisë që duam. Të dashur mësues, viti 2018 do të jetë viti i reformave të mësuesisë. Së bashku me fakultetet e edukimit, ne do të startojmë një nismë të re që mundëson mësues cilësorë për arsimin që duam. Do të ketë më shumë mbështetje për kualifikim cilësor për ju, do të dyfishojmë mësuesin ndihmës që asiston çdo fëmijë me aftësi ndryshe, e padyshim do të vijojmë përmbushjen e detyrimit tonë për rritjen e pagave tuaja.
Të dashur pedagog, ky është një vit që ju do të punoni edhe më me përkushtim për të përmbushur çdo rekomandim që la akreditimi institucional i bërë ndërkombëtarisht, e sigurisht më shumë punë e forcë për të modernizuar kurrikulat, për t’i përshtatur ato me tregun e punës dhe për t’ua bërë më të suksesshëm punësimin çdo të riu e të reje, që del nga bankat dhe auditorët e universiteteve tona.
Të dashur sportistë, së pari ju që në 2017 na bëtë krenar me rekordet tuaja botërore, do të jemi edhe më fortë krah jush në 2018, për të mundësuar më shumë mbështetje për sportin, e për ta kthyer sportin në një mundësi për çdo të ri e të re kudo ata mësojnë e studiojnë.
Krenare për të gjithë ju, të dashur kolegë mësues, të nderuar e të dashur pedagog, keni qenë mbështetja ime më e madhe, me këshillat e vyera por edhe me kritikat racionale.
Faleminderit!
Dollia ime e parë shkon për ju. Gëzuar një vit të mbarë e plot suksese!
Sigal