Ministrja Kodheli inspekton stërvitjen fushore në rajonin Rreth-Greth ne Kavajë

486
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, inspektoi sot stërvitjen fushore të Batalionit të Tretë të Këmbësorisë të Forcës Tokësore që po zhvillohet në rajonin e Rreth-Grethit në Kavajë. Në këtë aktivitet ministrja Kodheli shoqërohej nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, si dhe nga ushtarakë të tjetë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm. Fillimisht, ministrja Kodheli inspektoi rajonin stëvitor ku zhvillohet kjo stëvitje, ndërsa më pas ndoqi nga afër disa demonstrime stërvitore, të cilat u realizuan me disipilinë dhe profesionalizëm të lartë nga trupat pjesëmarrëse në këtë stërvitje. Ministrja e Mbrojtjes Kodheli duke përshëndetur trupat pjesëmarrëse në stërvitje theksoi se, më vjen mirë që në këtë fund tetori të gjitha njësitë e Forcës Tokësore i gjej të angazhuara me trajnime e stërvitje të niveleve e formateve të ndryshme, bazuar në angazhimet që vendi ynë ka marrë si vend anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut. Për këtë ajo ka përgëzuar të gjithë ata që i kanë dhënë një impuls të ri operacioneve, trajnimeve dhe stërvitjeve, si në Shtabin e Përgjithshëm, ashtu edhe në të gjithë strukturën e Forcës Tokësore. Operacionet në mbështetje të paqes, vijoi ministrja Kodheli, tashmë janë pjesë e traditës së angazhimeve ndërkombëtare të FA të Republikës së Shqipërisë. Që kur ushtarakët e parë shqiptarë u nisën drejt Bosnje-Hercegovinës 19 vjet më parë, kemi qenë të pranishëm në gjithë sfidat e mëdha botërore, në Afganistan, Irak, Kosovë e Çad. Dhe kemi treguar, përmes më shumë se 6500 ushtarakëve, se jemi në gjendje të tregojmë vlerat më të mira të një force ushtarake profesioniste e profesionale, njerëzish të zotë e trima. Më tej, ministrja Kodheli theksoi se, po stërviteni për të vazhduar angazhimin tonë të hershëm në Afganistan në nivel toge. Jemi të pranishëm atje, fillimisht në formatin ISAF e që prej një viti si pjesë e Misionit Resolute Support, që nga viti 2002, duke iu bashkuar që në fillim koalicionit ndërkombëtar në luftë kundër terrorizmit. “Në Afganistan humbi jetën dhe kapiten Feti Vogli, dëshmori i atdheut. Akti i tij heroik na kujton çdo ditë se sakrificën që ju të nderuar ushtarakë bëni, e bën kombin shqiptar të përkulet me respekt para jush”, është shprehur Kodheli.
Sigal